A mund “të përfitojë pikë” Kosova në dialog nga protestat masive në Serbi?

Politika

A mund “të përfitojë pikë” Kosova në dialog nga protestat masive në Serbi?

Nga: N.E Më: 7 janar 2025 Në ora: 22:16
Foto ilustrim

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është duke u përballur me protesta masive tash e disa muaj.

Protesta kundër regjimit të tij tashmë kanë marrë hov në të gjitha anët e vendit dhe duket që ai është nën presion të madh.

Aktualisht janë të bllokuara mbi 40 fakultete – të cilat funksionojnë brenda universiteteve të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit. Përpos, pakënaqësisë me gjendjen sociale, ekonomike dhe politike, protestuesit janë duke kërkuar, të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku pas shembjes së kulmit vdiqën 15 persona. Kurse, kohë më parë, po ashtu Serbia, ishte përballuar me valë të pakënaqësive masive të brendshme për shkak të prostatave nga grupet ambientaliste kundër nënshkrimit të marrëveshjes për shfrytëzimin e elementit kimik së të litumit në luginën e Jadrës, për nevojat ekonomike të industrisë automobilistike gjermane. Parulla më të njohura kundër liderit serb janë ato se regjimi i tij i ka “duart e përgjakura”.

Beogradi nuk ka parë protestë më masive që nga viti 2000, kur Sllobodan Millosheviq u përmbys nga pushteti.

Kështu thotë profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq, i cili flet për protestat në rrugët e kryeqendrës së Serbisë kundër Vuçiqit dhe qeverisë atje.

Ai shprehet se ka krizë qeveritare dhe këto protesta nuk do të ndalen lehtë.

“Në Serbi po zhvillohet një protestë, e cila do të thosha se është më e madhja që kemi parë në 12 vitet e fundit që kur Partia Progresive Serbe dhe Vuçiq erdhën në pushtet. Kjo, siç e dini, është iniciuar dhe motivuar nga shembja e një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad, e cila vrau 15 persona në vend, përfshirë fëmijë, fëmijë te shkollës dhe madje fëmijë nga kopshte, kështu që e gjithë kjo ka zbuluar një plan të madh korrupsioni, i cili fillon do të thosha me marrëveshje sekrete me marrëveshje ndërqeveritare me Kinën dhe pastaj kontrata sekrete me kompanitë kineze, të cilat më pas e jashtësojnë biznesin e tyre, kryesisht bizneset e ndërtimit, tek kompanitë lokale, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me rrethin e brendshëm të ndihmësve të Vuçiqit…Faktikisht, i gjithë plani i korrupsionit u zbulua brenda një sekonde, dhe kjo është e hapur dhe lehtësisht e dukshme, kështu që ajo që po ndodh është një protestë e vazhdueshme, e cila kulmoi këtë të diel”, deklaron ai.

Ndërsa, publicisti dhe autori i shumë shkrimeve për rajonin, Serbinë dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se janë dy administrate amerikane që po ndikojnë në zhvillimet globale.

Sipas tij, protestat masive janë ende në fazën e një revolte dhe kërkesë të përgjegjësisë.

“Në fakt, janë dy administrata amerikane që po ndikojnë në zhvillimet globale dhe të cilat po reflektohen edhe në rajonin tonë dhe në politikën e vendeve të rajonit, përfshi këtu edhe Serbinë e cila ndodhet në një gjendje konfuzioni. Administrata në ikje dhe ajo në ardhje që po përfshihet me deklarata dhe emisarë po ndikojnë në drejtime të kundërta dhe kështu duhet kuptuar edhe zhvillimet në disa vende që gjenden në zonat e ndikimit apo presionit rus.

Protestat masive janë ende në fazën e një revolte dhe kërkese të përgjegjësisë për tragjedinë në Novi Sad por opozita serbe është e pa bashkuar dhe e pa artikuluar lidhur me të ardhmen e Serbisë. Kjo paqartësi, konfuzion vërehet edhe në skenën politike të Kosovës, ku opozita është e pa artikuluar politikisht dhe në një përpjekje të çuditshme për të rrëzuar një qeveri për korrupsion ndërkohë që korrupsioni ishte arsyeja përse edhe kishin rënë nga pushteti. Agjenda e opozitës në Serbi dhe Kosovë por edhe në rajon është e paqartë dhe shpërfaqë vetëm një dëshirë të papërmbajtur për pushtet dhe qasje te paraja publike prej nga i kishin larguar me votë”, shprehet Lepaja.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij, Vuçiq përpiqet që edhe me administratën e re amerikane ta mbajë mirë, por ai shton se këta të fundit do ta testojnë Serbinë.

“Vuqiç po përpiqet që edhe me administratën e re ta mbajë mirë, po përpiqet të ikë nga sanksionet ndaj naftës dhe gazit rus në Industrinë e Naftës së Serbisë duke i blerë aksionet ruse në kompani por kjo nuk dihet si do të përfundojë. Padyshim se administrata e re amerikane do të testojë përmes Serbisë dhe Ballkanit edhe kapacitetet dhe vullnetin për zgjidhjen e krizave dhe luftërave sidomos asaj në Ukrainë, por vështirë se do të ketë ndonjë lider serb më të gatshëm për negociata se presidenti aktual serb, aq më tepër që oferta e opozitës serbe për Kosovën dhe rajonin vështirë se dallon nga kjo e Vuqiç. Sidoqoftë me 20 janar, me ardhjen e Trump në pushtet do të shihet më qartë nëse për politikën e re kërkohen edhe ndërrime në politikat dhe me liderët rajonal”, thekson publicist.

Në fund, ai konsideron se Vuçiq, Rama dhe Kurti janë në tension për drejtimet e administratës së re.

“Vuqiç, Rama, Kurti, gjithsesi janë në tension lidhur me drejtimet e administratës së re. Vuqiq do donte ndërrim të kufijve dhe asociacionin për pjesën e mbetur, ndërsa Kurti do donte, nëse kufijtë lëvizin të krijohen shtetet nacionale. Sido që të jetë vendeve të vogla u mbetet të orientohen me erërat globale dhe të ngrejnë velat sipas tyre, për të mbërri aty ku duan”, përfundon Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat