Nga zgjedhjet e 9 shkurtit na ndajnë edhe një muaj, ndërsa fushata zyrtare zgjedhore nis më 11 janar.
Partitë politikë po vazhdojnë premtimet dhe vizitat e shumta këto ditë, duke mos lënë anash as deklaratat e mëdha që po bëjnë.
E së fundmi në një intervistë për zgjedhjet e radhës ka folur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai u shpreh i bindur për një fitore të radhës duke paralajmëruar edhe opozitën për humbjen që do të pësojnë.
Për të mos mjaftuar paralajmërimin e fitores, Kurti tregoi që nuk do të bëjë koalicione me asnjë parti politike, kjo sepse do të ketë shumicën e votave.
Por ajo që mori vëmendjen këto ditë ishte deklarata e Kurtit se pret që partia e tij ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, dhe se pritjet për gjysmë milioni vota janë reale.
“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, thotë Kurti.
Në lidhje me këto vota ka shkruar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka shkruar se 500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista Serbe dhe elita e vjetër e korruptuar.
“500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista serbe e elita e vjetër e korruptuar. Është fuqia për të vazhduar reformën tonë të thellë përpara. Vazhdojmë garën për 500k vota”, ka shkruar ajo.
Të gjendur në këtë situatë si vlerësohet ky qëllim i LVV-s që ka marr përmasa edhe në rrjetet sociale ku po kërkohen 500k nga eksponentët e saj?
Mehazi: LVV mund të fitojë 500 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.
Ai thotë se LVV mund të tejkalojë 50% të votave që fitoi në vitin 2021.
Sipas profesorit fatkeqësia më e madhe shtetërore e Kosovës do të ishte nëse shumica e qytetarëve nuk e votojnë Albin Kurtin.
“Nëse LVV-ja e Albin Kurtit ka marrë mbi 50% të votave gjatë 2021 me veriun e sunduar dhe të okupuar nga Lista terroriste serbe, pse gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit partia e LVV-së mos të tejkalonte shifrën e mbi 60% të votave me veriun tërësisht të çliruar nga bandat kriminale të Listës serbe të Vuçiqit në krye me kryeterroristin Radojçiqin?
Fatkeqësia më e madhe shtetërore e Kosovës do të ishte nëse shumica e qytetarëve nuk e votojnë Albin Kurtin gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, nëse ndodh e kundërta, që qytetarët të votojnë për opozitën atëherë jo që do jenë kundër vetvetes, por edhe kundër sovranitetit të plotë të Kosovës, nëse partisë së LVV-s nuk i jepet forca e 500 mijë votuesve atëherë kush e cila prej partive opozitare do ta mbronte aq denjësisht veriun e Kosovës”, foli profesori.
Më tej, Mehazi përmend disa nga të arriturat që Kurti ka bërë gjatë qeverisjes së tij, duke mos lënë anash edhe mbrojtjen e sovranitetin e Kosovës.
“Cili ishte ai që largoi terroristët serb të veriut?, ai është kryeministri Kurti; cili ishte ai që eliminoi Listën serbe nga qeveria e Kosovës?, është Kurti; cili ishte ai që çliroi katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga terroristët e Radojçiqit?, është Kurti; cili ishte ai që luftoi korrupsionin e që shkatërroi krimet zhvatëse të Kosovës nga bandat kriminale serbe- shqiptare në veri të vendit? është Kurti, kush ishte ai që largoi nga territori i Kosovë letërnjoftime e pasaportat serbe, targat e bankat serbe?, është Kurti; kush është ai që politikisht i rri në ballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës nga asociacionet serbe të Vuçiqit?, është kryeministri inteligjent i Kosovës, Albin Kurti.
Nëse qytetarët e Kosovës, Albin Kurtit, nuk ia japin peshqeshin politik të gjysmë milionë të votave atëherë le të përgatiten për peshqeshin e gjysmës së territorit të Kosovës Serbisë së Vuçiqit”, foli Mehazi për “Bota sot”.
Mehmeti: Besoj se s’do të ketë shumë ndryshim nga zgjedhjet e 2021
Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet skeptik nëse do të fitojë 500 mijë vota LVV, mirëpo që do të ketë fitore të saj në këto zgjedhje.
“Nuk besoj se VV do të mund të marr më shumë vota se në 2021, pavarësisht pretendimeve të Albinit. Dhe është normale që të ketë këso pretendime mirëpo është vështirë që të arrihet një gjë e tillë.
VV e ka të sigurt fitoren mirëpo jo të shkojë më shumë së në 2021, aq më tepër që të ketë 500 mijë vota që do të ishte diku 65 %, çka është e pamundur”, thotë ai.
Analisti në fund, nënvizon që nuk do të ketë ndryshime të zgjedhjeve të 9 shkurtit nëse krahasojmë me të 2021.
“Besoj se s’do të ketë shumë ndryshim nga zgjedhjet e 2021, mirëpo të presim dhe të shohim çfarë do të ndodhë më 9 shkurt”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.