KQZ mori vendim që partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, të mos marrë pjesë në zgjedhjet nacionale, por nga aknesa e tyre në PZAP, një vendim i tillë u hodh poshtë dhe u vendos që ajo të marrë pjesë në zgjedhje.
Pas kësaj, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar ankesë në PZAP për të hedhë poshtë një vendim të tillë, me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, andaj nuk duhet të certifikohet në zgjedhje.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të shtunën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideron Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – si armiken më të madhe, dhe ka paralajmëruar rritje të presionit të vendit të tij lidhur me Kosovën.
“Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe [në zgjedhje], është faktor përçarës për të, armikja më e madhe e tij është Lista Serbe. Ai po përpiqet t’i kontrollojë gjithë të tjerët të komunitetit serb, njerëzit tanë, mirëpo nuk ka kontroll aty, prandaj Lista Serbe është armikja e saj”, ka thënë Vuçiq.
Meha: Deklarata e Vuçiqit janë për protagonizëm
Njohësi i politikës, Xhevat Meha, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se deklaratat e tilla të Vuçiqi janë protagonizëm.
“Deklaratat e tilla të Vuçiç se Lista Serbe është armikja më e madhe për Albin Kurtin janë ndërhyrje brutale në politikën e brendshme të Kosovës, është protagonizëm. Nuk kemi shumë mundësi të ndalim ndërhyrjet e tilla. Nuk duhet të merremi shumë me këso lloj ndërhyrjesh e protagonizmash. Ne duhet të merremi me punët që i kemi vet në dorë, me punët që mund dhe duhet t'i kryejmë e nuk po i kryejmë, pikërisht në këtë rast rreth shkeljeve ligjore e kushtetuese nga ana e Listës Serbe”, thotë ai.
Sipas tij, institucionet e sigurisë është dashur të dokumentojnë shkeljet ligjore dhe ta vërtetojnë një fakt të tillë, që KQZ të mund të marrë një vendim ligjor për ndalimin e veprimtarisë politike të Listës Serbe.
“Jam shumë i bindur se edhe individë anëtarë të Listës Serbe edhe vetë Lista Serbe si organizatë politike në veprimtarinë e tyre politike kanë kryer në shumë raste shkelje ligjore e kushtetuese. Ndalimi i veprimtarisë politike të Listës Serbe duhet të bëhet në bazë të meritave ligjore, në bazë të procedurave plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës. Institucionet e sigurisë është dashtë, dhe duhet sepse kanë detyrim ligjor, që të dokumentojnë rastet e shkeljeve ligjore. Institucionet e drejtësisë si prokuroria dhe gjyqësia është dashtë, dhe duhet sepse kanë detyrim ligjor, të kryejnë procedurat juridike që vërtetojnë se janë kryer shkelje ligjore. Dhe vetëm pas këtyre procedurave KQZ do të mund të merrte vendim ligjor për ndalimin e veprimtarisë politike të Listës Serbe”, përfundon ai.
Maraj: Vaji i Vuçiqit për Listën Serbe
Kurse, analisti Milazim Maraj thotë se lista e përdorur nga Vuçiqi është e mbytur në krime të bëra në Kosovë para dhe pas lufte dhe në Serbi vazhdimisht.
“Presidenti kriminel i zgjedhur me vota të kriminelëve vajton listën Serbe në Kosovë. Vetëm këtë Listën Serbe dhe zotohet që do t’i mbroj. Për këtë ka biseduar edhe me punëdhënësit e tij Putin dhe Lavrov. Lista serbe në Kosovë është organizatë kriminale nga e cila kanë rrjedh të gjitha krimet në veri të Kosovës që nga viti 2000. Kjo është lista e robëruar nga pushteti i Vuçiqit, është e mbytur në krime të bëra në Kosovë para dhe pas lufte dhe në Serbi vazhdimisht. Moscertifikimi i kësaj liste është mjaft i drejt dhe plotë arsye. Kriminelët nuk duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës”, shprehet ai.
Më tej, ai Lista Serbe i takon rrjetit kriminel serb të shpërndarë në Kosovë, Kroaci, Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni vepron sipas mundësisë që ka dhe kërkesave ruse.
“Dëmi më i vogël që këta i sjellin Kosovës është buxheti që ndahet për pagat e tyre edhe që ata për katër vite bojkotojnë organin më të lartë të Kosovës, aty ku marrin pagat pastaj në vazhdimësi pengon funksionimin e shtetit ligjor të Kosovës. Kjo listë merr urdhra për destabilizim të Kosovës sa herë që Vuçiqi i ka punët ‘ngushtë’ në shtetin që e udhëheq me organizata kriminale. Tani i zënë ngushtë nga revolta e arsyeshme e serbeve në Serbi kërkon të nxjerr vëmendjen se po mbrojnë serbet në Kosovë. Por kjo nuk është vetëm këtu e lidhur. Lista Serbe i takon rrjetit kriminel serb të shpërndarë në Kosovë, Kroaci, Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni vepron sipas mundësisë që ka dhe kërkesave ruse. Çdo aktivitet i këtij rrjeti lidhet ngushtë më interesat gjeostrategjike të Rusisë për botën ruse. Misionarët serbë vazhdimisht shkojnë në Rusi për të dërguar rezultatet e detyrave që i kanë marrë me herët dhe për të marrë detyrat e reja për destabilizimin e rajonit. Kosova në çdo takim të tyre është pjesë e projektit të serb dhe rus. Vuçiq e akuzon kryeministrin e Kosovës Kurti që po e konsideruaka listën serbe si armike. Asgjë nuk ka këtu për të u konsideruar apo trajtuar ndryshe. Kriminelët janë kriminelë këtë po e tregojnë në vazhdimësi së fundi më kanalin e ujit Ibër Lepenc”, nënvizon ai.
Për fund, Maraj thotë se deklarata e Vuçiqit nënkupton se po mundohet të kontrollojë të tjerët, sepse Listën Serbe ajo dihet që e kontrollon.
“Kjo listë është faktor përçarës dhe kërcënues, vrasës dhe shantazhues, sulmues për serbët e Kosovës që nuk janë të dëgjueshëm, djegieje të pasurisë së tyre, makinave, bartje e armeve në Kosovës, shkelës të ligjit dhe tendencës së pa ndërprerë për të aplikuar ligjet serbe në Kosovën e pavarur. Ky është programi real i saj. Por, reagimi i VV ishte një bilardo politik që më shumë e fuqizoj “Listën Serbe” se që pengoi certifikimin e saj. Nuk ishin marrë masat paraprake për të vlerësuar këtë listë kriminale edhe pse kishte mjaft argumente. Nënkryetari i saj ishte komandues i agresionit serb në Banjska, Lista serbe mbajti zi për kriminelët e vrarë në përleshje më policinë e Kosovës, Ku u vra rreshteri i policisë Kosovës dhe u plagua një polic tjetër. Mbajtje zi për kriminelët ishte solidarizim i kësaj liste më agresionin dhe terrorizmin, kërcënimet e vazhdueshme që u behën qytetarëve serbë që nuk përkrahin krimet. Këto janë vetëm disa nga argumentet për të mos certifikuar kjo listë kriminale. Por përgatitjet paraprake nuk u kryen më kohë dhe profesionalisht. Këto nuk u kryen si duhet dhe ky akt nuk u adresua aty ku duhej dhe vendosej por aty ku duhej të kthehej në favor të listës së krimit, ngjashëm me vendimin e pasurive që i mori kisha në Deçan pa kurrfarë të drejte. Deklarata e Vuçiqit se Lista Serbe se sipas Qeverisë se Kosovës po mundohet të kontrolloj të gjithë të tjerët. Shumë e vërtetë që kjo listë është armike e serbeve në Kosovë pikë se pari pastaj e të gjithëve në këtë gadishull; detonator për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi. Kjo listë është metastazë ruse në Gadishullin Ilirik. Lista serbe nuk do të duhej të certifikohej në asnjë mënyrë por për këtë duhet përgatitur, më kohë, mirë dhe mbi bazën e legjislacionit të Republikës së Kosovës”, përfundon ai për “Bota sot”.