Incidentet në veri të Kosovës janë kthyer në kambanë alarmi për komunitetin ndërkombëtar sa i përket seriozitetit të sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor.
Kjo gjë u konstatua edhe në një raport të fund-vitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Duke iu referuar rreziqeve, në këtë raport u rekomandua që NATO ta konsiderojë shtimin e trupave në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
“Prania e forcave të NATO-s në Kosovë mund të përforcohet akoma duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në terren e rajon: Aleatët dhe BE-ja mund të punojnë së bashku për të siguruar forca më të përshtatshme për qëllimet e tyre në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë. Vëmendja e aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – prioritet kanë potencialisht më shumë forca, të pozicionuara siç duhet. Operimi i KFOR-it ka një rol të rëndësishëm, që shtrihet përtej frenimit të dhunës, pasi shërben gjithashtu si një kanal për kontakt pozitiv dhe ndërtim besimi me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi”, shkruan në raport.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Së pari, ai u shpreh se këto rekomandime janë sinjale që lidhen me organzimin e sigurisë në vend, ku të cilat vijnë si pasojë e një rreziku që ekziston për përshkallëzim të situatës.
“Rekomandimet e asamblesë së NATO-s, të cilat janë dhënë në raportin e fundvitit në lidhje me situatën e sigurisë së Kosovës, realisht janë sinjale të qarta sa i përket organizimit të sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Referuar zhvillimeve të fundit dhe sidomos sulmeve në vazhdimësi që ka pasur nga grupet kriminale dhe terroriste serbe, dhe njëkohësisht referuar edhe paralajmërimeve nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s, po ashtu edhe në institucionet e Kosovës, për një rrezik që Kosovës mund të i vijë si rezultat i aktiviteteve të Serbisë të mbështetura nga Rusia për veprime të dhunshme kundrejt forcave të sigurisë si ndërkombëtare apo lokale, ne mund të konstatojmë se rekomandimet që janë bërë këtë raport në lidhje me KFOR-in, e cila duhet të shtojë forcat e saj, vijnë pasi ekziston rreziku që mund të përshkallëzohet situata e sigurisë, krejt kjo për shkak të aktiviteteve që ka Rusia në drejt të Republikës së Kosovës, e të cilat po i zbaton në bashkëpunim me serbët”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Elezi potencoi faktin se shteti serb ende nuk e njeh Kosovën dhe realitetin e ri, e që sipas tij kjo tregon mjaftueshëm për synimet që ka ndaj shtetit tonë.
Për këtë, ai mirëpriti kërkesën për shtimin e trupave të KFOR në Kosovë.
“Ne e dimë që Serbia me Kushtetutën dhe shumicën e veprimeve të saj, Kosovën e sheh si pjesë të saj dhe akoma nuk është e gatshme që të njohë realitetin e krijuar në rajon dhe veçanërisht në Kosovë.
Ky fakt është i mjaftueshëm për të arsyetu të gjitha raportet dhe bazuar në të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në aspektin e sigurisë, siç janë sulmet e vazhdueshme, atëherë kujtoj që me të drejtë rekomandimi për shtimin e forcave apo për hartimin e planeve konkrete e operative, të cilat duhet të garantonin siguri janë evidente dhe janë tejet të nevojshme.
Në këtë rast, ne besojmë që KFOR-i vetëm ka marrë veprimet e duhura sa i përket parandalimit për sulme terroriste. Siç duket, këto po i harmonizon me veprime konkrete, të cilat pritet të zbatohen dhe ndoshta edhe kanë filluar së zbatuari në zona të caktuara, ku mund të konsiderohen burime josiguri”, nënvizoi ai.
Po ashtu, eksperti i sigurisë pret që çdo veprime të KFOR-it të jenë të koordinuara dhe me institucionet e Kosovës.
“Ne duhet të besojmë fuqishëm se këto veprime të NATO-s, të cilat zbatohen nga KFOR-i, janë në kuadër të detyrimeve dhe përgjegjësive që ka KFOR-i për garantimin e sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ne gjithashtu mendojmë dhe presim që këto veprime të KFOR-it të jenë të koordinuara dhe me institucionet e Kosovës, posaçërisht me Policinë e Kosovës, por edhe me Forcën e Sigurisë të Kosovës, se ngase harmonizimi i veprimeve operative është garantuesi më serioz i sigurisë, sidomos tek aspekti i shkëmbimit të informacioneve”, shpjegoi Elezi.
Në fund, ai shtoi se si duhet parandaluar sulmet terroriste dhe eskalimin e mundshme të situatës së sigurisë, ku në këtë rast përmendi koordinimet e institucioneve të sigurisë.
“Ne e dimë që në Republikën e Kosovës në kuadër organizmit të aktiviteteve për sigurimin e informacionev të sigurisë janë të angazhuara Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Policia e Kosovës, Njësitë e saj të Inteligjencës dhe Forca e Sigurisë së saj, cila ka po ashtu njësi të saj brenda që merren në inteligjencë.
Prandaj, harmonizimi i aktiviteteve dhe koordinimi i aktiviteteve mes institucioneve ndërkombëtare, siç është KFOR-i, UNMIK-u, EULEX-i dhe institucionet të Republikës së Kosovës se do të ishte një masë e duhur sa i përket organizimit të sigurisë, parandalimit të sulmeve terroriste apo për eskalimin e situatës së sigurisë, kjo një përpjekje që po duket se po vjen nga Rusia e që po mbështet nga Serbia”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.