Mandati i emisarit sllovak, Miroslav Lajçak në ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë në më pak se një muaj.
Mësohet se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.
Megjithatë, së fundi nga kjo garë u largua Pahor, i cili edhe tregoi arsyet e tërheqjes së tij.
E në lidhje me situatën që mund të përballemi për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Ai thotë se Lajçak në mandatin e tij nuk ka arritur të bëjë progres drejt dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij, një pozicion i tillë duhet t'i besohet një diplomati me përvojë nga BE-ja.
“Arsyet se ish-presidentit dhe ish-kryeministrit slloven, Borut Pahor për tërheqjen e kandidaturës së tij në pozicionin e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi ishin se ai u akuzua se e favorizon më shumë Serbinë, gjë që ai hodhi poshtë këto akuza.
Sa i përket periudhës së emisarit të deritanishëm, Miroslav Lajçak, mendoj se nuk është arritur ndonjë progres drejt dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, e që favorizimi i njërës anë (Serbisë) nga Lajçaku nuk është se s'ka ndodhur.
Një pozicion i tillë duhet t'i besohet një diplomati me përvojë nga BE-ja, e jo aq shumë favorizimi i ish-politikanëve të rajonit e më gjerë të cilët kanë mbi dy dekada në skenën politike, pasi që karriera e tyre politike përfundon me mbarimin e mandatit të fundit”, u shpreh ai.
Më tej, Shabani thotë që duhet të i jepet më shumë rëndësi normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Gjithashtu ai përmend forcimin e lidhjeve të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
“Fatkeqësisht, më shumë po diskutohen figurat sesa problemi që duhet zgjidhur, e që është normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, njohja e pavarësisë së Kosovës dhe funksionimi i një rajoni stabil.
Politika e zgjerimit të BE-së duhet të jetë në fokus për anëtarësimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, pasi që kjo është mënyra e vetme e fuqizimit, rritjes së popullsisë dhe zhvillimit ekonomik të BE-së, si dhe jo më pak e rëndësishme - rritja e sigurisë, paqes dhe stabilitetit nga ndikimet e jashtme. Në të kundërtën, sikur edhe vet Serbia të lihet jashtë anëtarësimit, atëherë gjasat për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe Kinën me qëllim destabilizimin dhe krijimin e konflikteve në rajon, do jenë më se të mundshme”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.