Lirim i Hasan Dakajt, flasin për “Bota sot” familjarët e dy të burgosurve në burgjet e Serbisë

Politika

Lirim i Hasan Dakajt, flasin për “Bota sot” familjarët e dy të burgosurve në burgjet e Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 janar 2025 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Ditë më parë është liruar nga burgu në Serbi, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj.

Dakaj ishte arrestuar janarin e vitit të kaluar, në pikëkalimin kufitar në Merdarë, që lidh Kosovën dhe Serbinë. Ai po akuzohej për krime lufte.

Ndryshe nga Dakaj, dy qytetarë të Republikës së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në burgjet e Serbisë. Nezir Mehmetaj ishte arrestuat në pikëkalimin kufitar në Merdarë më 3 janar 2020.

Kurse, në dhjetor të vitit të kaluar ai është dënuar me gjashtë vite burg.

Ndërkaq, Tefik Mustafa u arrestu më 1 qershor, po ashtu në Merdarë.

Sikurse Mehmetaj, ashtu edhe Mustafa janë akuzuar për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Familjarët e Nezir Mehmetajt dhe Tefik Mustafës vazhdojnë të apelojnë se familjarët e tyre janë të pafajshëm.

Ata tregojnë se gjatë kohës kur pretendohet se kanë ndodhur këto krime lufte të afërmit e tyre nuk kanë jetuar fare në Kosovë.

Vëllai i Nezir Mehmetaj: Në pritje të drejtësisë

Vëllai i Nezir Mehmetaj, Valoni në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se e ka mirëpritur lirimin e Dakaj, ku ka shtuar se ka pesë vite që e presin një lajm të tillë për vëllain e tyre.

 “Në pyetjen tuaj në lidhje me krahasimin në mes të rastit të vëllait dhe atij të Hasan Dakaj ku unë jam ndjerë mirë kur e kam dëgjuar për lirimin e tij. Ne gjithmonë kemi pritur se një ditë do të lirohet edhe vëllai jonë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur tash e pesë vite”, ka theksuar ai.

Image
Valon dhe Nezir Mehmetaj

Ndërkaq, Mehmetaj është shprehur se janë në pritje të një përgjigje adekuate.

“Rasti i vëllait Nezir Mehmetaj është i bazuar në vendimin gjyqësor, po presim përgjigjen përfundimtare edhe pse tash janë disa arsye nga ana e drejtësisë në Serbi, shkaku i festave.  Shpresojmë dhe besojmë së do marrim përgjigje adekuate në ditët e ardhshme”, ka potencuar ai.

Për më tepër, Mehmetaj e ka cekur se vëllai i tij, Neziri është i pafajshëm dhe se vendimi ndaj tij nuk është i drejtë.

“Edhe pse gjithmonë kam apeluar se Neziri është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë fakt mbi dënimin, por sipas drejtësisë në Serbi është dhënë vendimi mbi dënimin dhe ky vendim nuk është i drejtë sepse ish dashtë që të jetë vendimi për lirimin e Nezirit, diçka e merituar e drejtë dhe humane”, ka thënë Mehmetaj.

Djali i Tefiki Mustafës:  Shpresojmë që të lirohet me 20 janar

Në anën tjetër, djali i Tefikit, Qamil Mustafa ka folur për arrestimin e babait të tij nga Serbia.

Image
Qamil Mustafa

“Babën tim e kanë arrestuar me datë 1 qershor 2024. Kjo ditë ka qenë ditë e shtunë dhe shpresat ne i kemi pasur se babën tonë, gjithsesi, kanë me liru me datë 3 qershor, ditën e hënë, por kjo nuk ndodhi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Mustafa ka shtuar se babai gjatë kohës së luftës ka qenë duke punuar në Gjermani, dhe se kjo aktakuzë e cila është ngritur kundër tij është trilluar.

“Arsyeja që ne kemi shpresuar qe e lirojnë, ne kemi qenë të bindur se baba jonë nuk ka qenë pjesë e luftës dhe ai para luftës ka qenë duke punuar në Gjermani. Dhe sipas nesh aktakuza që ngarkohet baba jonë është një aktakuzë e trilluar dhe e montuar gjoja se baba im i ka vra dhe kidnapuar tre policë serbë në vitin 1999, pa asnjë fakt dhe dëshmi. Prindi jonë po mbahet padrejtësisht në burgjet e sigurisë se lartë në Beograd”, ka shpjeguar ai.

Ndërkaq, ai ka thënë se kanë shpresa që babai i tij, Tefiku do të lirohet së shpejti.

“Po ne shpresojmë se me datë 20 janar, sipas informatave që ne kemi ai do të lirohet. Arsyeja ne kemi bërë pagesa të shumta për lirimin me datë 20 janar. Ju kisha lutë që të bëni pyetje edhe organeve shtetërore çka kanë bërë për të burgosurit?, a kanë qenë  ndonjëherë te familjarët e tyre t`i pyesin: a ka nevojë ndonjë trajtim mjekësor për familjarët, a kanë për të ngrënë apo për të pirë, a kanë rënë në depresion, apo a kanë ndonjë hall familjarët”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë sakrifica kanë bërë familjet e personave që kanë familjarët në burgjet e Serbisë, duke e cekur çfarë kanë bërë për babin e tyre. 

“Mjerë ata familjarë të cilët janë përballuar me këto probleme, unë mund të ju them se familja ime në tërësi jemi në depresion dhe nuk jemi mirë. Deri më tani askush nuk na ka vizituar as nuk ka ardhur të na pyesin, të vetmit jeni ju si gazetarë, si portale dhe televizione. Zoti ju shpërbleftë! Ju ruajt! Respekt për ju! Ne çka kemi pasur në dispozicion kemi shitur, kemi hyrë në borxhe, vetëm e vetëm mos të mbetet pa mbikëqyrje baba jonë dhe kemi bërë çmos që të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, është shprehur Qamili, djali i Tefik Mustafës.

Burjani: Serbia nuk e pranon realitetin

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka deklaruar për “Bota sot” se me këto arrestime Serbia po vazhdon që mos ta pranoj realitetin.

“Arrestimi i vazhdueshëm i qytetarëve të Kosovës nën dyshime për krime nga ana e Serbisë është mospranim i Serbisë të realitetit 25 vjet pas lufte, mos pranim të krimeve ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Burjani ka shtuar se Serbia nuk do të pendohet për krimet që ka bërë në Kosovë.

“Përndjekja e njerëzve që kanë luftuar kundër regjimit të Millosheviçit dhe Serbisë është rezultat i kësaj që bën Serbia, tenton me njëjtësu viktimën me xhelatin, kjo është e  papranueshme, pra Serbia vazhdon t`i bëj me dije të gjithëve edhe komunitetit ndërkombëtar që asnjëherë  nuk do të pranoj një realitet tjetër në Kosovë, dhe se asnjëherë nuk do të pendohet për krimet që ka bërë në Kosovë. Kjo është mangësi që perëndimi nuk ia ka përmendur, ku Serbia ka bërë krime dhe edhe sot nuk është në gjendje t`i pranoj krimet e bëra, nuk po kuptohet atë me normalizu marrëdhëniet me një shtet të tillë, Serbia që nuk pranon vrasjet që i ka bërë në Kosovë”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat