“Fundi” i Lajçakut, Maloku flet për ndryshimet që e presin dialogun Kosovë-Serbi – tregon se çfarë emisari i duhet këtij procesi

Politika

“Fundi” i Lajçakut, Maloku flet për ndryshimet që e presin dialogun Kosovë-Serbi – tregon se çfarë emisari i duhet këtij procesi

Nga: A.M. Më: 7 janar 2025 Në ora: 12:21
Mirosllav Lajçak

Mandati i emisarit sllovak, Miroslav Lajçak në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë në më pak se një muaj.

Mirëpo, ndonëse kanë mbetur pak kohë ende nuk dihet saktë se kush do zë vendin e tij.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, danezi Peter Sorensen, ish-ambasador i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe Pekka Haavisto ish-ministër i jashtëm i Finlandës, janë emrat që janë lakuar më së shumti për të marrë këtë pozitë.

Megjithatë, së fundi nga kjo ‘garë’ u largua Pahor, i cili edhe tregoi arsyet e tërheqjes së tij.

Ai nuk i kurseu as kritikat ndaj BE-së dhe qasjes ndaj këtij procesi negociues.

“Nëpërmjet bisedave të panumërta joformale, përfundimisht mu bë e qartë se ata po kërkonin një diplomat, jo një politikan, si një të dërguar special. Ky është sigurisht një vendim legjitim, por vazhdon një politikë e dialogut teknik, e cila nuk është dëshmuar shumë mirë”.

E në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi emisarin e ri që pritet të vijë në këtë proces, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku.

Image
Albinot Maloku.

Së pari, ai ndërmjetësimin e procesit të këtyre bisedimeve nga ana e Lajçak e cilësoi si dështim.

Në këtë pikë, kritikoi BE-në për përzgjedhje të emisarëve nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e për këtë kërkoi që emisari i ri të ketë një vision të qartë.

“Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndermjetësimin e BE-së e nën lehtësimin e diplomatit Miroslav Lajçak ishte fund e krye dështim. Por, kjo nuk ndodhi vetëm për shkakun e dyshës Borell e Lajçak që dialogu ishte i tillë, duke u nisur nga faktit se vinin nga vende mosnjohëse të shtetit të Kosovës, por nga se Bashkimi Evropian nuk pati një vizion më produktiv e të konkretizuar. Përzgjedhja e emisarit të ri të BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, do të duhej paraprir me një vizion më të prekshëm e të konkretizuar nga ana e BE, ndërsa lehtësuesi vetëm të ndjek këtë vision”, deklaroi Maloku.

Gjithashtu, analisti politik foli edhe për mos aplikimin e Pahor për të zëvendësuar Lajçakun, e që sipas tij as ish-presindeti slloven nuk ka qenë i duhuri për këtë pozitë.

“Kushdo qoftë pasuesi i Mirsollav Lajçkatu, nëse BE vazhdon të jetë siç ka qenë në raport me Kosovën e Serbinë do të jetë asgjë. Ndërsa, Borut Pahor edhe pse ka shprehur vullnetin që moti për pozitën e lehtësuesit të dialogut duke qenë njeri që pas tij ka një karrierë të mirë, ka marrë disa vendime që kanë qenë të një rëndësie të madhe për marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Kroacisë, e që Kroacia pas marrëveshjes së saj për kufirin me Sllovenin eci përpara drejt BE-së, nuk është se ka qenë i duhuri për pozitën në fjalë”.

Sipas tij, emisari i ri duhet të jetë nga njëri prej shteteve më të forta të BE-së, jo nga shtetit slloven.

“Bazuar në nevojat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e një dialogu me dinamik e pangarkesa mendoj se ndërmjetësuesi do të duhej të ishte dikush tjetër, nga ndonjë vend tjetër me peshë më të fortë e më të madhe brenda BE-së, dhe jo dikush nga Sllovenia. Në instancë të fundit një personalitet, veprimet e të cilit nuk merren as në Kosovë e as në Serbi si armiqësi”, përmbylli Albinot Maloku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat