Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me zhvillimet e brendshme në Serbi, si dhe propagandën e Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës.
Së pari, ai tha se presidentit serb i ka dështuar vlerësimi në lidhje me protesat, pasi ka shpresuar që ato të zvogëlohen gjatë festave të fundvitit.
Madje, potencoi se Vuçiq po mbështet në një formulë të vjetër, për të dalur nga situata në të cilën gjendet tani.
“Ai nuk ka përgjigje ndaj pakënaqësisë, e cila sa vjen e shtohet çdo ditë.
Ai priste që protestat të zvogëloheshin gjatë festave të fundvitit, por duket se vlerësimi i tij ishte i pasaktë.
Përtej kërcënimeve dhe përdorimit të metodave të ndryshme për të diskredituar këtë lëvizje rinore, ai po përpiqet edhe një herë të mbështetet në një formulë të vjetër, kjo duke bërë thirrje për unitet nën pretekstin e kërcënimeve të supozuara, kryesisht nga Perëndimi, për të cilin ai pretendon se e ka organizuar dhe mbështetur financiarisht të ashtuquajturin "revolucion me ngjyra"”, u shpreh ajo.
Krahas kësaj, Biserko theksoi rëndësinë që ka Kosova si temë te qytetarët serbë, e të cilën Vuciq po e përdorë në këtë rast.
Megjithatë, vlerëson se nuk do t’ia dalë që të heshtë pakënaqësitë që janë për politikat e brendshme, e më së shumti për korrupsionin.
“Kosova ka qenë gjithmonë temë për të cilën të gjithë pushtetarët serbë kanë arritur të homogjenizojnë qytetarët e Serbisë.
Ai ka premtuar se këtë herë do të kthehet në Kosovë, të cilën përndryshe ia ka dorëzuar Prishtinës. Ai përpiqet ta devijojë vëmendjen drejtë Kosovës, duke pretenduar se më shumë vende janë në rrugë për ta çnjohur atë.
Për këtë një segment të opozitës e akuzon për tradhti. Megjithatë, kësaj radhe duket se mbizotëron pakënaqësia, e drejtuar kryesisht nga situata e brendshme – mbi të gjitha, korrupsioni, i cili ka shkatërruar strukturën shoqërore.
Sipas Forbes, Serbia ka 49 miliarderë në euro, gjë që flet shumë për shkallën e korrupsionit”, përfundoi Sonja Biserko për “Bota sot”.