A do të zhbëhet Gjykata Speciale? Flet djali i veprimtarit, Smajl Hajdarajt: Le të fitojnë faktet

Politika

A do të zhbëhet Gjykata Speciale? Flet djali i veprimtarit, Smajl Hajdarajt: Le të fitojnë faktet

Nga: A.SH Më: 11 janar 2025 Në ora: 11:56
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale po vazhdon punën e saj.

Kjo gjykatë ka juridiksion mbi krimet që kanë ndodhur pas periudhës së luftës dhe është krijuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent për hetimin dhe ndjekjen penale të individëve të dyshuar për krime të tilla.

Por, në Kosovë ditët e fundit janë shtuar zërat se mund të zhbëhet Gjykata Speciale.

Familjet e viktimave presin drejtësi nga kjo Gjykatë.

Kandidati për deputet në Listën “Guxo”, Shpëtim Hajdaraj, në një intervistë për “Bota sot”, ka thënë gjykata assesi nuk duhet të zhbëhet.

Ai thotë se ajo është Gjykatë e Kosovës e cila është miratuar në Kuvendin tonë dhe nuk duhet të zhbëhet.

“Asesi nuk duhet zhbërë nëse nuk kanë ndonjë gjë për të fshehur. Patën tentuar edhe njëherë dhe aleatë tanë patën thanë që “kjo është nata ma e rrezikshme për Kosovën që nga çlirimi”.

Duhet lënë e lirë t’a zhvillojë procesin. Le të fitojnë faktet. Është Gjykatë e Kosovës dhe është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk duhet të zhbëhet”, deklaron ai.

Kujtojmë, se Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat