Paralajmërimi i fuqishëm që zyrtari amerikan bëri për sigurinë në rajon/ Analisti përmend pasojat që mund të përballet Ballkani nëse Serbia…!

Politika

Paralajmërimi i fuqishëm që zyrtari amerikan bëri për sigurinë në rajon/ Analisti përmend pasojat që mund të përballet Ballkani nëse Serbia…!

Nga: M.Haziri Më: 11 janar 2025 Në ora: 22:00
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, tha se shpreson që procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Verma insistoi që të zbatohen marrëveshjet mes dy palëve në mënyrë që evitohen veprimet destabilizuese.

I pyetur për garancitë që komuniteti ndërkombëtar mund t’i japë Kosovës në rast se zbaton pjesën e vet të marrëveshjes, Verma tha se ky pakt është i obligueshëm, pavarësisht se Serbia ka shprehur rezerva për të.

Beogradi ka refuzuar që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por BE-ja ka thënë se ajo është obliguese për palët.

“Ne besojmë se kushtet e marrëveshjes janë ligjërisht të obligueshme dhe të dyja vendet janë zotuar për parimet e kësaj marrëveshjeje. Kështu që ajo që mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale, si dhe për njerëzit, të cilët prosperojnë që të dyja vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Mirëpo çfarë po paralajmëron zyrtari amerikan kur po përmend sigurinë rajonale?

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti Eduard Gashi.

Image
Eduard Gashi.

Ai thotë se me këtë deklaratë, zyrtari amerikan tregon angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të sjellë një zgjidhje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deklarata e Vermas që marrëveshja është e ligjërisht e detyrueshme tregon angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të përforcuar një proces paqeje që sjell zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo afirmon që marrëveshja nuk është thjesht një akt politik, por një obligim juridik që duhet të respektohet nga të dyja palët. Për Kosovën, kjo nënkupton një njohje të heshtur të sovranitetit dhe një mundësi për ta forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Ligjshmëria e marrëveshjes është një mekanizëm presioni ndaj Serbisë për të përmbushur angazhimet e saj dhe për të njohur realitetin politik”, u shpreh ai.

Duke vazhduar Gashi thotë se siguria në Ballkan është ende e brishtë dhe se që çështja e pazgjidhur mes këtyre dy vendeve përbën një rrezik për stabilitetin e Ballkanit dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është kyçe për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve.

“Duke theksuar ndikimin e çështjes së Kosovës në sigurinë rajonale, Verma paralajmëron se paqja në Ballkan është ende e brishtë dhe se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë pasoja më të gjera në rajon. Kjo deklaratë sugjeron që çështja e pazgjidhur mes këtyre dy vendeve përbën një rrezik për stabilitetin e Ballkanit dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje është kyçe për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve. Për Kosovën, kjo është një mundësi për të treguar se është një shtet i përgjegjshëm që kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal”, shpjegoi analisti.

Në fund ai nënvizon që deklarata e Vermas tregon që ndërkombëtarët janë plotësisht të vetëdijshëm për rolin destabilizues të Serbisë në Ballkan dhe nga Kosova kërkohet vigjilencë.

“Po, kjo tregon qartë që Serbia vazhdon të jetë një faktor destabilizues në rajon. Retorika e saj nacionaliste, refuzimi për të njohur Kosovën dhe mbështetja nga Rusia janë shembuj të qartë të kësaj. Megjithatë, deklarata e Vermas tregon që ndërkombëtarët janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë rol destabilizues dhe po punojnë për të ushtruar presion ndaj Serbisë për të respektuar angazhimet e saj ndërkombëtare. Për Kosovën, kjo është një shenjë që aleatët ndërkombëtarë vazhdojnë të qëndrojnë vigjilentë ndaj veprimeve të Serbisë dhe janë të përkushtuar për të mbrojtur stabilitetin rajonal”, përfundoi analisti Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat