Së fundi, u bë e ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar.
Me këtë rast, një person u ndalua nga policia e Kosovës.
Arrestimi erdhi pasi i dyshuari përmes postimeve në rrjetin social “Instagram” kishte kanosur kryeministrin Kurti.
Arrestimin e tij e konfirmoi edhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në njoftim u tha se më 7 janar 2025 është iniciuar një rast për veprën penale “kanosje”, pas kërcënimeve ndaj Kurtit dhe postimeve kërcënuese për dhunë në emër të grupit të quajtur “Brigada Sever” në rrjetet sociale, shkruan A2.
Sipas informacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës, veprimet hetimore kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit, M. R. (mashkull kosovar, lindur në vitin 2004), i cili është arrestuar më 10 janar 2025 në Zveçan.
Gjatë ndalimit, ai është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe është kryer një kontroll në banesën e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje.
Ky kërcënim ndaj Kurtit, erdhi në kohë fushate zgjedhore dhe pak kohë pasi LVV zhvilloi një ‘betejë ligjore’ me Listën Serbe, ku kundërshtoi fuqishëm certifikimin e kësaj të fundit.
Bilalli: Kanosja ndaj kryeministrit të vendit duhet merret seriozisht
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.
Së pari, ai u shpreh se siguria dhe stabiliteti janë të rrezikuara nga grupet kriminale e terroriste, ku sipas tij këtë e dëshmon edhe kërcënimi i fundit ndaj kryeministrit.
“Siguria dhe stabiliteti i shoqërive të sotme janë të rrezikuara nga grupet e organizuara terroriste dhe kriminale të cilat kanë interesa materiale, idologjike dhe politike për të shkaktuar destabilitet dhe luftë psikologjike mbi qeveritë, bizneset dhe mediumet në vendet (shtetet) me fuqi dhe kapacitete të fuqishme, qoftë ekonomike dhe ushtarake. Mirëpo, edhe shtetet e vogla janë të atakuara nga grupet e ndryshme kriminale dhe terroriste. Rasti i fundit i kërcënimit ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku këtë rast Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës në Prishtinë ka e inicioi atë si një vepër penale “Kanosje”.
Krahas kësaj, Bilalli tregoi nëse ka rrezik nga kto kërcënime dhe se kush mund të qëndrojë prapa.
Në këtë rast, ai përmendi trei aspekte.
“E para; kjo është çështje që duhet ta hetojnë organet e hetuesisë dhe drejtësisë së R. së Kosovës. Me rëndësi janë edhe informacionet e analitikës së AKI-së.
E dyta; informacione dhe fakte domethënëse mbi strukturën dhe potencialin e kësaj apo këtyre grupeve terroriste.
E treta; kush i financon dhe i armatos grupet terroriste (kush financon “Brigaden Sever" grupin terrorist të serbëve në veri të Kosovës”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, eksperti i gjeopolitikës foli edhe mbi mundësinë e lidhjes së këtij kërcënimi me zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Në kohë fushate fjalori toksik, zhurma dhe piskamet marrin hovë ndoshta edhe mesazhet me rrezik jete. Mendoj që kanosja ndaj kryeministrit të vendit duhet merret seriozisht dhe duhet hetuar me urgjencë nga organet e hetuesisë. Jam i bindur se kjo nuk është ndonjë gjë e rastësishme, por e planifikuar, organizuar dhe sinkronizuar me kohën dhe vendin, që le mundësi për shumë teori të konspiracionit”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.
Halilaj: Sulm shumë serioz, e aq më tepër kur dihet që burimi i tij vjen direkt nga Beogradi zyrtar
Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj tha se kërcënimi ndaj Kurtit përbën sulm ndaj rendit kushtetues të vendit tonë.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se ky rast duhet të merret seriozisht dhe nuk duhet të neglizhohet.
“Kërcënimet ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përbëjnë sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit tonë.
Si të tilla, nuk duhet neglizhuar e as nuk duhet të merren si të izoluara, e as si sulm ndaj një individi, por si një sulm shumë serioz, e aq më tepër kur dihet që burimi i tij vjen direkt nga Beogradi zyrtar”.
Po ashtu, Halilaj tha se në raste të tilla insitucionet e sigurisë nuk duhet të jenë të qeta, pas këtij rasti.
“Në këto situata, askush nga insitucionet e sigurisë nuk guxon të ndihet i qetë, ku në rast realizimi të asaj kanosje të thirrej kinse kam qenë në “terr informativ”.
Aq më tepër kur dihen goditjet e fundit që Qeveria i ka bërë strukturave kriminale të cilat kanë ekzistuar për 25 vite”, shpjegoi ai.
Në fund, avokati tha se ngjarjet e tilla do duhej të përcilleshin edhe nga ndërkombëtarët.
“Gjithashtu, KFOR-i, EULEX-i, si autorite me legjitimitet të plotë në aspektin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duhet t’i përcjellin këto dukuri përmes linjave direkte të tyre, tek shtetet prej nga vijnë, por edhe tek institucionet tjera deri te niveli më i lartë i Këshillit të Sigurimit. Kjo në mënyrë që planet ruso/serbe të ngelin të pazbatuara, ndërsa ne vendorët padallim duhet të japim kontributin secili me mundësinë e tij, në planin e Qeverisë lidhur me shtrimin e sovranitetit dhe sundimit të ligjit në çdo cep të vendit, ngase përveç tjerash ky është edhe obligim Kushtetues”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.