Në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për themelimin e një fabrike të municioneve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo ishte nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi" (MKE),, kishte deklaruar se “po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes”.
“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.
Ditë me parë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka pohuar se vendi ynë do të prodhojë armë për NATO, dhe se Kosova është duke negociuar me disa shtete për të nisur edhe themelimin e laboratorit për dizajnimin e dronëve.
Gjithashtu, ai e ka përmendur se janë në kërkim të një lokacioni për të ndërtuar fabrikën për prodhimin e municionit.
“Tashmë pas nënshkrimit të kontratës kompania prodhuese turke ka filluar pra prodhimin e makinerisë së nevojshme për prodhimin e municioneve. Nuk mund ta jap saktë kohën, por çka mund të them është më shumë se një vit e më pak se dy vite koha kur ne do të kemi mundësinë të shohim prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës”, ka thënë Maqedonci në një intervistë për Top Channel.
Shala: Një hap i rëndësishëm për avancimin teknologjik
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, e ka mirëpritur krijimin e këtij laborator për dizajnimin e dronëve, të cilin e quan një hap i rëndësishëm për avancimin teknologjik dhe përfshirjen strategjike të Kosovës në industrinë e mbrojtjes globale.
“Nisma për të prodhuar armë për NATO dhe për të themeluar një laborator për dizajnimin e dronëve është një hap i rëndësishëm për avancimin teknologjik dhe përfshirjen strategjike të Kosovës në industrinë e mbrojtjes globale. Kjo do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve kombëtare dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Shala shtuar se para se të vendoset se ku do të bëhet ndërtimi i fabrikës për prodhimin e municionit, duhet të merren parasysh disa gjëra.
Ai ka sugjeruar disa zona të cilat do të ishin të përshtatshme për fabrikën në fjalë.
“Sa i përket vendosjes së fabrikës për prodhimin e municionit, është e rëndësishme që të merret parasysh infrastruktura ekzistuese, siguria, dhe qasja në resurse. Zonat me potencial industrial, si p.sh. Drenica apo Mitrovica, mund të jenë të përshtatshme për shkak të traditës në industri dhe afërsisë me burimet e nevojshme. Po ashtu, është thelbësore që ky projekt të realizohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mjedisit, duke shmangur çdo ndikim negativ në komunitet”, ka shpjeguar Shala.
Më tej, ai ka cekur se ky projekt do të tërheqë investime strategjike nga partnerë ndërkombëtarë.
“Ky projekt ka potencial për të vendosur Kosovën si një faktor serioz në fushën e mbrojtjes dhe për të tërhequr investime strategjike nga partnerë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Shala.
Hoxha: Institucionet e Kosovës duhet të konsultohen me aleatët
Kurse, ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Hafir Hoxha, për “Bota sot” ka treguar se cilat janë problemet të cilat ndikojnë në përforcimin dhe përgatitjen e strukturave të sigurisë.
“Republika e Kosovës edhe pse nga pavarësia e saj më 17.02.2008 e pranuar si shtet i pavarur ende ka kufizime nga rezoluta 1244 që t`i zhvillon shumë struktura kryesore të shtetësisë së saj, me faktin që ende nuk është si shtet anëtare e OKB-së. Dhe nuk njihet pavarësia e saj nga 4 shtete të BE-së dhe nuk njihet pavarësia e saj nga Serbia, i cili shtet të gjitha institucionet e Kosovës i njeh si struktura të përkohshme ilegale, kurse Forcat e Sigurisë së Kosovës-(FSK) dhe Policinë e Kosovës i trajton si grupe ilegale të armatosura në territorin e saj të brendshëm të Serbisë, duke e llogarit tërë territorin e Kosovës si pjesë të saj.
Këto gjëra paraqesin problem shumë serioz në përforcimin e shtetit të Kosovës në zhvillim në aspektin ekonomik, e posaçërisht në përforcimin dhe përgatitjen e strukturave të sigurisë që një ditë të marrin përgjegjësinë nga NATO, që Forcat e Kosovës të kujdesën për siguri, për të garantuar mbrojtjen e brendshme të Kosovës dhe të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, të cilat janë të kërcënuara nga Serbia”, ka shpjeguar Hoxha.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimet e Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s në fushën e sigurisë.
Në këto bashkëpunime, sipas Hoxhës është nënshkruar edhe marrëveshja për fabrikën e municionit që do të ndërtohet në Kosovë.
