Gjatë ditës së djeshme, Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma.
Presidentja Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha se i është konfirmuar që Kosova dhe SHBA do të finalizojnë së shpejti dialogun strategjik.
Gjithashtu, Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Mirëpo çfarë është dialogu strategjik?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, media konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.
E për këtë lajm që Verma solli në Kosovë kanë folur njohësit e çështjeve politike dhe juridike, të cilët e vlerësuan këtë hapë për Kosovën.
Burjani: Tash duhet pritur Trump se çfarë do të thotë lidhur me një dialog strategjik
Në një prononcim për “Bota sot”, juristi Blerim Burjani përmend disa nga çështjet që dialogu strategjik do të përfshijë, duke filluar nga çështjet ekonomike e deri tek përkrahja e Kosovës në integrime evropiane
“Dialogu strategjik mund të përfshijë agjendën integruese të Kosovës në NATO, çështjet ekonomike që mund të përfshijnë energjinë, gazin natyror, investime në linjat strategjike, çështjen e edukimit, dhe agjendën strategjike në dialogun për Ballkanin Perëndimor dhe përkrahjen e Kosovës në integrime evropiane”, u shpreh ai.
Më tej, juristi thekson edhe ndikimin që Trump mund të ketë në këtë dialog strategjik.
“Tash duhet pritur Trump se çfarë do të thotë lidhur me një dialog strategjik, pra përafërsisht kjo agjendë mund të përfshijë politikën rajonale, dialogun ballkanik, zhbllokimin ekonomik, bashkëpunimin në energjetik dhe fushën e gazit natyror”, foli juristi Burjani për “Bota sot”.
Qarri: Vizita e zëvendëssekretarit të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, u realizua pikërisht në kulmin e zhvillimeve ndërkombëtare
Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vizita e zyrtarit amerikan në Kosovë erdhi në momentin e duhur, pasi serbët po vazhdojnë me deklaratat kërcënuese ndaj Kosovës.
“Fakti se Kosova dhe shqiptarët, që nga çlirimi, janë shndërruar në faktor të paqes dhe stabilitetit në rajon, e dëshmon edhe vizita e zëvendëssekretarit të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, në vendin tonë, pikërisht në kohën kur ka ngritur kokën kaq kërcënueshëm elementi detsruktiv serb, dhe po rrezikon publikisht shpërthimin e luftërave për gllabërim territoresh të huaja nga serbët. Në pjesën më të madhe të shteteve të dala nga ish federata jugosllave, duke filluar nga Mali i Zi, Kosova e deri në Bosnjë e Hercegovinë, vend ku tendencat separatiste serbe, kanë arritur kulmin dhe po shkohet drejtë shkatërrimit përfundimtar të konfederatës Boshnjake me dhunë.
Madje, zjarrit që Millorad Dodik nga ngrehina e ashtu quajtur "republika srpska" po përpiqet ta shpërndaj edhe në rajon, hedhjes së benzinës në zjarr, i dha shtysë edhe më të madhe krimineli serb i lidhur me shërbimet ruse, Aleksandër Vulin, duke pretenduar publikisht se ka ardhur dita për krijimin e të ashtuquajturës “botë serbe”, apo “Serbisë së Madhe” në dëm të territoreve të vendeve fqinje, pretendime të cilat përveç Bosnjës e Malit të Zi, arrijnë deri në Kosovë”, u shpreh ai.
Në bisedë e sipër, analisti theksoi që vizita e Vermës tregoi edhe njëhere raportet e palëkundura që SHBA ka me Kosovën dhe se qëllimi kryesor mbetet forcimi i marrëdhënieve afatgjata.
“Prandaj vizita e zëvendëssekretarit të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, i cili të premten u prit nga presidentja Dr. Vjosa Osmani në Kosovë, përveçse ishte vizitë e një rëndësie të veçantë, ajo mori peshë edhe më të madhe kur si me rastin e takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ashtu edhe në takimin që ai pati me kryeministrin Albin Kurti e rikonfirmoi sërish dhe riafirmoi edhe njëherë më tepër angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me Republikën e Kosovës, akt që për vendin tonë, vërtetë luan rol vendimtar, si në qëndrueshmërinë politike, ashtu edhe në shtetndërtim dha vazhdimësinë e shtetësisë të Republikës së Kosovës si shtet i lirë dhe i pavarur!
Vizita e zëvendëssekretarit të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, u realizua pikërisht në kulmin e zhvillimeve ndërkombëtare, ndaj si në rrjedhën e ngjarjeve ashtu edhe në kontestin e kohës, mori domethënie të jashtëzakonshme ngase dëshmoi publikisht përkushtimin e palëkundur të SHBA-ve, për vendin tonë, ruajtjen e paqes, e stabilitetit dhe avancimin e prosperitetit politik në Ballkanin Perëndimor, si dhe ekzistimin e një raporti special të SHBA-ve me vendin tonë, qëllimi i të cilit mbetet forcimi i marrëdhënieve afatgjata, dhe thellimi i partneritetit strategjik në realizimin e aspiratave të Kosovës”, shton tutje analisti.
Dialogu strategjik do të forcojë zhvillimin ekonomik në mes Kosovës dhe SHBA
Kurse, sa i përket dialogut strategjik, analisti potencoi që do të jetë proces fitimprurëse për Kosovën dhe SHBA, në anën politike dhe ekonomike.
“Siç e vërtetoi edhe Presidentja e vendit zonja V. Osmani, në takimin e mbajtur me zëvendëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma u ritheksua përsëri aleanca e palëkundur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si dhe u diskutuan mënyrat më të mira dhe efektive për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit strategjik ndërmjet të dy vendeve, me ç`rast Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes të dy vendeve tona do të finalizohet të cilin edhe presidentja Osmani tha se do ta nënshkruaj së shpejti, me ç`rast edhe u dakorduan bashkërisht, që ekipet e Kosovës dhe SHBA-ve, të punojnë intensivisht lidhur me këtë, gjë që dëshmon se Dialogu Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si proces ka për qëllim përveç avancimeve politike edhe forcimin e zhvillimit ekonomik”, u shpreh ai.
Në fund, Qarri nënvizoi që ky dialog strategjik do të forcojë ende marrëdhëniet SHBA dhe Kosovë duke sjellur edhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kurse lajmi më i mrekullueshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, me rastin e kësaj vizite nga Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, ishte ritheksimi i qëndrimit të SHBA-ve se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të kurorëzohet me njohje reciproke, si dhe të forcohet avancimi i marrëdhënieve të SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës, që ishte edhe përgjigja më e duhur ndaj zërave të mekur opozitar, se gjoja ka '"lëkundje" të raporteve Kosovë-SHBA!
Kështu që, duke pasur në konsideratë vlerat që mbrojnë SHBA-të, si kampion i demokracisë në botë, si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ekonomia e tregut të lirë paqja rajonale dhe siguria ndërkombëtare, krejt këto, na bëjnë optimist dhe të shpresojmë shumë, se edhe me administratën e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, qëndrimi ndaj Republikës dhe popullit të Kosovës, nga SHBA do të mbetet i ngrohtë dhe parimor, kur dihet mirëfilli se SHBA tradicionalisht nuk i ndryshon, trajton ndryshe as përshtat ato, sipas ndërrimit të qeverive, por marrëdhëniet ndërkombëtare i ndërton mes popujve dhe shteteve bilaterale”, foli Qarri për “Bota sot”.