Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vazhduar me propaganda dhe deklarata provokuese ndaj Kosovës.
Së fundi, deklaroi se pret që në periudhën e ardhshme, “dy shtete të mëdha, më të mëdha se Serbia, do ta tërheqin njohjen e Kosovës.
“Së shpejti do të ketë tërheqje tjera të njohjes së Kosovës. Dy shtete të mëdha, shumë më të mëdha se i joni, do ta tërheqin njohjen e Kosovës së shpejti”, u shpreh presidenti serb.
Ndonëse, kjo nuk është diçka e re nga ana e Vuçiq, mund të hidhen dyshime të ndryshme se çka në realitet fshihet pas këtij “paralajmërimi”.
Natyrshëm këtë mund ta lidhim me zhvillimet e brendshme politike në Beograd dhe presionet me të cilat po përballet qeveria serbe.
E për këtë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq
Ai tha se paralajmërimet për tërheqje të njohjes së Kosovës nga Vuçiq janë thjeshtë marketing politik i tij, për ta tërhequr vëmendjen e popullit serb në drejtim të çështjes së Kosovës.
“Çështja e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës është gjithmonë pjesë e marketingut politik në Serbi dhe shërben për t'i dhënë audiencës në Serbi përshtypjen se çështja e statusit të Kosovës është diçka që ende nuk është zgjidhur. Presidenti i Serbisë e bën këtë për t'i treguar rrejshëm audiencës se ka një lloj suksesi në politikën e jashtme sa i përket statusit të Kosovës. Megjithatë, në të drejtën publike ndërkombëtare, çështja e statusit të një shteti është një çështje e njëanshme - pasi të njihet pavarësia e një shteti, njohja e asaj pavarësie nuk mund të tërhiqet, ashtu si sapo lind një fëmijë dhe befas nuk mund të pretendohet se fëmija nuk ka lindur”.
Krahas kësaj, Stojkoviq vlerëson se nuk do ketë shtete që do ta tërheqin njohjen e Kosovës, pasi thotë se thjeshë është një propagandë.
“Prandaj, çështja e tërheqjes së njohjes së pavarësisë, që në fakt është tërheqje e njohjes së ekzistencës së shtetësisë, në fakt nuk ekziston si një çështje e vërtetë, prandaj sigurisht që asnjë shtet nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës. Dhe mendoni se si do të ishte e mundur të tërhiqni njohjen? Kujt do t'i drejtohej një deklaratë e tillë dhe me çfarë rëndësie? Deklarata e askujt nga Beogradi nuk ndikon në pavarësinë e Kosovës. Prandaj, ndërmjetësimi i propagandës ka qenë gjithmonë në pikëpyetje, dhe jo tërheqja e vërtetë e njohjes”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, avokati serb foli mbi atë se kush mund ta ndihmojë Vuçiqin në realizimin e propagandës së tij, në këtë pikë përmendi edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë.
“Prandaj, tërheqja e njohjes nuk është një çështje. Pyetja e vetme është nëse disa nga vendet do ta ndihmojnë regjimin në Beograd për të krijuar një mashtrim të tillë marketingu dhe nuk e përjashtoj që ai të vijë nga disa vende që janë shumë të ndikuar nga Rusia. Në atë rast, mund të mendohet që qeveritë e disa vendeve, pa ndonjë ndikim ndërkombëtar, ta ndihmojnë Vuçiqin në një marketing të tillë, në marrëveshje me Rusinë, aleat i së cilës është Vuçiq, gjithçka për të mashtruar sërish opinionin në Serbi duke paraqitur një lloj suksesi të jashtëm apo ndërkombëtar të Vuçiqit, sepse i duhet tani për të qetësuar protestat e mëdha të përditshme kundër tij”, përmbylli Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.