“Kosova me disa aleatë të saj e që në të njëjtën kohë janë anëtarë të NATO-s janë zhvilluar bashkëpunim bilateral në përforcimin e sigurisë në vend duke investuar në kuadrat, në trajnime, aftësim e shkollim të Policisë së Kosovës, të FSK-së në rolin e Ushtrisë së Kosovës duke i armatos ato struktura dalëngadalë ku këto bashkëpunime Kosova i zhvillon me Shqipërinë, Turqinë, SHBA-në, Anglinë dhe Gjermanin më së shumti. Këtë vit në bashkëpunim me Turqinë ishte nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e një fabrike të municionit në Kosovë.
Çka nënkuptojmë me municion? Municione (ose Municionet) është emri që i jepet një grupi predhash të përdorura për luftë, duke përfshirë bomba, raketa, koka luftarake, mina tokësore, mina detare, mina kundër personelit dhe fishekë armësh zjarri. Fjala municion vjen nga frëngjishtja: municion, nga latinishtja: munire = vendos. Municioni është një grup fishekësh, predhash i destinuar për të mbushur një armë zjarri. Ai përbëhet nga të paktën një ngarkesë shtytëse dhe një (ose më shumë) predhë(a) (e shtënë, plumb, predhë)”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.
Ndër tjera, Hoxha ka shtuar se ndërtimi i kësaj fabrike mund të llogaritet si kërcënim për Serbinë.
“Kjo fabrikë që do të ndërtohet, vjen në një situatë të tensionuar në rajon dhe më gjerë. Ku Serbia e llogarit si kërcënim ose akt të rrezikshëm për pakicën serbe në Kosovë, e që në realitet ajo ideologji ose “arsye” e Serbisë të kundërshton ose të pengon ndërtimin e saj nuk do të jetë i arsyeshëm. Sepse Policia e Kosovës dhe FSK-ja edhe tani kur nuk prodhon Kosova municion ka kapacitete dhe fuqi të mjaftueshme për të zhvilluar ato seksione që Serbia pretendon ose arsyetohet se munden t`i marrin Forcat e Sigurisë kundër popullatës serbe në Kosovë.
Të gjithë faktorët ndërkombëtarë edhe anëtarët e NATO-s e dinë dhe kanë dëshmi që Forcat e Sigurisë të Kosovës qysh tani kanë detyrën kryesore që të mbrojnë rendin dhe ligjin në Kosovë, në angazhim të shtuar të mbrojnë të drejtat dhe lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve e në veçanti të pakicës serbe këtu”, ka theksuar ai.
Ndër tjera, Hoxha ka thënë se Kosova duhet të konsultohet me aleatët për të caktuar një lokacion të sigurt se ku duhet të ndërtohet kjo fabrikë e municionit.
“Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të konsultohen e të bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e lartpërmendur që të gjejnë lokacionin e arsyeshëm dhe të sigurt për ndërtimin e asaj fabrike, të jetë në vend më të sigurt të mundshëm nga ndonjë sulm eventual serbë, të respektohen normat e sigurisë të personelit aty, që qasjes në atë objekt, sigurinë nëntokësore të deponive për deponim dhe ruajtjen e municionit dhe të eliminohen të gjitha mundësitë e sulmeve terroriste, të sabotazhës ose të aksioneve të luftës speciale kundër asaj fabrike dhe deponive të saj”, është shprehur ai
Hoxha ka shtuar tutje se nga prodhimi i municionit Kosova i ka disa përfitime.
“Prodhimi i municionit për armët e kalibrit të vogël për fillim rritë gatishmërinë luftarake në nivel shumë më të mirë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, ruhet buxheti brenda shtetit që dedikohet për furnizim e municioit, dhe krijohen kushte për të zgjeruar programin e prodhimeve të municionit, armatimit dhe pajisjeve të tjera ushtarake në drejtim të doktrinës gjithë popullore për të aftësuar, stërvit dhe duke i paijsur mirë strukturat aktive dhe ato rezervë për të siguruar një ambient për të gjithë banorët e Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë duke u ndihmuar aleatëve të NATO-s që të zvogëlojnë shpenzimet e tyre për të siguruar rendin dhe paqen e sigurt në Kosovë. E sa më parë t’i tregojmë aftësitë dhe gatishmërinë tonë se jemi të gatshëm të marrim ato detyra në përgjegjësin tonë dhe të bëhemi edhe anëtar të forcave të NATO-s që t`i ndihmojmë ata edhe jashtë kufijve të Kosovës, të garantojmë siguri aty ku kërkohet angazhimi ynë”, ka përfunduar Hoxha.