Kohëve të fundit janë shpeshtuar lëkundjet e tokës në territorin e Kosovës. Kjo ka ngjallë shqetësim te qytetarët e Kosovës.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” ka folur Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa. Ai ka deklaruar se territori i Kosovës është zonë sizmike.
Me tej, ai ka treguar se territori i Kosovës është goditur me 222 ngjarje me magnitudë 3.5-6.1 të shkallës Rihter nga viti 1456 deri më 2024.
“Nga pikëpamja sizmologjike, Kosova është një rajon me aktivitet të lartë sizmik, i cili është prekur në të kaluarën dhe mund të preket në të ardhmen nga tërmete shumë të forta autoktone, të cilët kanë vatra të cekëta, me origjinë nga korja e tokës, maksimumi prej 15-25 km thellë nën tokë.
Bazuar në katalogun historik të tërmeteve për periudhën kohore nga viti 1456 deri më 2024, territori i Kosovës është goditur me 222 ngjarje me magnitudë 3.5-6.1 të shkallës Rihter”, ka thënë ai.
Drejtori Mustafa ka treguar se vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik.
“Kosova gjeografikisht është në zonën e kontaktit së dy pllakave të mëdha tektonike, në njërën anë të Afrikës që shtyn Euro-Aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Për këto arsye, vendet në zonën mesdhetare i përkasin vendeve me rrezik të lartë sizmik duke përfshirë edhe zona përreth.
Tërmeti më i fortë i regjistruar dhe i dokumentuar në Kosove është tërmeti i vitit 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan me një magnitud prej 6.1 në shkallën Richter dhe një intensitet prej 8.5 ballë Mercali”, ka deklaruar drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës.
Po ashtu, Mustafa ka treguar se cilat janë zonat me rrezikshmëri më të lartë në territorin e Kosovës.
“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë; zona sizmogjene Pejë-Istog, ZS Ferizaj-Viti-Gjilan, ZS Kopavnik, ZS Prizren-Gjakovë, këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.5 shkallë të richterit, kurse zonat me rrezik më të ulët, ZS Drenicë, ZS Prishtinë-Mitrovicë, këto janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitud maksimale 6.1 shkallë të rihterit”, ka thënë ai për “Bota sot”.