Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për mos certifikimin e Listës Serbe. Vetëvendosje i kërkoi një ditë më parë PZAP-it që ta shfuqizojë vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe.
“Hidhet poshtë e palejuar... ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje... kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohej anulimi i Vendimit të KQZ-së i datës 31.12.2024, dhe urdhërohej KQZ-ja të nxirrte vendim tjetër”, thuhet në njoftimin e PZAP-it gjatë ditës së sotme.
Nga vlerësimet e juristëve dhe njohësve të politikës, u tha që Lista Serbe duhet të shpallet si organizatë terroriste në mënyrë që të mos fitoj të drejtën e certifikimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lidhur me atë se sit ë dëshmohet se kjo parti është e dëmshme për Kosovën, ka folur veprimtari dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj. Ai vlerëson se, subjekti politik, Lista Serbe, që nga themelimi i saj, është dëshmuar mospërfillëse dhe provokative ndaj shtetit të Kosovës. Ajo është vënë në shërbim të politikës serbe dhe ka zbatuar gjithmonë porositë dhe urdhërat e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke sfiduar qeveritë e Kosovës, njërën pas tjetrës; shkeljen e Kushtetutës të Kosovës; nuk e ka njohur kurrë Republikën e Kosovës, rrjedhimisht, shtetin e Kosovës. Me urdhër të Beogradit zyrtar, ka organizuar aksione, protesta, bllokada të rrugëve, djegie të pasurive private dhe shtetërore.
“Lista Serbe, pavarësisht të organizimit të mëvonshëm partiak, militantët e saj janë të hershëm në vandalizëm e banditizëm të organizuar. Qysh në vitin 2000, kur me rrahje, terror e përndjekje, deri në vrasje të një duzinë dhe dëbimin e përgjakshëm, nga shtëpitë e tyre, të disa mijëra shqiptarëve. Dhe, e gjithë kjo plojë u bë në praninë e KFOR-it francez dhe me dijeninë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Gjeneral Agim Çekut, me shokë. Mbyllja e Urës mbi lumin Ibër, premtimi i Hashimit, të dhënë protestuesëve se "së shpejti do t`ju kthej në shtëpitë tuaja", gjë që nuk ndodhi kurrë! Njëkohshëm Hashimi nënshkroi marrëveshjen, që Forcat Speciale të Policisë të Kosovës, nuk guxojnë të shkojnë në veriun e Kosovës, pa lejen e KFOR-it! Kjo marrëveshje mbetet në fuqi edhe sot. Shtritja e pushtetit të Beogradit zyrtar në veriun e Kosovës, kishte ndodhur në të gjitha institucionet lokale. Ndërkohë që qeveritë e Kosovës, njëra pas tjetrës, masnhtrueshëm e rrejshëm, thonë se " e kishim shtrirë sovranitetin, duke përmendur policinë dhe gjyqësorin, edhe pse llogari, së pari, i jipnin presidentit Vuçiq, por paguheshin nga buxheti i i Kosovës”.
“Hashim Thaçi, duke qenë i shantazhuar me dosjen e krimeve faktike, ngriti "flamurin e bardhë", pra, u dorëzua. Ai u rekrutua nga agjenti i Shërbimit Informativ francez, DGSE, Arnaud Danjean, dhendërr i Serbisë, duke e bërë edhe agjent të Serbisë, duke u dakordësuar me -shkëmbimin e territoreve-, si parathënie e ndarjes së Kosovës. Hashimi filloi me "Leposaviqin, si dhuratë e Rankoviqit për Kosovën", duke e zgjëruar perimetrin territorial në favor të Serbisë , se "veriun edhe ashtu nuk po arrijmë ta kontrollojmë", që nënkupton "t`ia lëmë Serbisë", - siç thoshte Baton Haxhiu, në emër të Hashimit”, vlerëson Zeqiraj.
Ndër të tjera, veprimtari rrëfen se, Hashimi, paraprakisht, kishte konsultuar shefin e tij francez, Arnaud Danjean, Edvin Ramën, duke u dakorduar me Vuçiqin, me hartën e Kosovës në tavolinë.
“Të tre banditërit, të bashkuar, me trup e mendje, i vunë hartën përpara Kancelarës gjermane, Angela Merkel, duke i kërkuar asaj aprovimin e ndarjes të Kosovës! Por, ajo refuzoi prerazi, duke thënë se "lëvizja e kufijve në Evropë, është një shpat i rrëshqitshëm". Kjo bllokoi projektin e zi të "trojkës" famëkeqe, për këmbimin apo ndarjen e Kosovës”, tregon ai.
Zeqiraj më tutje thotë se, Amerika përcillte me vëmendje të shtuar lëvizjet e Hashimit, qoftë edhe takimin e "rastësishëm" me Putinin. Ashtu siç nuk u dakordësua me "Ballkanin e Hapur", të Vuçiq-Rama dhe disa horrakë të tjerë ballkanas, përfshi edhe kozmopolitin Abazoviç, nuk preferonte as këmbimin e territoreve dhe as ndarjen.
“Kjo u dëshmua kur Trump shkarkoi këshilltarin e tij për Siguri, me akuzën se "donte ta ndante Kosovën prapa shpinës time!" FBI dhe Shërbimet tjera Informative kishte një dosje voluminoze, për 470 viktimave politike, të vrarë nga Hashimi me shokë! Dhe, Prokuroria amerikane kumtoi akt-akuzën për Hashimin, me bashkëpunëtorë në krime, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përgjatë fluturimit, pikërisht, për Amerikë”, thotë ai.
Veprimtari Zeqiraj thotë ndër të tjera se, LVV, me aleatët Lista GUXO dhe Alternativa, parësi e kishte shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës. Ato filluan me organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë; largimin e targave me akronime serbe; shkarkimi i shefit të policisë në veri, Serbia e mori si shkas për largimin nga puna të administratës, policisë, gjyqësorit, doganierët.
“Qeveria Kurti i organizoi zgjedhjet, për plotësimin vendeve vakante në katër komunat. Serbët, me urdhër të Vuçiqit, i bojkotuan zgjedhjet dhe fituan kryetarët shqiptarë. Qeveria i vendosi kryetarët në zyrat e tyre, por, reagimi i bandave të organizuara i ngritën turmat në protesta. Me ndërhyrjen e Quintit, kryetarët u vendosen në zyrat rrethanore, me përjashtim të kryetarit të Leposaviqit, i cili u mbyll në zyrën komunale. Ndodhi përleshja e madhe, në mes të bandave serbe dhe të ushtarakëve të KFOR-it, me ç`rast u plagosën mbi 30 ushtarë edhe gazetarë, prej tyre dy KFOR-istëve hungarezë iu amputuan këmbët. Ishte tragjike toleranca ekstreme e KFOR-it, përballë bandave serbe. U rrahën edhe gazetarë e kameromanë shqiptarë. BE-ja me ndërkombëtarët tjerë, bëri njëfarë reagimi, por, jo edhe të duhurin”, thotë ai.
Poashtu Zeqiraj thotë se, Qeveria e Kosovës vazhdoi me shtrirjen e sovranitetit, duke mbyllur njësitë bankare të Serbisë dhe ndalimin e përdorimit të monedhës serbe -dinarin-; heqjen e Billbordit provokativ, me surratet fotografike të Putinit, Vuçiqit, Gjuriqit dhe të ca horrakëve të tjerë; mbyllja e komunave paralele dhe të disa zyrave politike serbe, nën maskën e Shoqërisë Civile.
