Kishte shprehur interesim që nga vitit 2019 dhe ishte refuzuar, por Donald Trump nuk tërhiqet për blerjen e ishullit të Grenlandës me vetëm 57.000 banorë.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se dëshiron ta bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së, madje nuk e përjashton as përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta detyruar Danimarkën që ta dorëzojë ishullin me rëndësi strategjike dhe të pasur me minerale.
“Grenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht nëse dhe kur të bëhet pjesë e vendit tonë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social të hënën.
“Kjo është një marrëveshje që duhet të bëhet”, ka thënë Trump të martën, ndërsa djali i tij, Donald Trump Jr., bëri një vizitë private në Grenlandë.
Në anën tjetër, Danimarka ka thënë se Grenlanda nuk është në shitje, por është e hapur për bashkëpunim më të thellë me Shtetet e Bashkuara.
“Unë shoh se Presidenti, që do të marrë detyrën së shpejti, ka vëmendjen e përqendruar në Arktik dhe unë këtë e kuptoj. Këtë vëmendje e kemi shtuar edhe ne nga pala daneze, e kemi edhe brenda NATO-s”, është shprehur ministri i jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen.
Udhëheqës të tjerë evropianë kundërshtuan komentet e zotit Trump.
“As që bëhet fjalë që Bashkimi Evropian të lejojë cilindo vend në botë dhe më lejoni të them duke filluar nga Rusia të përcaktojë kufijtë e tij sovran”, ka thënë ministri i jashtëm francez Jean Noël Barrot.
“Parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht nëse është në lindje apo në perëndim”, ka deklaruar kancelari gjerman Olaf Scholz.
Qeveria e Grenlandës, ndërkohë, po bën trysni për mbajtjen e referendumit për pavarësi të plotë dhe thotë se vetëm banorët e saj do të vendosin të ardhmen e ishullit.
Çfarë pozicioni duhet të mbajë Kosova në këtë çështje dhe a mund të ketë qasje të ngjashme edhe sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, kanë folur për gazetën “Bota sot” analistët.
Kasolli: Shpërfaqja e tensioneve të tilla gjeopolitike ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, mund të ketë implikime edhe për pozicionin delikat të Kosovës
Analisti Afrim Kasolli, thotë se deklarata e e presidentit të SHBA-së ka shkaktuar shok diplomatik në nivel global.
“Deklarimi i Presidentit të sapo zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, se nuk e përjashton as përdorimin e forcës, me qëllim pushtimin e ishullit të Grenlandës si dhe rimarrjen nën kontroll të Kanalit të Panamasë, nga ky shteti Amerikës Latine, ka shkaktuar shok diplomatik në nivel global. Sipas të parit të Shtëpisë së Bardhë, sovraniteti amerikan mbi “ishullin e akullt” që po shkrihet më shpejtësi meteorike është interes nacional i SHBA-ve. Kurse sa i përket Kanalit të Panamasë, “ripushtimi” i tij është bërë imperativ strategjik, ngase shteti i Panamasë ka abuzuar me gjenorezitetin e Uashingtonit. Ky i fundit, ua kishte dorëzuar të parëve administrimin e Kanalit, e jo Kinës, ka pohuar ndër të tjera Presidenti Trump. Prandaj, edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ekspansionizëm të pastër territorial, por për një domosdoshmëri me qëllim kufizimin e ambicieve dhe shtrirjes hegjemonike globale të shtetit aziatik”, shprehet Kasolli.
Duke parë mos pajtimet SHBA- BE për çështjen e Grenlandës, rrjedh pyetja se çfarë pozicioni duhet të mbajë Kosova?
Kasolli thotë se për arsye historike ka raporte specifike me superfuqinë e vetme planetare, madje ajo shihet si garantuesja kryesore e sigurisë shtetërore, por sipas tij, Kosova ka qëllim strategjik integrimin në Bashkimin Evropian.
Kjo çështje, sipas Kasollit, do të jetë njëra nga sfidat e ardhshme strategjike për Kosovën në “rendin e ri botëror”.
