Raportet mes Kosovës dhe SHBA ka një kohë që janë pjesë e diskutimeve, ani pse takimet mes dy shteteve kanë vazhduar.
E së fundmi është bërë me dije që zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet i SHBA-së, Richard R. Verma do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi nga 7 deri më 11 janar.
Kjo vizitë do fillojë në Tiranë, ku do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë, njofton DASH.
Verma, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai do të pritet në takim nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Departamenti i Shtetit, njofton se në Kosovë, do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.
Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.
Por çka duhet të presim nga kjo vizitë e rëndësishme, kur ka mbetur edhe pak kohë para inaugurimit të administratës së presidentit Donald Trump?
Agusholli: Marrëdhëniet tona me SHBA-në janë jetike dhe mbeten një garanci për stabilitetin dhe zhvillimin tonë
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Gramos Agusholli.
Ai thotë se kjo vizitë është e mirëserdhuar dhe specifikimi i pikës “përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është në agjendën e vizitës në Kosovë, por mungon në agjendën për vizitën në Serbi”, është qasje që lë për të dëshiruar.
“Kam lexuar njoftimin e Departamentit të Shtetit për agjendën që do të ketë Richard Verma gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor. Personalisht mendoj se temat që do të diskutohen do të jenë kryesisht të natyrës bazike.
Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë dhe Serbi, bisedat do të fokusohen te përparimet demokratike të këtyre shteteve, forcimi i marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara, përmirësimet në qeverisje, sundimi i ligjit dhe tema të tjera të ngjashme.
Megjithatë, më ka bërë përshtypje një pikë specifike: përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është në agjendën e vizitës në Kosovë, por mungon në agjendën për vizitën në Serbi. Kjo, sipas mendimit tim, është një qasje që lë për të dëshiruar”, foli ai.
Më tej, deputeti tha që Serbia duhet të kritikohet më shumë në raport me Kosovën, pasi është e njëjta e cila nuk ka respektuar marrëveshjet.
Ndër të tjera, ai theksoi që marrëdhëniet tona me SHBA-në janë jetike dhe mbeten një garanci për stabilitetin dhe zhvillimin tonë.
“Konsideroj se çështja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të diskutohet më së shumti në Serbi, jo në Kosovë. Kosova ka respektuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe ka vuajtur pasojat e sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të kësaj teme. Në anën tjetër, Serbia vazhdon të sfidojë stabilitetin me sulme të drejtuara ndaj Kosovës përmes grupeve të armatosura, pa asnjë paralajmërim apo ndëshkim serioz.
Në fund, mendoj se kushdo që udhëheq Shtetet e Bashkuara në të ardhmen do të jetë një faktor pozitiv për shtetin tonë, duke marrë parasysh aleancat dhe miqësinë e kahershme që shqiptarët kanë ndërtuar me këtë shtet të fuqishëm. Marrëdhëniet tona me SHBA-në janë jetike dhe mbeten një garanci për stabilitetin dhe zhvillimin tonë”, foli Agusholli për “Bota sot”.
Ahmeti: Kjo vizitë e tij padyshim shpërfaqë rolin e SHBA-së në paqëruajtje dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor
Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo vizitë bartë në vete një mesazh të qartë, gjithashtu shton që objektivë e SHBA është paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm për këtë arsyje zhvillon edhe vizita të tilla.
“Vizitat e tilla të zyrtarëve të rëndësishëm janë të planifikuara dhe brenda vetës bartin mesazhe të qarta në kontekstin e rrethanave që gjenden këto shtete. Objektivat strategjike amerikane janë afatgjate të menduara e analizuara mirë, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm”, potencoi ai.
Në fund, analisti përfundoi duke thënë që SHBA është në mbrojtje të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosovës dhe Serbisë, e për këtë arsyje edhe hartojnë politika afatgjate.
“Kjo vizitë e tij padyshim shpërfaqë rolin e SHBA-së në paqëruajtjen dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçant Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë shumë çështje të pazgjidhura. Këto janë indikacione të qarta se SHBA nuk bënë politika ad hoc, por harton politika afatgjate dhe të analizuara mirë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.