A do të ketë sërish persona të vdekur në listat zgjedhore? Flasin juristët, kërkojnë koordinim në mes këtyre institucioneve

Politika

A do të ketë sërish persona të vdekur në listat zgjedhore? Flasin juristët, kërkojnë koordinim në mes këtyre institucioneve

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 12 janar 2025 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen brenda pak javësh. Partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore e gjithë përgatitjet për këtë garë për të qeverisur me shtetin.

Megjithatë, një problem që zakonisht i ka përcjellur zgjedhjet duket se do të zë vend edhe kësaj radhe.

Listat zgjedhore edhe kësaj radhe nuk janë pastruar nga personat e vdekur. Madje në këto lista ka persona që kanë vdekur më tepër se një dekadë më parë.

Kështu, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se autoritetet e vendit kanë dështuar në pastrimin e listave zgjedhore. Ai ka thënë se ka problem me pastrimin e listave me personat që kanë vdekur, sidomos para vitit 2013 kur s’ka pasur sistem të unifikuar të regjistrit qendror civil mes nivelit lokal dhe atij qendror.

Kush duhet të marrë përgjegjësinë për pastrimin e listave zgjedhore nga personat e vdekur, kur kjo mund të ndikojë negativisht në mbarëvajtjen e zgjedhjeve?

Për këtë ҫështje kanë folur për ‘Bota sot’ juristët, duke treguar se kush duhet të marrë përgjegjësinë për këtë neglizhencë.

Bajraktari: Ligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil i dorëzon KQZ-së esktraktin e rifreskuar me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të listës votuese

Image
Ardian Bajraktari

Kështu, avokati Ardian Bajraktari, thotë se, bazuar në dispozitat e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban listen e votuesve dhe siguron që e njëjta bazohet në të dhënat e sakta, të përditësuara dhe më të fundit të Registrit Qendror Civil dhe e cila në menyrë sistematike largon nga lista personat e vdekur dhe personat që kanë hequr dore nga shtetësia.

“Lista e votuesve përmbanë ekstraktin me të vonë në dispozicion nga Registri Qendror Civil i të gjithë votuesve me të drejtë vote, të cilët janë regjistruar si shtetas të Kosovës sipas Ligjit për shtetësinë, si dhe të gjithë shtetasit me të drejtë vote jashtë Kosovës, të cilët në mënyrë të suksesshme kanë aplikuar dhe janë regjistruar për votim në perfaqësi diplomatike apo përmes postës, si votues jashtë Kosovës”, vlerëson avokati.

Ai thotë ndër të tjera se Ligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil i dorëzon KQZ-së esktraktin e rifreskuar me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të listës votuese.

“Kurse Ligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil, thekson shprehimisht se bazuar në Ligjin përkatës për zgjedhjet e përgjithshme (Agjencia e Regjistrimit Civil) bashkëpunon me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Të njëjtit, dy herë në vit apo me kërkesën e KQZ, i dorëzon ekstraktin e rifreskuar të Regjistrit Civil, me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të listës votuese në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

Burjani: Nëse të gjithë qytetarët shkojnë dhe marrin ҫertifiktat mortore për familjarët e tyre atëherë ky problem nuk do të ishte

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe profesori dhe juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani.

Ai thotë se, listat zgjedhore nga personat e vdekur pastrohen me koordinim në mes të MPB-së, Agjencionit për Regjistrim Civil dhe komunave.

“Kjo ҫështje bëhet në koordinim me MPB, Agjencionin për Regjistrim Civil, Komunat. Deri më tash pothuajse ka qenë e pamundshme kjo të ndodh, për shkak se nuk ka bashkëpunim të vazhdueshëm në mes institucioneve dhe në anën tjetër për mosvetëdijësim të qytetarëve që të ҫ’regjistrojnë personat e vdekur, pra nëse të gjithë qytetarët shkojnë dhe marrin certifiktat mortore për familjarët e tyre atëherë ky problem nuk do të ishte”, vlerëson profesor Burjani.

Sipas tij, përveҫ familjarëve askush nuk mund të bëj të ditur nëse personi është në jetë ende.

“Do të thotë se kjo nuk është e mundur ndryshe, askush nuk mund të dijë se a është në jetë personi përveҫ familjarëve të tyre, nëse ata nuk e lajmërojnë dhe nuk marrin certifikatë mortore, ata figurojnë në listën votuese. Problemi tjetër është se azhurnimi i listës votuese duhet të ndodhë gjithmonë, pra jo vetëm në zgjedhje, me tentu me i pastru listat”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat