Kanë mbetur edhe një muaj deri tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partitë politike tashmë kanë filluar fushatën zgjedhore, kanë nisur edhe me premtimet për qeverisjen e ardhshme.
Në koalicionet parazgjedhore, Vetëvendosja ka vazhduar me Listën Guxo dhe Alternativën, AAK-ja dhe Nisma kanë bashkuar forcat, ndërsa LDK-ja dhe PDK-ja do të hynë në garë si parti të vetme.
Nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur se nuk kanë nevojë për koalicione me partitë tjera, ndërsa zgjedhjet do të mbahen për vendin e dytë, pasi janë të sigurtë sërish për fitore.
Madje, kryeministri Albin Kurti është shprehur se pret që në këto zgjedhje të kaloj rezultatin e vitit 2021 dhe se nuk do të ketë nevojë për një koalicion paszgjedhor.
“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, ka thënë Kurti.
Sondazhet që janë publikuar deri më tani, të gjitha e kanë nxjerrë Vetëvendosjen si parti të parë, por që dallojnë përqindjet e rezultateve nga një sondazh tek tjetri.
Mirëpo, sa mund të jetë i realizueshëm rezultati i zgjedhjeve që Lëvizja Vetëvendosje pretendon?
Lidhur me këtë ҫështje kanë folur për ‘Bota sot’ njohës të ҫështjeve politike.
Majkovci: Republika e Kosovës ka dëshmuar aftësi për organizimin e zgjedhjeve në përputhje me parimet demokratike
Kështu, politilogu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci thotë se, rezultati i Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit ishte historik dhe vështirë se mund të përsëritet. Ai thotë se Kosova tashmë e ka dëshmuar aftësinë për organizimin e zgjedhjeve mbi parimet demokratike.
“Zgjedhjet janë një nga shtyllat kryesore të demokracisë, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin për vazhdimësinë ose ndryshimin e drejtimit politik të vendit. Republika e Kosovës ka dëshmuar aftësi për organizimin e zgjedhjeve në përputhje me parimet demokratike. Me miratimin dhe zbatimin e ligjit të ri zgjedhor, pritet që standardet demokratike të përmirësohen më tej, duke forcuar transparencën dhe rritur besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, thekson Majkovci.
Ai thotë se, sa u përket objektivave të partive politike, secila parti synon rritjen e përkrahjes elektorale.
“Megjithatë, për Lëvizjen Vetëvendosje, është e vështirë të pritet një rritje e ndjeshme në numrin e votave në këto zgjedhje, pasi rezultati i tyre i fundit ishte historik dhe i vështirë për t’u tejkaluar, madje edhe për t’u përsëritur. Për më tepër, ulja e pritshme e pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje mund të ndikojë ndjeshëm në balancat elektorale dhe rezultatet përfundimtare të partive. Një risi në këto zgjedhje parashoh të jetë hyrja e Koalicionit për Familjen në Kuvendin e Kosovës, duke e pasuruar peizazhin politik. Kjo pritet të sjellë diversitet të ri në politikën e vendit dhe të krijojë sfida të reja për balancimin e fuqisë ndërmjet partive të mëdha dhe grupeve të tjera politike”, vlerëson Majkovci për ‘Bota sot’.
Mehmeti: VV nuk mund të marrë kurrë më shumë se 55%
Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se, Lëvizja Vetëvendosje kësaj radhe mund të arrijë deri në 55% të votave.
“Dëshira Kurtit është e kuptueshme, çdo parti ëndërron të merr mbi 51% në mënyrë që e vetme të qeverisë, deri këtu është çdo gjë në rregull. Siç është e kuptueshme edhe uria e tij për të rritur edhe më shumë përqindjen, mbase duke e kaluar atë mbi 70 %, por që është realisht e parealizueshme. VV nuk mund të merr kurrë më shumë se 55%, dhe dyshoj se këtë mund ta arrijë me 9 shkurt, kjo për shkak që votat janë të shpërndara në shumë kandidatë nga partitë tjera”, thotë Mehmeti.
Ai thotë se kryeministri Kurti duhet të gëzohet nëse edhe kësaj radhe arrin të formoj qeverinë e vetme.
“Gjithsesi Albini duhet të gëzohet nëse arrin që edhe këtë vit të formojë e vetme qeverinë, do të jetë arritje shumë e madhe, për më tepër nuk besoj se mund të ketë dicka për tu arritur”, tha ai.