“Ndërkohë, ndodhi akti terrorist dhe shkelja e sovranitetit territorial të Kosovës, nga një grupim kriminelësh prej 4 vetëve, të kryesuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radhoiçiq, Në shkëmbim zjarri, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë të Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa nga pala serbe u vranë tre terroristë dhe tre të tjerë u arrestuan. Njëherësh, agresioni i armatosur u dënua nga BE-ja, SHBA dhe ndërkombëtarët tjerë. Ata bënë thirrje për arrestim dhe ndëshkim të kriminelëve. Por, personalisht, Borrell u pendua dhe akuzoi Qeverinë Kurti, për arrestime e bastisje të serbëve në veri. Për çudë, pritej të ndëshkohej Serbia, ndërsa sanksionuan Kosovën!? Qeveria e Kosovës, guximshëm dhe ligjërisht, i shpalli të paligjshme Organizatën kriminale, formacionin e armatosur "Brigada e Veriut" dhe "Shoqërinë Civile" në veri, për veprimet e tyre kriminale, duke u maskuar pas emërtesës paqësore. Por, Qeveria e Kosovës humbi shansin e madh, pse, me këtë rast, nuk e ndëshkoi me shpallje të paligjshme edhe "Listën Serbe", e cila ishte dhe vazhdon të jetë e zhytur në krime, po aq sa edhe ato dy organizatat e ndëshkuara. Megjithatë, edhe pse me vonesë, Qeveria bëri mirë që kërkoi mos çërtifikimin e Listës Serbe, për zgjedhjet e radhës, në muajin shkurt. Këtë e mbështeti në tri arsyetime: Së pari, Lista Serbe nuk e njehë Kosovën si shtet; së dyti, ajo përdorë rregullisht termin jo kushtetues "Kosova e Metohija"; së treti, ajo përsëritë, në takimet e saj zyrtare, në mënyrë provokative frazën "Rroftë Serbia" dhe kurrë "Rroftë Kosova!", nënvizoi ai.
Sipas tij, këto arsyetime qëndrojnë dhe përbëjnë shkelje të Kushtetutës të Republikës të Kosovës, por nuk janë të mjaftueshme për institucionin e ngarkuar shqyrtues, siç është KQZ. Lista e Serbe, edhe pse e themeluar më vonë, anëtarësia e saj dominohet nga elementët kriminalë, që kanë qenë pjesë aktive në të gjitha veprimet banditeske, që nga vrasjet, dëbimet masive të shqiptarëve, djegiet e shtëpive të tyre, me qëllim të spastrimit etnik të veriut të Kosovës. Nuk ka asnjë ngjarje të shëmtuar e kriminale, pa pjesëmarrjen e anëtarëve të sotëm të Listës Serbe. Edhe pas organizimit zyrtar, me bandat e saj të gatshme, brenda saj, ka ushtruar dhunë e terror kundër pakicave jo serbe në veriun e Kosovës, duke mos kursyer as bashkëkombasit e tyre serbë, pra, brenda llojit, të cilët e refuzuan atë, për arrogancë e krime dhe në shërbimin me pagesë, për Beogradin zyrtar dhe personalisht të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Lista Serbe është organizatore zyrtare e ekzekutimit makabër të politikanit serb, Oliver Ivanoviq dhe të kundërshtarëve të tjerë politikë, qytetarë të Republikës të Kosovës. Me këto akte të përgjakshme, e bënë zap, e nënshtruan edhe opozitën vendore serbe. Me shantazh e kërcënime, me kalljen e bizneseve, veturave, mohimin e punësimit dhe të tjera zullume, i detyruan serbët paqëdashës dhe të gatshëm për bashkëjetesë, edhe me qytetarët pakicë, jo serbë, të bëhen, dhunshëm, pjesë e krimeve të Listës Serbe, në protesta dhe bojkotime të ndryshme, përfshi edhe bllokadën e rrugëve, madje me javë e një herë plot një muaj! Lista Serbe është fontanë krimesh. Prandaj, organet e Sigurisë, Policia, Prokuroria, Gjyqësori, AKI dhe levat e tyre, në bashkëpunim dhe këmbim informacioni, LVV duhej ta hartonte një dosje voluminoze, me dokumentacionin të argumentuar, për ta dorëzuar në KQZ dhe ai përballë fakteve fort të vërtetuara, të marrë vendim ligjor, të mos e çërtifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si dhe ta shpallë të paligjshme dhe ndalimin e pjesëmarrjes në jetën politike të saj”, thotë ndër të tjera veprimtari Idriz Zeqiraj për ‘Bota sot’.