‘Alarm’ nga veriu, kërkohet shtimi i trupave të NATO-s – ekspertët tregojnë çfarë fshihet pas këtij rekomandimi

Politika

‘Alarm’ nga veriu, kërkohet shtimi i trupave të NATO-s – ekspertët tregojnë çfarë fshihet pas këtij rekomandimi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 janar 2025 Në ora: 17:58
Trupa të KFOR-it në veri

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë “pikë e nxehtë”, kjo për shkak të provokimeve, kërcënimeve dhe politikave fashiste të Serbisë.

Në këtë pjesë të vendit shpesh ka sulme, incidente, të cilat shkaktohen nga grupet kriminale serbe me qëllim të destabilizimit të situatës.

E së fundi, këto incidentet në veri të Kosovës janë kthyer në kambanë alarmi për komunitetin ndërkombëtar sa i përket seriozitetit të sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor.

Kjo gjë u konstatua edhe në një raport të fund-vitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Autori i këtij dokumenti, lordi nga Britania e Madhe, Mark Lancaster, theksoi disa shkaqet dhe shtytësit aktualë të sfidave kryesore të sigurisë.

Madje, Kosova bashkë me Bosnjë-Hercegovinën konsiderohen si vende me potencial të lartë dhune për shkak të çështjeve ndëretnike dhe raporteve me Serbinë.

Duke iu referuar rreziqeve, në këtë raport u rekomandua që NATO-ja ta konsiderojë shtimin e trupave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

“Prania e forcave të NATO-s në Kosovë mund të përforcohet akoma duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në terren e rajon: Aleatët dhe BE-ja mund të punojnë së bashku për të siguruar forca më të përshtatshme për qëllimet e tyre në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Vëmendja e aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – prioritet kanë potencialisht më shumë forca, të pozicionuara siç duhet. Operimi i KFOR-it ka një rol të rëndësishëm, që shtrihet përtej frenimit të dhunës, pasi shërben gjithashtu si një kanal për kontakt pozitiv dhe ndërtim besimi me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi”, shkruan në raport.

Aty përshkruhet edhe procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, duke konstatuar se në parim si çështje i takon Kosovës, por përmendet edhe deklarata e ish-sekretarit të NATO-s që kishte deklaruar se vendimi “nuk ishte në kohën e duhur” dhe nuk ishte gjithëpërfshirës.

Dashevci: Çdo shtim i trupave është sukses dhe ndihmë konkrete për vendin tonë, sepse po ballafaqohemi ende me sfida

Image
Arben Dashevci

E në lidhje me rekomandimin për shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë, ka folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se kjo është një gjë pozitive, pas zhvillimeve të fundit në veri, si dhe protestave dhe problemeve të brendshme në Serbi.

“Rekomandimi i shtimit të trupave të NATO-s në Kosovë nëse paraqitet nevoja është i mirëseardhur mendoj unë, kjo duke pas parasysh sfidat që po kalon Republika e Kosovës nga qarqet destruktive, që lënduan sigurinë publike dhe kombëtare të vendit tonë, në shumë raste që i kemi përmendur më përpara në portalin tuaj të nderuar.

NATO është garantuesi i paqes në rajon dhe ne jemi nën ombrellën e NATO-s, pra kemi misionin e saj në Kosovë.

Pushteti në Serbi ka probleme të mëdha të brendshme, ballafaqohet atje me protesta të papara deri më sot, dhe ata tentojnë ta zhvendosin vëmendjen, ta destabilizojnë Ballkanin duke mbuluar problemet e brendshme të tyre”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, eksperti potencoi faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “gacë e nxehtë”, kjo duke marrë parasysh veprimet e Serbisë dhe lidhjet me Rusinë.

Për këtë, ai vlerësoi se shtim i trupave në Kosovë është ndihmë për vendin tonë.

“Kosova është anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe kjo tregon përkujdesje për në si shtet dhe qytetarët pa dallim.

Pra, çdo shtim i trupave është sukses dhe ndihmë konkrete për vendin tonë, sepse po ballafaqohemi me sfida ende nga ata që nuk ia duan të mirën Ballkanit Perëndimor dhe vendit tonë. Ne jemi në Ballkanin Perëndimorë, ku njihet si gacë e nxehtë, dhe preventiva nuk ka alternativë në parandalimin e çfarëdo lloji të rreziqeve nga ato qarqe që kemi përmendur sa e sa herë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Parandalim i eskalimit të situatës

Image
Hysen Gecaj

Kurse, në lidhje me këtë çështje foli edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se ky është sinjal që ndërkombëtarët po e vëzhgojnë situatën në veri.

Madje, përmendi edhe disa mënyra si mund të interpretohet ky rekomandim, ku prej tyre janë: parandalimi i eskalimit të situatës, sinjalizim për rreziqe të mundshme, etj.

“Rekomandimi për shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë është një sinjal i qartë se komuniteti ndërkombëtar e vlerëson situatën në veri të Kosovës dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor si një sfidë të vazhdueshme për stabilitetin rajonal. Ky veprim mund të interpretohet në disa mënyra:

1. Parandalim i eskalimit të situatës

NATO-ja synon të parandalojë përkeqësimin e situatës në terren duke dërguar një mesazh të fortë për angazhimin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Prania e shtuar ushtarake do të mund të dekurajojë aktorët që synojnë destabilizimin, duke ofruar siguri për qytetarët dhe duke forcuar institucionet vendore.

2. Sinjalizim për rreziqe të rritura

Incidentet e fundit, përfshirë tensionet në veri, tregojnë se ekziston potencial për përshkallëzim. Shtimi i trupave është një reagim ndaj kësaj dhe një përpjekje për të parandaluar që këto tensione të shndërrohen në konflikte më të mëdha.

3. Dinamika rajonale dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm

Rekomandimi gjithashtu reflekton shqetësimet për ndikimet e jashtme, siç janë Rusia dhe Serbia, në destabilizimin e rajonit. NATO-ja, si garantuese e sigurisë në Kosovë, duket e përgatitur për të adresuar këto sfida duke forcuar praninë e saj në terren”, shtjelloi ai.

Po ashtu, Dashevci këtë e cilësoi edhe si thirrje për vigjilencë dhe sinjal që ndërkombëtarët janë të gatshëm për të parandaluar përshkallëzim të situatës.

“Po, ky zhvillim është një kambanë alarmi, por më shumë si një thirrje për vigjilencë dhe përkushtim të mëtejshëm në ruajtjen e stabilitetit. Për Kosovën, kjo tregon se ndërkombëtarët i shohin zhvillimet e fundit me seriozitet dhe janë të gatshëm të veprojnë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës”.

Në fund, eksperti shtoi se rreziku për përkeqësim ekziston, dhe për këtë kërkoi nga Kosova koordinim me ndërkombëtarët.

“Jo domosdoshmërish. Shtimi i trupave mund të jetë një masë parandaluese dhe jo një përgjigje ndaj një përkeqësimi të pashmangshëm. Megjithatë, duhet pranuar se situata mbetet e ndjeshme dhe pa adresimin e duhur të tensioneve politike dhe etnike, rreziku për përkeqësim ekziston. Kjo gjithashtu nënkupton nevojën për përpjekje më të mëdha nga institucionet e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe për të ndërtuar besim brenda vendit”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat