11 janari shënon ditën e vrasjes së veprimtarit të shquar, Enver Malokut.
Maloku i cili ishte bashkëpunëtor më i afërt i presidentit historik, Ibrahim Rugova, drejtor i Qendrës Informative të Kosovës si dhe bashkëpunëtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, është vrarë pasditen e 11 janarit 1999 pak metra prej banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë.
Sot janë bërë 26 vjet, ndërsa vrasësit e tij kurrë nuk janë arrestuar dhe vënë para drejtësisë.
Salihaj: Tash, e vetmja mundësi është që Gjykata Speciale ta zbardhë ndonjë vrasje politike
Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, thotë se numri i vrasjeve politike është shumë i madh dhe pothuajse asnjë rast nuk është zbardhur.
Sipas tij, arsyeja e mos zbardhjes është për shkak që pushteti pas luftës në Kosovë ka qenë i kontrolluar nga parti të krimit.
“Numri i vrasjeve politike është shumë i madh. Me ndonjë përjashtim të vogël, të gjithë të vrarët janë veprimtarëve të LDK-së, kryesisht veprimtarëve më të dalluar e me autoritet, shumë prej tyre bashkëpunëtorë të presidentit Rugova. Drejtësia në Kosovë nuk ka zbardhur pothuajse asnjë rast. Arsyeja është e thjeshtë. Pushteti pas lufte në Kosovë ka qenë i kontrolluar nga parti të krimit. LDK-edhe kur ka qenë në pushtet, ka qeverisur bashkë me këto partitë e krimit, kështu që në njëfarë mënyre ka qenë nën kontrollin e tyre. Për këtë arsye as që ka tentuar ta zbardh ndonjë vrasje, sepse nuk mund edhe të bashkëpunosh e të qeverisësh me kriminelët, edhe ti arrestosh ata”, shprehet Salihaj.
Gjersa, Gjykata Speciale nuk ka kthyer ende përgjigje rreth pyetjes nëse merren me rastin e vrasjes së Enver Malokut, ish- deputeti konsideron se ajo është e vetmja mundësi.
Por, sipas tij, Gjykata Speciale do të has në vështirësi të mëdha për shkak të frikësimit apo vrasjes së dëshmitarëve dhe zhdukjes së dëshmive.
“Tash, e vetmja mundësi është që Gjykata Speciale ta zbardhë ndonjë vrasje politike, në kuadër të periudhës kohore që e ka në kompetencë. Enver Maloku ka qenë figurë e madhe, ai ka themeluar agjencinë për informata QIK, e cila në fakt ka qenë agjenci shtetërore e Republikës së Kosovës. Këso agjencie Kosova nuk ka as sot. Ai po ashtu ka qenë edhe bashkëpunëtor i ngushtë edhe i Presidentit Rugova. Sot, e vetmja mundësi e zbardhjen e të vrasjeve politike ka mbetur Gjykata Speciale, por edhe kjo po hasë në vështirësi të mëdha, për shkak të frikësimit apo vrasjes së dëshmitarëve dhe zhdukjes së dëshmive”, pohon Salihaj.
Enver Maloku është vrarë pak metra prej banesës së tij, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, ndërsa kishte vdekur pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.
Vdekja misterioze e ish-hetuesit?
Analisti Nexhat Haziri, thotë se është për keqardhje që edhe 26 vjet pas vrasjes nuk është zbardhur vrasja e Enver Malokut.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit politik.
“Është për keqardhje që edhe pas 26 viteve nga vrasja e gazetarit dhe publicistit Enver Malokut, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës, nuk është zbardhur apo më mirë të themi as që është tentuar të zbardhët nga institucionet e drejtësisë që nga administrate e UNMIK-ut dhe as pas 16 viteve të pavarësimit të Kosovës. Dhe kjo ka ndodhur sikur edhe për vrasjet e tjera politike gjatë dhe pas mbarimit të luftës për mungesë të vullnetit politik, por edhe me institucione të drejtësisë të cilat kanë qenë të ndikuara nga politika”, pohon Haziri.
Vrasja e disa dëshmitarëve kyç apo njerëzve që kanë pasur njohuri rreth kësaj ngjarjeje, sipas Hazirit, janë faktorë që kanë ndikuar në mos zbardhjen e vrasjes.
Ai përmend vdekjen misterioze të ish- hetuesit të shumëpërfolur të Policisë së Kosovës, F.S..
“ Faktor të tjerë që kanë ndikuar në mos zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut, që mendoj se e kanë vështirësuar në një masë jo të vogël edhe vrasja e disa dëshmitarëve kyç apo njerëzve që kanë pasur njohuri rreth kësaj ngjarje siç është vrasja e ish- punëtorit të sigurimit serb I.K në vitin 1999, e bërë me qëllim për të humbur gjurmë për vrasjen e Enver Malokut, pasi “ish-sigurimsi” dinte për vrasjen e gazetarit Maloku se nga kush ishte urdhëruar dhe kush e kishte kryer ekzekutimin, dhe po ashtu edhe vdekja misterioze e ish- hetuesit të shumëpërfolur të Policisë së Kosovës, F. S. te Liqeni i Badovcit, i cili ka qenë edhe dëshmitar në gjykatën Speciale në Hagë dhe dëshmia e tij kryesore ka qenë lidhur me vrasjen e gazetarit dhe publicistit Maloku. Por, ja ku jemi tani pas dy dekadave e gjysmë, dhe kjo ngjarje Akoma nuk ka marrë epilogun e saj, që vrasësit e Enver Malokut të jenë pas grilave duke vuajtur dënimin për këtë krim të rënd ndaj jetës së Enver Malokut dhe ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Por shpresa e vetme edhe për familjarët por edhe për shoqërinë në përgjithësi është se kjo vrasje e cila përputhet edhe me periudhën e nisjes së hetimeve nga Gjykata Speciale e Kosovës, do ta zbardhë dhe vrasësit apo urdhërdhënësit ta marrin dënimin e merituar”, shton analisti.
Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954. U vra në Prishtinë më 11 janar 1999. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë.
Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve. Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi Qendrën për Informim, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike.