Sloganet e partive politike dhe mesazhet që fshihen pas tyre – si do të ndikojnë në fushatat zgjedhore?

Politika

Sloganet e partive politike dhe mesazhet që fshihen pas tyre – si do të ndikojnë në fushatat zgjedhore?

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 11 janar 2025 Në ora: 10:04
Foto ilustrim

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sot, më 11 janar zyrtarisht filluan fushatat elektorale të partive politike, ndonëse jozyrtarisht ato kanë filluar tash e një kohë.

Në këtë pikë, vlen të theksohet se të gjitha partitë politikë kanë bërë publike sloganet e tyre për zgjedhjet e reja parlamentare.

Sloganet shpesh në mesazhet e tyre kanë përçuar pjesën thelbësore të secilit projekt të subjekteve politike, ku në këtë pikë edhe kërkohet një kreativitet i madh për të goditur me mesazhin që do përcjellet në fushatën zgjedhore.

Më poshtë po ua përcjellim sloganet e partive më të mëdha në vend:

“Lëvizja Vetëvendosje (LVV): “Cep më Cep”;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK): “Kosova mundet më mirë”;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): “Bëhu Ndryshimi” dhe

Koalicioni AAK-NISMA: “Direkt në NATO-Plani Aksional i Anëtarësimit Siguri-Ekonomi”.”

Të gjitha këto slogane kanë qenë mjaft të përfolura, disa të kritikuara e disa të tjera të vlerësuar.

Mirëpo, për më shumë në lidhje me sloganet dhe prapavijat e mesazheve që përçojnë, për “Bota sot” folën njohës të fushës.

Hertica: Parullat duhet të jenë në gjendje të përmbledhin një parti apo lider partie me pak fjalë

Për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Ali Hertica.

Image
Ali Hertica

Ai tregoi rëndësinë e mesazheve që fshihen pas sloganeve dhe dallimet që janë në mës partive politike.

Parulla mund të jetë një premtim, por edhe një thirrje, një pasthirrmë, një shprehje e një ose më shumë këndvështrimeve ose një pyetje. Me rëndësi jetike është dallimi me palët e tjera.

Zgjedhjet parlamentare më interesante në një kohë të gjatë duket se po vijnë! Partitë kanë aq shumë konkurrencë sa duhet të profilizohen. Në fakt, emri i partisë është tashmë një lloj slogani – përmbledhja më e shkurtër e asaj për të cilën përpiqet një parti. Shumica e subjekteve politike dhe koalicioneve parazgjedhore tashmë kanë përzgjedhur sloganet elektorale me anë të të cilave pretendojnë t’i joshin qytetarët e Republikës së Kosovës për t’i votuar në zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit”, deklaroi opnionisti.

Po ashtu, Hertica theksoi se partitë politike në vend, përmes strategjive të caktuara, sloganet e synojnë tërheqjen e votuesve.

Partitë politike në Kosovë kanë bërë publike sloganet e tyre në kohë para fushate, si metodë për të siguruar mbështetjen me votë të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt të këtij viti. Subjektet politike shqiptare kanë zgjedhur fraza të ndryshme si synim për të arritur qëllimet politike bazuar në rrethanat politike, veprimtarinë e tyre dhe audiencën e synuar. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) synon ta marrë besimin e qytetarëve në këto zgjedhje me sloganin, “Kosova mundet më mirë” (LVV) “Cep më cep”, (LDK) “Bëhu ndryshimi”. AAK dhe NISMA “Direkt në NATO-plani aksional i antarësimit sigurt ekonimik”. Edhe në të folurit e përditshëm, nëse i themi dikujt ‘mos u shpreh me slogane’ nënkuptojmë mungesë sinqeriteti, formulime të konsumuara dhe manipuluese. Përmes strategjive të caktuara gjuhësore sloganet e synojnë tërheqjen e votuesve në mënyrë që ata të përcaktohen për një parti të caktuar politik”.

Ndër të tjera, opinionisti nënvizoi se sloganet duhet të jenë në gjendje të përmbledhin partinë dhe liderin me pak fjalë.

Në anën tjetër, kemi shembuj të kampanjave të jashtëzakonshme edhe prej zgjedhjeve të mëhershme në vendin tonë, por edhe nga rajoni e sidomos nga vendet e zhvilluara, të cilat na lënë të kuptojmë që kur një fushatë politike bëhet në mënyrë të planifikuar me strategji të bazuar të komunikimit dhe përçim të saktë të mesazheve, ndryshimi që e bën fushata dhe strategjia e komunikimit është kyçe për rezultatet finale. Parullat duhet të jenë në gjendje të përmbledhin një parti apo lider partie me pak fjalë. "Njerëzit shpesh nuk mund të riprodhojnë një debat të tërë zgjedhor ose një program partie, por ata mund të riprodhojnë një linjë tërheqëse të vetme. Një slogan që tërheq vëmendjen, thotë diçka unike dhe relevante për festën dhe tingëllon mirë. Në mënyrë ideale, rregulli duhet të ketë edhe nëpërmjet mjeteve stilistike ose si përfundim për deklaratat e fushatës”, përfundoi Ali Hertica për “Bota sot”.

Mekuli: Sloganet, ofrojnë një pasqyrë të qëllimeve dhe strategjive të partive politike

Image
Gëzim Mekuli

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli njohësi i mediave dhe retorikës Gëzim Mekuli.

Së pari, ai u shpreh se këto slogane tregojnë një pasqyrë të qëllimeve dhe strategjive të partive politike.

“Sloganet e bëra publike nga partitë politike për zgjedhjet e shumëpritura të 9 shkurtit ofrojnë një pasqyrë të qëllimeve dhe strategjive të tyre. Gjithashtu këto slogane shfaqin dallimet e thella në porosinë dhe besueshmërinë e këtyre partive. Këto slogane nuk janë vetëm fraza të thjeshta marketingu politik; ato synojnë të përçojnë identitetin dhe prioritetet e secilës parti. Sloganet politike janë një mjet i fuqishëm komunikimi - ndikimi, por po e ritheksoj se këto nuk janë të mjaftueshme për të siguruar mbështetjen dhe besimin e votuesve. Ato mund të frymëzojnë, të ndikojnë dhe të përçojnë një porosi të shkurtër, por suksesi i tyre varet nga përputhshmëria midis përmbajtjes së sloganit dhe veprimeve konkrete të partive që i mbajnë këto slogane”, tha njohësi i mediave.

“Po e filloj me analizën e sloganit të LVV-së: "Cep më Cep"”

Për këtë, Mekuli analizoi një nga një të gjitha sloganet e partive politike.

Së pari, filloi me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, e që sipas ty është gjithëpërfshirës, ku apelon për një angazhim të qartë për të përmirësuar çdo aspekt të jetës të popullit.

Ky slogan përçon një porosi të qartë dhe gjithëpërfshirës për shtrirjen e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në çdo pjesë të Republikës së Kosovës, duke u theksuar në sovranitetin dhe përgjegjësinë për të gjithë qytetarët. Për më tepër, qeverisja e VV-së nën Albin Kurtin ka treguar një qasje konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor. Ky mesazh është i mirëarsyetuar nga veprimet e kësaj partie, që e kanë rimarrë sovranitetin në Veri nga Serbia dhe ka zbutur dukshëm nivelin e korrupsionit.

Pra, ky slogan apelon për një angazhim të qartë për të përmirësuar çdo aspekt të jetës së popullit dhe për të rimarrë kontrollin mbi çdo pjesë të territorit të Kosovës. Ai reflekton një qëllim të LVV-së për të qëndruar afër popullit, me projekte konkrete dhe prani të prekshme në terren.

Strategjia e LVV-së bazohet pra në rezultate të prekshme dhe në një qasje të bazuar në logos (logjikë), jo sall patos (emocion); si për shembull ulja e korrupsionit, rritja e transparencës dhe forcimi i sovranitetit në Veri të Kosovës. Ky slogan saldohet nga një etos (Autoritet - Besueshmëri) i ndërtuar mbi një histori qeverisjeje rikthim nderi, mirëqenjeje dhe pa skandale korrupsioni.

Duke u nisur nga aspekti retorik mund të them se:

Logos: Ka një bazë racionale që lidhet me veprimin konkret dhe praninë e Qeverisë Kurti në çdo cep të Kosovës.

Etos: LVV dhe lideri i saj, Albin Kurti vlerësohen nga populli si të pakorruptuar në krahasim me liderët e tjerë politikë, duke krijuar në këtë mënyrë besueshmëri- autoritet të fortë.

Patos: Slogani nxit ndjenjën e përkatësisë dhe kujdesit për të gjithë, pa dallim feje, etnie, statusi social, gjinie a kulture.

Mund të argumentoj se, LVV ka një përputhje më të mirë mes sloganit "Cep më Cep"dhe veprimeve konkrete. Puna e LVV-së në luftën kundër Serbisë së moçme dhe korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës forcon mesazhin e sloganit”.

PDK: "Kosova mundet më mirë"

Më tej, ai vazhdoi me PDK-në dhe sloganin e saj, për të cilin kishte kritika.

Në këtë pikë, përmendi dështimet e kësaj partie në të kaluarën e që sipas tij nuk ka prova bindëse se mund të ketë ndryshim të politikave të saj.

Ky slogan ngjan të jetë një pranim dhelpërak i dështimeve të mëparshme të qeverisjes së PDK-së, por nuk shoqërohet me asnjë provë bindëse për ndryshimin e praktikave të saj. Me një histori të lidhur ngushtë me skandalet e korrupsionit dhe miratimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në, besueshmëria (Etos – Autoriteti) i PDK-së mbetet shumë e ulët. Besimi i votuesve kërkon etos të besueshëm, i cili mungon në këtë rast për shkak të veprimeve të së kaluarës që kanë dëmtuar interesat kombëtare dhe shtetërore. Duhet theksuar se një pjesë shumë e madhe e publikut e lidh këtë parti me një histori të gjatë skandalesh korrupsioni, dëshitme, zbythjeve politike dhe politizimit të institucioneve.

Strategjia e PDK-së duket e përqendruar në përdorimin e patos-it (emocioneve) për të mobilizuar votuesit e pakët, duke premtuar shpresë për të ardhmen, por mungesa e rezultateve konkrete dhe një planifikim i qartë e dobëson fort mesazhin retorik të PDK-së.

Ky slogan na le të kuptoj se partia ëndërron për përmirësimin e situatës aktuale. Megjithatë:

Logos: Premtimi për përmirësim kërkon argumente të forta dhe plane konkrete, të cilat shpesh mungojnë në mesazhet e PDK-së.

Etos: PDK përballet me mungesë besueshmërie për shkak të historisë së saj me skandale korrupsioni, zbythjeve politike dhe qeverisje të diskutueshme, duke filluar që nga lideri i tyre, Hashim Thaçi. Ky argument kokëfortë e dobëson fort efektivitetin e sloganit.

Patos: Përmbajtja emocionale ekziston, por nuk është bindëse për shkak të mungesës së veprave politike dhe ekonomike që do ta përforconin këtë mesazh; pra vuan nga mungesa e përputhjes mes fjalëve dhe veprave”, shtjelloi njohësi i medaive.

LDK: "Bëhu ndryshimi"

Më tej, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mekuli potencoi se kjo parti politike ka ardhur me një mesazh si një shprehje humori sesa një premtim të besueshëm.

Sipas tij, slogani nxitë emocione, por mungesa e besimit në historinë e partisë e bën atë jo serioze.

Ky slogan bënë përpjekje për të frymëzuar individët që të marrin pjesë aktive në ndryshimin politik. Por, për një parti si LDK, e cila është përballur me kritika të ashpra për korrupsion dhe vendime të diskutueshme, si nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin njëetnik serb, ky slogan duket mjaft hipokrit.

E për të pasur sukses, etos-i është vendimtar, pra autoriteti, por LDK e ka humbur këtë element për shkak të veprimeve të saj të kaluara. Kjo dobësi minon çdo strategji të bazuar në patos apo logos, duke e bërë sloganin më shumë një shprehje humori sesa një premtim të besueshëm.

E pra kemi të bëjmë me një thirrje motivuese, por të pabesueshme për një parti që, siq e thashë më sipër, historikisht është njollosur nga skandale të shumta korrupsioni dhe që ka mbështetur një marrëveshje për Asociacionin njëetnik serb, në kundërshtim me interesat e Kosovës si shtet sovran. LDK (ashtu si edhe PDK) nuk ka treguar asnjë shenjë të ndarjes nga e kaluara e saj skandaloze, duke mos pasur autoritet moral (etos) për të justifikuar këtë slogan.

Slogani i LDK-së kërkon të frymëzojë qytetarët që të bëhen shërbëtorë të ndryshimit, por:

Logos: Përmbajtja logjike është e paqartë, sepse LDK ka qenë pjesë e qeverive të mëparshme dhe nuk ka sjellë ndryshime të mëdha.

Etos: Besueshmëria është e dobët, sepse qytetarët mund ta shohin si jonormale që një parti që ka qenë pjesë e zbythjeve politike, marrifetllëqëve të shumta politike, ekonomike dhe status quo-së, të flasë sot me zë të lartë për «ndryshim».

Patos: Slogani nxitë emocione, por mungesa e besimit në historinë e partisë e bën atë jo serioze”.

AAK-NISMA: "Direkt në NATO - Plani aksional i anëtarësimit siguri-ekonomi"

Krahas kësaj, njohësi i medias kishte disa fjalë edhe për koalicionin AAK-Nisma.

Bazuar në të kaluarën e tyre politike, partitë e këtij koalicioni kanë pak besueshmëri për të drejtuar një plan kaq ambicioz, përmes të cilit po e prezantojnë përmes sloganit të tyre.

Ky slogan i stërgjatur dhe bajat përpiqet të kombinojë dy nga temat më të rëndësishme për votuesit: sigurinë dhe ekonominë. Megjithatë, mungesa e rezultateve konkrete nga këto parti në këto fusha e bën mesazhin të duket jo realist. Për më tepër, historiku i tyre, duke përfshirë manipulimet me toka, korrupcionin dhe faljen e territorit Malit të Zi, e bëjnë këtë slogan të AAK-NISMA të duket si një shfaqje boshe retorike.

Strategjia e AAK-NISMA duket se synon të luajë me emocionet (patos), por pa një logos të qartë dhe një etos të fortë, slogani mbetet një premtim i zbrazët; thjeshtë një përrallë për fëmijët prej 7 – 14 vjeç.

Megjithatë:

Logos: Synimi është i lavdërueshëm, por plani i veprimeve duhet të jetë më konkret dhe realist.

Etos: AAK-NISMA kanë pak besueshmëri për të drejtuar një plan kaq ambicioz, për shkak të mungesës së arritjeve të ngjashme në të kaluarën dhe skanadaleve të tmershme korruptive në politikë dhe ekonomi.

Patos: Slogani mbështetet te ndjenjat e sigurisë dhe krenarisë kombëtare, por mbetet një premtim i zbrazët; popullizëm.

Për këto dy parti slogani mbetet më shumë një deklaratë «dëshirore» sesa një pasqyrim i realitetit”, shtjelloi Mekuli.

Këtë analizë, ai potencoi se e bëri në tri elemete kyçe, e të cilat i shtjelloi më poshtë.

Unë si pikënisje për këtë analizë kam retorikën e Aristotelit. Dhe si përfundim mund të them se bindja – besueshmëria bazohet në tre elemente kryesore të tij:

Logos (arsyeja): Argumentet logjike dhe të bazuara në fakte. Për shembull, Vetëvendosje ka arsyetuar slogane të tilla si "Cep më Cep" përmes rezultateve konkrete, si ulja e korrupsionit dhe rimarrja e sovranitetit në Veri të Kosovës nga kthetrat e Serbisë së moçme.

Etos (besueshmëria): Partitë si PDK, LDK, AAK dhe NISMA nuk e kanë këtë përbërës, sepse veprimet e tyre në të kaluarën kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e tyre. Një politikan apo parti pa etos është si një mafioz që përdor sloganin "Me ne është ndryshimi".

As Al Capone, as Pablo Escobar nuk mund të bindnin njerëzit për «ndryshim pozitiv» vetëm me slogane, pra vetëm me fjalë. Sepse ju mungon Etos-i, pra autoriteti moral.

Patos (emocioni): Edhe pse sloganet si "Kosova mundet më mirë" apo "Bëhu ndryshimi" tentojnë të prekin emocionet e votuesve/popullit, ato nuk arrijnë të krijojnë një ndjenjë të qëndrueshme për shkak të mungesës së mbështetjes nga faktet, argumentet dhe etosi; mungon pra Autoriteti për shkak të skandaleve dhe marrëveshjeve me Serbinë e moçme në dëm të Kosovës”.

Në fund, zbërtheu atë se çka tregojnë këto slogane të lartpërmendura mbi planet dhe strategjitë e partive politike në lidhje me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për këtë, ai kërkoi që partitë të ofrojnë rezultate konkrete, vepra të matshme dhe një histori që mbështet në fjalët dhe jo ëndërrat e tyre.

“Siç shpjegohet në analizën time retorike, etos-i (besueshmëria - autoriteti) është thelbësor. Pa të, slogani, sado emocionues apo logjik, nuk do të ketë ndikim te publiku. Si shembull, nëse një figurë mafioze si Pablo Escobar do të përdorte një slogan si "Me ne mundet më mirë ", populli nuk do ta merrte seriozisht për shkak të mungesës së besueshmërisë (Etos). E njëjta gjë vlen për partitë politike që nuk kanë histori të pastër e as rezultate pozitive.

Sloganet e partive politike shqiptare pasqyrojnë një zbrazëti, duke mos ofruar përmbajtje konkrete apo rezultate që të mbështesin premtimet. Harrojnë se sukseset, qëndrueshmëria dhe puna e mirëfilltë, janë ato që ndërtojnë besueshmërinë dhe legjitimitetin e një partie (apo të një lideri). Lëvizja Vetëvendosje, me sloganin "Cep më Cep", përfaqëson një përjashtim, sepse ka mbështetur fjalët me veprime konkrete dhe rezultate të matshme e të prekshme gjatë Qeverisë Kurti III, të më falni, Kurti II.

Fitorja e zgjedhjeve kërkon shumë më tepër sesa retorikë. Për të vërtetuar slogane si "Kosova mundet më mirë" apo "Bëhu ndryshimi", partitë duhet të ofrojnë rezultate konkrete, vepra të matshme dhe një histori që mbështet fjalët e tyre; jo ëndërrat e tyre! Pa këto elemente, slogani mbetet një premtim i zbrazët, një formë e demagogjisë që nuk bind as mendjen dhe as zemrën e anëtarëve të familjes së tyre.

Të jem i qartë: sloganet janë vetëm një fillim, por këto nuk i fitojnë zgjedhjet. Mos të harrojmë: votuesit shqiptarë janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm, më të kthjellët dhe kërkojnë rezultate konkrete. Partitë duhet të dëshmojnë me vepra dhe jo sall me fjalë. Për këtë arsye, LVV ka një përparësi, pasi slogani i saj është më i lidhur me veprimet konkrete dhe lidershipin e pakorruptuar.

Ndërkohë, për të ndërtuar etos-in dhe për të provuar se premtimet e tyre janë të realizueshme, PDK, LDK, AAK-NISMA duhet të punojnë më shumë, të premtojnë më pak, të distancohen nga nënshkrimet e marrëveshjeve në dëm të Kosovës e në të mirë të Serbisë së moçme; marrëveshje të sponzorizuara dhe të nënshkruara nga liderët e partive të tyre”, përmbylli Gëzim Mekuli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat