Zgjedhjet e 9 shkurtit, analistët: Pritet ashpërsim i gjuhës politike pas nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore

Politika

Zgjedhjet e 9 shkurtit, analistët: Pritet ashpërsim i gjuhës politike pas nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 janar 2025 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht të shtunën më 11 janar dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt, derisa qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt.

Por, gjuha, linçimet e akuzat kundrejt njëri-tjetrit veçse kanë nisur, derisa kjo gjuhë e përdorur nga partitë politike është mjaft e ashpër.

Analistët për “Bota sot”, dhanë mendime të ndryshme sa i përket ashpërsimit të gjuhës gjatë fushatës zgjedhore mes partive politike.

Lama: Prej 11 janarit fillon lufta e vërtetë dhe unë pres ashpërsim të gjuhës

Image
Alma Lama

Alma Lama, ish-ambasadore dhe njohëse e politikës, thotë se me fillim të fushatës pritet të ketë edhe ashpërsim të gjuhës duke shtuar se mund të ketë edhe përplasje të ashpra pozitë opozitë.

“Zhvillimi i fushatës së zgjedhjeve duhet të bëhet sipas ligjit në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme dhe normave demokratike. Ligji normon sjelljen e partive politike në raport me votuesit dhe në raport me njëra-tjetrën, si dhe institucionet. Mbetet për t’u pa se sa do t’i respektojnë por deri tani kemi parë tentativën e pushtetit për të blerë votat nëpërmjet shpërndarjes së ndihmave për kategori të ndryshme të popullsisë apo punësime të paligjshme, apo keqpërdorimi i ambasadave në favor të partitë në pushtet.

Të gjitha këto kanë ndodhur para hapjes zyrtare të fushatës. Prej 11 janarit fillon lufta e vërtetë dhe unë pres ashpërsim të gjuhës, publikim të aferave korruptive, dhe mbase edhe përplasje të ashpra pozitë opozitë. Sa kohë që përdoren mjete demokratike në luftën politike, është në rregull por uroj të mos ketë dhunë, ndërhyrje nga jashtë dhe fushata dezinformuese e linçime”, thekson ajo.

Pantina: Nuk duket se partitë do përdorin gjuhë të ashpër

Image
Shqipe Pantina

E kundërt me Lamën është analistja politike Shqipe Pantina, për “Bota sot”, thotë se sidomos opozita ka një fushatë të moderuar, duke shtuar se partitë nuk do të përdorin gjuhë të ashpër.

“Nëse gjykojmë në atë çfarë kemi parë deri më tash, nuk duket se partitë do përdorin gjuhë të ashpër sidomos LDK e PDK gjë që kanë zgjedhur të bëjnë një fushatë më të moderuar. Në anën tjetër është kryeministri Kurti i cili si zakonisht fushatën e ka të koncentruar në kundërshti e akuza dhe duke pas parasysh se ai për katër vite nuk ka realizuar ndonjë projekt me të cilin mund të mburren e si duket as nuk kanë ndonjë program që mund të ofrojnë.

Por mendoj se partitë opozitare nuk duhet të bien në kurthin e Kurtit por duhet të flasin më shumë për projektet dhe alternativat që ata ofrojnë”, shprehet ajo.

Rugova: Diskursi dhe gara e subjekteve politike në këtë fushatë duhet të jetë kthimi i shpresës të njerëzit

Image
Naser Rugova

Edhe njohësi i politikës, Naser Rugova, thekson se te LDK shihet një dinamikë dhe mobilizim i shtuar te LDK.

“Kjo fushatë sigurisht që do të polarizoj edhe më shumë raportet pozitë-opozitë. Në njërën anë kemi partinë në pushtet që nuk po shpalosë ofertë konkrete qeverisëse por po arsyeton këtë 4 vjeçar që po e lëmë prapa, pa ndonjë projekt konkret dhe pa ndonjë sukses në ekonomi, arsim dhe shëndetësi. Në anën tjetër partitë opozitare kanë shpalosur ofertat e tyre elektorale, me propozime dhe projekte konkrete në të gjithë sektorët. Shihet një dinamikë dhe mobilizim i shtuar te LDK, që ka një ofertë politike dhe qeverisëse racionale dhe të realizueshme. Subjektet tjera opozitare kanë kauza të ndryshme, AAK dhe partnerët e saj sigurinë dhe anëtarësimin në NATO, kurse PDK ka një program më të fragmentizuar për fusha të ndryshme por nuk e ka dinamikën dhe mobilizimin si LDK”, elaboron ai.

Më tej, thotë se partitë që bëjnë fushatën duhet të jetë kthimi i shpresës të njerëzit.

“Diskursi dhe gara e subjekteve politike në këtë fushatë duhet të jetë kthimi i shpresës të njerëzit, sidomos te rinia dhe ekspertët qe po largohen me të madhe nga vendi, krijimi i një mjedisi të sigurt dhe miqësor për bizneset sidomos për investimet e huaja direkte që kanë munguar këtë 4 vjetët e fundit, propozimi dhe masa konkrete për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor, zgjidhje përfundimtare për energjinë dhe reforma fiskale që inkurajojnë investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, thotë ai.

Kujtomë, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë shqyrtimin dhe miratimi i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimeve dhe broshurave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat