Lajçak largohet pas katër vitesh, pasuesi i mundshëm i dialogut Kosovë-Serbi në duart e Kaja Kallas?

Politika

Lajçak largohet pas katër vitesh, pasuesi i mundshëm i dialogut Kosovë-Serbi në duart e Kaja Kallas?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 janar 2025 Në ora: 11:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas

Më 31 janar i skadon mandati ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë se kush do ta pasojë Lajçakun.

Edhe pse jo ende zyrtarisht, në media u raportua diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.

E analsitët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, thonë se Lajçak do të duhej qysh moti të largohej nga dialogu Kosovë-Serbi, pasi e ka dëshmuar vetën se është një diplomat i dobët dhe i njëanshëm.

Diplomat i dobët

Se paku kështu thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Miroslav Lajçak në fakt duhej ta kishte mbaruar mandatin e tij në momentin që u zgjodh Komisioni i ri i Bashkimit Evropian. Por ai deklaroi që në verën e vitit të kaluar se do të ishte në këtë detyrë deri në fund të janarit 2025. Shtesa e kohës u duk si ato shtesat në futboll, të cilat nuk e ndryshojnë rezultatin dhe për pasojë shkohet te gjuajtjet e 11 metërshit! Lajçak ishte lojtar me kohë të plotë dhe me kohë shtesë, por edhe lojtar i dobët në diplomacinë e zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo ndodhi se ai nuk ka ndonjë dallim nga kryeministri i sotëm sllovak de pikëpamjet e tij pro-ruse. Ose mund të ketë një dallim të paqenësishëm”, thotë Bytyçi.

Ai thotë se kur Miroslav Lajçak e mori para katër vitesh këtë detyrë kishim rrethana të tjera gjeopolitike për dallim nga sot.

“Shumë politikanë dhe diplomatë evropianë mendonin se diplomacinë e zgjedhjes së konflikteve në Ballkan duhet t’ua keni elementëve të besueshëm të Putinit. Menduan me naivitet se do ta zbusnin presidentin rus me veprime të tilla. Në fakt i dhanë Rusisë dhe Serbisë një ndihmë të paçmueshme. Sepse në vend të zgjidhnin ndonjë gjë, e thelluan edhe më shumë këtë konflikt. E inkurajuan Beogradin dhe Moskën që të udhëheqin akte terroriste në Kosovë. Dhe në vend të ndëshkonin autoritetet e Serbisë për aktet terroriste, me propozimin e njerëzve të Moskës në Bruksel, përkatësisht të Borrell dhe Lajçak, i vunë masa ndëshkuese viktimës së terrorizmit serb, Kosovës”, nënvizon Bytyçi.

Bytyçi thotë se Lajçak do kujtohet thjesht si një diplomat i korruptuar politikisht dhe i padrejtë.

“Tani Lajçak do të iki. Si një diplomat që para se të shkonte nga Prishtina në Beograd ndalonte e takohej në Lepsaviq me terroristin e veshur si politikan, Milan Radoiçiq! Gjithçka që ka ndodhur në Kosovë gjatë këtyre viteve e për të cilat është fajësuar e fajësohet më së shumti Albin Kurti, në fakt është pasojë e qëndrimeve të Miroslav Lajçak dhe Joseph Borrell. Ndaj dhe Kosova duhet të gëzohet nga ikja e tij. Mos e pafshim më as si turist në Kosovë!”, thekson Bytyçi, sipas të cilit, pasuesi i Lajçakut duhet të jetë nga vendet e BE-së të cilat e kanë njohur Kosovën.

“Sigurisht që dikush tjetër do ta zëvendësojë zotin Lajçak në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ky dikush tjetër nuk besoj të vijë sërishmi nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Derisa Kaja Kallas i takon një vendi armiqësor me Rusinë. Vetë ajo ishte kryeministre dhe me një qëndrim të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Kjo do të thotë se përzgjedhja e propozimi i saj për një interlocutor të ri në bisedimet e ardhshme të jetë i racës së vet. Por deri më sot nuk kemi asnjë info, se ajo ka propozuar dike për të ndërmjetësuar në dialogun në fjalë. Ne nuk e dimë nëse ajo do t’i udhëheqë këto bisedime, nëse cakton një diplomat tjetër, apo do t’ia delegojë ati/asaj edhe udhëheqjen e tyre”.

Por kush mund të jetë pasuesi i Miroslav Lajçakut?

“Unë parandiej se zonja Kallas nuk do të emërojë dike për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. Ka shumë mundësi që ajo ta marrë vetë përsipër këtë rol, në modelin e zonjës Ashton dhe Mogherini. Natyrisht ndryshe nga Frederica. Nëse ajo e merr përsipër vetë drejtimin e dialogut të Kosovës me Serbinë atëherë shtohen gjasat se do të rritet presioni ndaj Beogradit dhe jo ndaj Kosovës. Në fakt ato ngjarje që po ndodhin në Serbi, me protestat e fuqishme kundër Aleksandër Vuçiq dëshmojnë se karrotat për Beogradin kanë mbaruar. Tani i ka ardhur rendi përdorimit të shkopit diplomatik. Edhe paralajmërimi për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë në Nish që sjell gazin rus në Serbi është sinjal i qartë se ka mbaruar karburanti për makinerinë mashtruese të Aleksandër Vuçiq”.

“Nuk mund të mendohet se dialogun do ta drejtojë dikush më i anshëm sesa Miroslav Lajçak. Nuk do të ndodhë kjo edhe për arsyen e thjeshtë se çdo padrejtësi shtesë për Kosovën do të cenojë rëndë balancat dhe kësisoj do të vihen në pikëpyetje paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon. Në fakt Vuçiq do ta dëshironte shumë një situatë destabiliteti dhe konflikti të ri për shkak të problemeve të brendshme që ai ka në Serbi. Por nuk besoj se kjo dhe të ndodhë. Për këtë nuk do të ishin dakord as në Bruksel, as në Uashington”, shton Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shprehet se Kosova duhet të jetë e përgatitur, pasi jo çdo gjë do të jetë në favor të saj.

“Megjithatë nuk duhet menduar se në këto dy qendra të vendimmarrjes gjithçka do të jetë në favor të Kosovës. Opsionet, sipas meje, janë aty. Këto opsione po testohen. I testoi Ursula von der Leyen me hartën, ku Kosova fshihej si shtet. E testoi edhe ambasadori i BE-së në Prishtinë me kërkesën e tij për zgjidhjen e statusit të veriut të Kosovës. Çfarë do të thotë status i komunave të veriut? Ai nuk e shpjegoi. Pra, do të thotë se opsionet diskutohen në Bruksel. Madje pa dijeninë dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës. Ky është një alarm shtesë që shqiptarët në Kosovë të mos gabojnë së paku kësaj radhe në votimet e 9 shkurtit!”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

Njëanshmëria e Lajçakut

Kurse analisti Nexhat Haziri thotë se Miroslav Lajçak është njëri nga fajtorët pse ka ngecur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lajcak do të lë mandatin e tij si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pa ndonjë rezultat konkret, përkundër marrëveshjeve të dakorduara në mes palëve si ajo në Bruksel e më pas edhe sekuencimi i saj në Ohër, marrëveshje këto që nuk kanë gjetë zbatim në teren. Përtej kësaj një nga faktorët që procesi i dialogut Kosovë-Serbi që nuk ka sjellur normalitet marrëdhëniesh e raportesh me dy vendeve fqinjë është pa dyshim njëanshmëria e Mirosllav Lajcak, e cila jo rrallë herë është shfaqur hapur edhe si rezultat që z. Lajcak, përkundër që përfaqësonte politikën e BE-së, ai vinte nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën si shtete, Sllovakia, dhe kjo mendojë se ka pasur një rol jo të vogël në njëanshmërinë e emisarit Lajcak”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, duhet një riformatim i plotë i dialogut Kosovë-Serbi.

“Andaj Brukseli duhet të mendoj që për të pasur suksese në vazhdimin e dialogut, për emisar ta caktoj dikë që vërtetë paraqet neutralitet në këtë proces, dikën që vija nga shtete që e ka njohur Kosovën dhe që ka peshë edhe në vendimmarrjen në institucionet e larta të Brukselit. Por, e kam thënë edhe më parë se duhet t’i riformatizohet dhe afatizohet procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë më dinamik dhe poashtu të ketë edhe mekanizëm të presionit të palët, përndryshe një proces i tillë siç ishte në këto 11 vite, nuk do të jep rezultat dhe se Serbia do të vazhdojë për ta penguar këtë proces duke provokuar dhe mbajtur nën tension marrëdhëniet me Kosovën, pasi çdo Beogradi zyrtar ka për qëllim që ta dështoj këtë proces dhe mos të ketë rezultate konkrete të cilat do të ishin në favor të Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat