Emisarët e dialogut Kosovë-Serbi kanë qenë shpesh në qendër të diskutimeve publike, kjo si pasojë e qëndrimeve të tyre apo dinamikave të procesit.
Me ndryshimet që ndodhën në Bashkimin Evropian, pas zgjedhjeve të fundit, po pritet edhe emri i pasardhësit të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak
Mirëpo, pasardhësi i Lajçak, do të përballet me trashëgimi të pasur me shumë marrëveshja për shumë tema, më kryesorja Marrëveshja e Ohrit dhe plani i sekuencimit, produkte të planit franko-gjerman.
Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, danezi Peter Sorensen, ish-ambasador i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Pekka Haavisto ish-ministër i jashtëm i Finlandës, kanë qenë emrat që janë lakuar më së shumti nga mediat, por përgjigjen definitive kësaj pyetjet do t’ia japë ish-kryeministrja e Estonisë.
Megjithatë, një ‘kandidat’ mjaft i përfolur, së fundi u tërhoq nga kjo “garë”.
Bëhet fjalë për ish-presidentin slloven, Borut Pahor, i cili njoftoi se nuk ka aplikuar për pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse ai ka shprehur gatishmërinë për ta pranuar këtë pozitë vitin e kaluar.
Pahor përmendi si një nga arsyet e tërheqjes së tij se ai mësoi nga bisedat joformale se një diplomat po kërkohej për këtë pozicion.
Ai nuk i kurseu as kritikat ndaj BE-së dhe qasjes ndaj këtij procesi negociues.
“Nëpërmjet bisedave të panumërta joformale, përfundimisht mu bë e qartë se ata po kërkonin një diplomat, jo një politikan, si një të dërguar special. Ky është sigurisht një vendim legjitim, por vazhdon një politikë e dialogut teknik, e cila nuk është dëshmuar shumë mirë”.
“Për mendimin tim, për shkak të situatës shumë të ndryshuar, ka ardhur koha për një politikan në këtë post dhe për ndërhyrje politike, natyrisht nën udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën është e pabazë”, tha Pahor në një deklaratë të publikuar në X.
Se çka do të thotë kjo tërheqje e Pahor për dialogun Kosovë-Serbi, folën analistët politikë.
Mehazi: Mos ndoshta slloveni Pahor ka vërejtur se BE-ja padrejtësisht është në anën e Serbisë?
Së pari, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se tërheqja e Pahor është një sinjal i keq dhe dëshpërim për Kosovën.
Në këtë pikë, vlerëson se Pahor nuk lejon që të bëhet mashë e BE-së në dobi të Serbisë e në dëm të Kosovës.
“Ishte lajm shumë i pëlqyer për Kosovëm se ish-kryetari i Sllovenisë, Borut Pahor, do merrte pozitën e emisarit të BE-s për dialogun, Kosovë- Serbi, pasi Sllovenia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, po ja që tërheqja e politikanit slloven dëshproi qytetarët dhe qeverinë e Kosovës, tërheqja e zotëri Pahorit nga pozita e emisarit për dialogun e Kosovës me Serbinë jep sinjale jo të mira për Kosovën.
Mohimi i pozitës së ish-presidentit të Sllovenisë simbolizon dyfytyrësinë e BE-së ndaj Kosovës, se politikani i njohur slloven Pahor nuk lejon që të bëhet mashë e BE-së në dobi të Serbisë e në dëm të së drejtës kushtetuese të R.së Kosovës. Karakteri i ish-presidentit të Sllovenisë, Pahor, nuk ka lejuar që të bie në nivelin e Lajçakut i cili më shumë luante rolin e gjykatësit ndaj Kosovë sesa të misionarit, më shumë akuzonte qeverinë e Kosovës në krye me Kurtin sesa që bënte detyrën e ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë- Serbi”, nënvizoi ai.
Më tej, profesori përmendi disa mundësi që e kanë shtyrë Pahorin të heq dorë nga kjo pozitë.
Mirëpo, e vlerëon faktin që ish-presidentit slloven nuk vendosi të marrë pozitë dhe të mbajë anën e shtetit serb.
“Tërheqjen dhe mohimin e pozitës së misionarit të dialogut, Kosovë- Serbi, më së miri e di vetë politikani i regjur slloven, Pahor, mirëpo neve na lejohet të japin mendimet tona, se pse ish-presidenti i Sllovenisë u tërhoq nga pozita e emisarit të dialogut, Kosovë -Serbi? Mos ka ndikur propaganda gjenocidiale serbre ndaj shteteve evropiane proruse?, mos ndoshta slloveni Pahor ka vërejtur se BE-ja padrejtësisht është në anën e Serbisë?, mos ndoshta BE-ja ka kushtëzuar ish-presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, që të vazhdonte të njejtën rrugë dialoguese të Lajçakut i cili anonte më shumë se vetë Vuçiqi për Serbinë?
Qartë vërehet se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në pozitën e misionarit të BE-s nuk ka dashur të jetë në anën e shtetit gjenocidial të Serbisë, por në anën e së drejtës kushtetuese të R. së Kosovës”, prëmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.
Kapiti: Lajçak qëllimisht me pozicionin e tij si ndërmjetësues ka mbajtur qëndrime kundër marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
Kurse, opinionisti Skënder Kapiti kritkoi zgjedhjet e BE-së në lidhje me emisarët e vendosur në bisedimet Kosovë-Serbi.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi disa nga gabimet e emisarëve aktual.
“BE ka gabuar rëndë, që krahas Josep Borrell-it nga Spanja, një vend mosnjohës i Kosovës, u zgjodh edhe një i dërguar i posaçëm për Kosovën, po ashtu nga një vend tjetër mosnjohës, Sllovakia.
Lajçak ka mbajtur anën e Serbisë për të gjitha problemet, duke kërkuar që Kosova edhe ta ndryshojë Kushtetutën për ta bërë të mundur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Tolerimi i tij karshi Serbisë inkurajoi edhe veprimet terroriste serbe në Kosovë dhe vendosjen e sanksioneve Kosovës dhe jo Serbisë”, u shpreh ai.
Sipas Kapitit, Pahor e ka analizuar situatën dhe e ka kuptuar se në çfarë niveli e ka dërguar këtë proces Lajçak, për këtë edhe është tërhequr.
“Dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetës sllovakun Mirosllav Lajçak ka dështuar, pasi ai ka mbajtur anën e Serbisë, dhe dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur sukses. Pra, ish-presidenti slloven Pahor duke e analizuar se ku ka precipituar situata nuk dëshiron të marrë këtë detyrë, dhe vetë ky fakt vërteton se paraardhësi i tij e ka sabotuar dialogun qëllimisht dhe e kanë çuar atë prapa, me synim për një intervenim politik dhe jo më teknik, sepse sipas tij për shkak se kanë “ndryshuar” rrethanat. Pra, BE qëllimisht paska angazhuar sllovakun Lajçak si ndërmjetës të bisedimeve Kosovë –Serbi, me qëllim për të dobësuar pozitën e Kosovës dhe për të mbajtur dhe favorizuar anën e Serbisë”.
Ndër të tjera, opinionisti tha se Lajçak ia ka vështirësuar punën pasardhësit të tij, kushdo qoftë ai.
Kjo për shkak, mos seriozitetit në punën e tij dhe anshmërisë së tij ndaj palës serbe.
“Lajçak qëllimisht me pozicionin e tij si ndërmjetësues ka mbajtur qëndrime kundër marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke edhe ia vështirësuar punën edhe atij që mund të jetë pasues i tij në këto bisedime. Lajçak gjatë gjithë kohës është përpjekur për të krijuar një situatë alternativë ndryshe dhe në dëm të Kosovës, duke përdorur dhe shfrytëzuar situatën e pushtimit rus të Ukrainës. Ai nuk ka qenë serioz në punën e tij, dhe nuk ka dhënë llogari as para Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe as para Parlamentit Evropian, që urojmë që edhe këto institucione të mos jenë pro me qëndrimeve “private” të Lajçakut”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.