“Megjithatë, shpërfaqja e tensioneve të tilla gjeopolitike ndërmjet SHBA-ve dhe BE-së, mund të ketë implikime edhe për pozicionin delikat të Kosovës. Pra çfarë pozicioni duhet të mbajë Prishtina në këtë kontest të ri territorial global?. Në njërën anë, Kosova për arsyeje historike ka raporte specifike me superfuqinë e vetme planetare, madje kjo e fundit shihet si garantuesja kryesore e sigurisë shtetërore, por në anën tjetër e ka si qëllim strategjik integrimin në Bashkimin Evropian. Madje, më qëllim të lehtësimit të kësaj agjende(përkundër reformave të brendshme), ka më shumë se një dekadë që Prishtina merr pjesë në dialog më Serbinë të lehtësuar nga Brukseli, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si parakusht për integrim. Po ashtu, çdo shtet që ka aspirata të tilla, e ka obligim harmonizimin e plotë të politikës së jashtme me atë të Brukselit. Mbase kjo do të jetë njëra nga sfidat e ardhshme strategjike për Kosovën në “rendin e ri botëror””, shprehet analisti.
Grenlanda ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet, por tani kontrollon shumicën e punëve të saj të brendshme si një territor gjysmësovran nën mbretërinë daneze.
Ajo është bërë territor zyrtar i Danimarkës në vitin 1953 dhe i nënshtrohet Kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e saj ligjor, do të kërkonte ndryshime kushtetuese.
Në vitin 2009, ishullit i është dhënë një autonomi e gjerë vetëqeverisëse, përfshirë edhe të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes referendumit.
Ramabaja: Duhet të theksohet vazhdimisht rëndësia e NATO-s për sigurinë rajonale
Në anën tjetër, analisti Sadri Ramabaja, thotë se Trump me deklaratat e fundit po rrëshqet gradualisht drejt periudhës së rikalibrimit dhe rishikimit të marrëdhënieve transatlantike.
“Me deklaratat e fundit të Donald Trump-it rreth mundësisë së aneksimit të ishullit të Grenllandës dhe "Anschlussit" të Kanadasë, hemisfera perëndimore po rrëshqet gradualisht drejt periudhës së rikalibrimit dhe rishikimit të marrëdhënieve transatlantike. Presidenca e Trump-it nuk do t'ia arrijë dot ta thyejë në boshtin e saj aleancën perëndimore, por do t'i tendosë raportet qenësore dhe do të shkaktojë një lloj test-stresi për Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe të marrëdhënieve, në plan të gjerë, mes Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian”, deklaron Ramabaja.
Sipas tij, pozicioni më i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën në një përplasje të mundshme transatlantike do të ishte ruajtja e një balancimi të kujdesshëm dhe një qasje diplomatike pragmatike
Ai thekson se NATO ka rëndësi për siguri rajonale dhe duhet mbështetur çdo përpjekje për ruajtjen e unitetit brenda aleancës.
“Në këto rrethana, strategëve perëndimorë ju mbetet të mbarështrojnë hapat për menaxhimin e ndër vartësisë reciproke. Pozicioni më i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën në një përplasje të mundshme transatlantike do të ishte ruajtja e një balancimi të kujdesshëm dhe një qasje diplomatike pragmatike. Shqipëria dhe Kosova janë shtete të vogla që mbështeten shumë tek aleancat strategjike për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. NATO dhe BE mbeten shtylla të rëndësishme për të dy vendet. Duhet të theksohet vazhdimisht rëndësia e NATO-s për sigurinë rajonale dhe të mbështetet çdo përpjekje për ruajtjen e unitetit brenda aleancës”, përfundon analisti.
Grenlanda, pjesë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik.
Ushtria amerikane ka prani të përhershme në bazën ajrore, Pitufik, në veriperëndim të Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interesim për zgjerimin e pranisë ushtarake atje, duke përfshirë edhe vendosjen e radarëve për të monitoruar ujërat midis ishullit, Islandës dhe Britanisë, të cilat shërbejnë si portë për anijet e marinës ruse dhe nëndetëset bërthamore.
Grenlanda është gjeografikisht pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut dhe është jetike për Shtetet e Bashkuara që të parandalojnë ndonjë fuqi tjetër të madhe për të krijuar terren në ishull, thotë Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert për Grenlandën në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare.