Ditë më parë KQZ në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
Në njoftimin e Vetëvendosje ndër tjera thuhet:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe.”
Avokati Agron Curri në një prononcim për “Bota sot”, thotë se vendimet e KQZ-së mund të ankimohen dhe si rezultat mund të prishen nga PZAP.
“Certifikimi i një subjekti politik është çështje procedurale e ligjore. Në rastet kur plotësohen kushtet ligjore për certifikim KQZ duhet të bëjë certifikimin e subjektit aplikues, në të kundërtën kur aplikimi nuk përmbush kushtet ligjore atëherë kërkesa për certifikim duhet të refuzohet.
Vendimet e KQZ-së mund të ankimohen dhe si rezultat edhe mund të prishen nga PZAP në qoftë se të njëjtat nuk janë në përputhje me ligjin.
Me fjalë tjera certifikimi apo mos certifikimi i një subjekti politik është çështje ligjore dhe jo fontane dëshirash”, përmbyll ai.
Çfarë thotë ligji?
Lëvizja Vetëvendosje, në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ka deklaruar se kërkon anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, bazuar në nenin 119 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në këtë nen thuhet se një person, që konsideron se të drejtat e tij janë shkelur lidhur me procesin zgjedhor të rregulluar nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ose rregullat zgjedhore, mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas kësaj partie, certifikimi i Listës Serbe, pa u kryer procesi i votimit në KQZ, përbën "sulm ndaj rendit tonë ligjor".
“Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.