Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, një nga çështjet më të diskutuara është rreziku i ndikimeve të huaja, veçanërisht nga propaganda serbe, që mund të minojnë procesin demokratik dhe stabilitetin e Kosovës.
Kështu ka vlerësuar në një analizë dërguar gazetës “Bota sot” publicisti Gëzim Mekuli.
Ai ka shtjelluar ndikimin e dezinformimit dhe manipulimeve që synojnë të çorientojnë opinionin publik në Kosovë.
Mekuli ka thënë se propaganda Serbe është armik i heshtur që kërcënon demokracinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Po ashtu, Mekuli ka dhënë disa këshilla se si të mbrohen zgjedhjet në Kosovë nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga propaganda serbe.
“Me afrimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, shumë prej nesh pyesim se si mund të mbrohen zgjedhjet në Kosovë nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga propaganda serbe. Si mund të mbrohemi si komb politik e si shoqëri nga valët e dezinformimit dhe manipulimit që synojnë të çorientojnë opinionin publik dhe të minojnë procesin demokratik në Kosovë?
Këto janë pyetje të rëndësishme dhe thelbësore, dhe për t’u përballur me to, duhet të reflektojmë dhe të ndërmarrim hapa konkretë për të rritur ndërgjegjësimin, për të parandaluar ndikimet e huaja dhe për të garantuar pavarësinë e votës sonë”, është shprehur ai.
Sipas tij, një shoqëri që kupton rrezikun e ndikimit të huaj është më e aftë ta luftojë atë.
“Propaganda serbe është sofistikuar ndër vite dhe përdor mediat sociale, platformat online dhe madje edhe individë për të përhapur lajme të rreme dhe përçarëse. Prandaj, populli i Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm për teknikat e manipulimit dhe për qëllimet e prapaskenave të Beogradit. Edukimi mediatik është thelbësor për të ndihmuar qytetarët të dallojnë burimet e besueshme nga ato propagandistike. Ja për shembull në Norvegji dhe SHBA, pas ndërhyrjeve të dyshuara ruse në zgjedhje, janë ndërmarrë fushata masive për ndërgjegjësim publik, duke përfshirë trajnime për analistët mediatik dhe krijimin e qendrave për luftën kundër lajmeve të rreme. Dhe ky edukim mediatik fillon që në shkollat fillore”, është shprehur ai.
Mekuli ka potencuar se parandalimi fillon me identifikimin e pikave të dobëta të sistemit të informacionit dhe zgjedhjeve.
“Kosova duhet të investojë në sigurinë kibernetike për të mbrojtur procesin zgjedhor nga ndërhyrjet e jashtme. Për shembull, në SHBA, pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016, janë zhvilluar sisteme të forta për monitorimin e rrjeteve sociale dhe janë ndërtuar mbrojtje kundër sulmeve kibernetike në infrastrukturën zgjedhore. Në Kosovë, një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet parandalimit të shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe ndikimit të drejtpërdrejt nga mediat pro-serbe; të cilat shpesh përdorin narrativat e Beogradit për të destabilizuar vendin. Kjo vlenë posaqërisht për mediat që opozita e Kosovës i ka blerë apo i ka nën sundimin e vet”, ka shtuar tutje Mekuli.
Por, ai është shprehur se lufta kundër propagandës nuk është një detyrë që mund të realizohet nga një institucion i vetëm, ndërsa ka theksuar se duhet një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile (të cilat më shumë ushqejnë propagandën e opozitës se sa që merren me luftimin e propagandës së opozitës), mediave dhe organizatave ndërkombëtare.
“Ja për shembull, në Norvegji, qeveria ka krijuar një njësi të posaçme që bashkëpunon me mediat dhe platformat digjitale për të identifikuar dhe kundërshtuar lajmet e rreme. Po ashtu, Bashkimi Evropian ka ngritur një task-forcë për të luftuar ndikimin e huaj në zgjedhje. Kosova duhet të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë për të pasur qasje në ekspertizë dhe teknologji që ndihmojnë në luftën kundër ndërhyrjes së huaj”, ka potencuar ai.
Mekuli ka bërë thirrje që Kosova sa më parë të krijojë një kornizë ligjore që ndalon dhe ndëshkon shpërndarjen e qëllimshme të propagandës dhe lajmeve të rreme që synojnë destabilizimin e shtetit.
“Mediat që po veprojnë si zgjatime të propagandës serbe ose që përkrahin hapur narrativat destabilizuese serbe duhet të mbahen përgjegjëse. Për shembull, në SHBA, platformat si Facebook dhe Tëitter janë detyruar të rrisin transparencën mbi reklamat politike dhe të ndalojnë përmbajtjet që konsiderohen të rrezikshme për sigurinë kombëtare. Në Kosovë, një autoritet i pavarur duhet të monitorojë përmbajtjen mediatike dhe të ndërhyjë kur ajo shkel integritetin e zgjedhjeve.
Lufta ndaj propagandës nuk mbaron me mbrojtjen; kërkohen edhe masa aktive për të penguar dhe dekurajuar ndikimin e huaj. Kosova mund të përdorë ekspertizën teknologjike për të gjurmuar origjinën e dezinformatave dhe për t’i ekspozuar ato publikisht; dezinformatë që shpesh vjen nga opozita, analistët dhe mediat e tyre. Gjithashtu, ndëshkimi i individëve dhe mediave që përhapin propagandë me qëllim destabilizimin duhet të jetë një prioritet i republikës sonë. Për shembull, BE ka vendosur sanksione kundër mediave ruse RT dhe Sputnik, duke i ndaluar ato të operojnë në territorin e saj. Një qasje e ngjashme duhet të zbatohet edhe në Kosovë për të ndaluar portalet, televizionet, platformat dhe individët (analistët) që përçojnë narrativat destabilizuese të Beogradit.
Pse mos të fillojmë me portalet dhe me televizionet e Prishtinës dhe të Tiranës, të cilat më shumë sajojnë propagandë dhe dezinformacion kundër Qeverisë së Kosovës, se sa që merren me kundërpropagandën serbe ndaj Republikës sonë të shtrenjtë, Kosovës”, u shpreh Mekuli.
Një kritikë, profesori ka thënë se shkon edhe ndaj mediave shqipe të Tiranës dhe Prishtinës që shpesh mbështesin opozitën e korruptuar përmes narrativave serbe të shtrembëruara dhe lajmeve të paqena.
“Këto media po kthehen në zgjatime të propagandës politike serbe, të cilat jo vetëm që minojnë stabilitetin e Republikës, por edhe e privojnë publikun nga e drejta për t’u informuar saktë dhe drejtë. Kjo propagandë e tyre po krijon ndasi, polarizim dhe, më e rrezikshmja, po krijon mungesë të besimit në institucionet shtetërore; thjeshtë po i marrin popullit oksigjenin publik”, potencoi ai.
Në fund, Mekuli ftoi qytetarët që të mos bëhen “viktima të përrallave të sajuara për t’i manipuluar ata”.
“Mos e merrni si të mirëqenë çdo gjë që lexoni apo dëgjoni. Hulumtoni burimin dhe qëllimin e çdo informacioni. Hulumto kush është pronari i medias dhe me cilën parti apo me cilin oligark është e lidhur kjo media.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës duhet të marrë seriozisht rrezikun e propagandës dhe dezinformimit dhe të veprojë për të mbrojtur demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur.
Lufta kundër ndikimit të huaj është një luftë për ruajtjen e Pavarësisë dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës që e kemi fituar me sakrificë, gazep dhe gjak që nga 1878-ta”, ka përfunduar Mekuli.