“Ky është lajmi i duhur që i nevojitet Kosovës në këto momente”, Azemi flet për marrëveshjen me SHBA-në – komenton mesazhin e Verma-s

Politika

“Ky është lajmi i duhur që i nevojitet Kosovës në këto momente”, Azemi flet për marrëveshjen me SHBA-në – komenton mesazhin e Verma-s

Nga: A.M. Më: 13 janar 2025 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Së fundi, Sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma vizitoi Kosovën, me që rast edhe zhvilloi një takim të rëndësishëm me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë takim, Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-së, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-së, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces.

Kësisoj, ky erdhi si një konfirmim se raportet Kosovë-SHBA vazhdojnë të jenë të mira dhe se do ketë koordinim dhe bashkëpunim me dy vendeve.

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Emin Azemi.

Së pari, ai u shpreh se ky lajm është i duhur dhe vjen pikërisht në kohë të duhur.

Image
Emin Azemi.

Krahas kësaj, shpreson që frymën e kësaj deklarate të Vermas, tA vazhdoj edhe adminstrata e re e zotit Trump.

“Ky është lajmi i duhur që i nevojitet Kosovës në këto momente. Dobia e këtij lajmi është e shumëfisht, aq më tepër që vjen në kohën kur pritet të ndodhë ndërrimi i drejtuesve të Shtëpisë së Bardhë në Ëashington. Uroj që në frymën e kësaj deklarate që doli pas takimit të sipërpërmendur, të vazhdoj edhe adminstrata e re e zotit Trump, duke e konsideruar Kosovën një faktor të rëndësishëm në përhapjen e disponimit proamerikan në rajon. Kosova asnjëherë nuk ka udhëhequr politikë që cënon interesat amerikane në Ballkan, siç ka vepruar dhe po vepron Beogradi zyrtar, duke koketuar hapur me Moskën dhe Pekinin në dëm të intersave euro-atlantike”, deklaroi publicisti.

Po ashtu, Azemi tha se dialogu strategjik që ka SHBA është sinjal që tregon se Kosova është në rrugë të drejtë dhe të duhur.

Në këtë pikë, ai foli edhe për sigurinë dhe stabilitetin në territorin e Kosovës, si dhe veprimet që janë marrë në këtë aspekt.

“Stabiliteti i Kosovës aktualisht është prodhim i sigurisë së brendshme, që vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të shtri kontrollin në gjithë territorin, përfshi edhe veriun, por është edhe prodhim i sigurisë së forcave të KFOR-it përgjatë kufijve të Kosovës, ku amerikanët e kanë rolin më domethënës. Gjatë gjithë kohës sa KFORi patrullon kufijtë e Kosovës, njëkohësisht u bëhet edhe njëfarë testi forcave të brendshme që prodhojnë stabilitet. Një shtet që varet kryekëput nga faktorët e jashtëm, pa ofruar kapacitete të brendshme të sigurisë, ai shtet herët a vonë falimenton. Në rastin e Kosovës po ndodhë që stabilteti i brendshëm po shpreh më së miri efikasitetin e mekanizmave shtetërorë për të ofruar siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët, dhe përderisa është kështu, një shtet serioz siç është Amerika, këtë e vlerëson lartë dhe nuk heziton që Kosovën ta trajtojë se partrner strategjik rajonal. Në këtë kontekst e shoh edhe gatishmërinë amerikane për të finalizuar marrëveshjen për dilalog strategjik, një tregues ky që na bën të kuptojmë se Kosova është në rrugë të drejtë dhe të duhur. Çdo kush që mundohet ta shikoj Kosovën jashta këtyre konstelacioneve, i bën një shërbim të madh Serbisë, e cila gjatë gjithë kohës po mundohet të paraqitet gjoja konstruktive në raport me Kosovën, paçka se udhëheqja në Beograd punon natë e ditë që Kosovën ta mbajë në kuadër të Serbisë dhe jashta strukturave euro-atlantike”, theksoi ai.

Në fund, Azemi potencoi se sa më shumë që ka disponim proamerikan në Kosovës, aq më të papërfillshme do të bëhen përpjeket ruse.

“Shpresoj që në katër vitet e ardhshme rrugëtimi euro-atlkantik i Kosovës të jetë një prej pririteteve dominuese të qeverisë së ardhshme, sepse sa më shumë të punohet për këtë rrugëtim, aq më shumë i ngushtohet Serbisë hapësira e manovrimit me kërkesa iracionale ndaj Kosovës. Me fjalë të tjera, sa më shumë të dominojë disponimi proamerikan në Kosovës, aq më të papërfillshme mund të bëhen përpjeket ruse, përmes politikave destruktive të Beogradit, për shtrirje të ndikimit në këtë pjesë të rajonit”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.       

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat