Deklarata për Grenlandën solli reagime të forta, nga Mali i Zi tregojnë qëndrimin e tyre/ Ja pse përmendin Kosovën

Politika

Deklarata për Grenlandën solli reagime të forta, nga Mali i Zi tregojnë qëndrimin e tyre/ Ja pse përmendin Kosovën

Nga: N.E Më: 13 janar 2025 Në ora: 11:59
Donald Trump

Deklaratat për nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin mbi Grenlandën, ka ngjallur reagime të forta.

Nëse presidenti i sapo zgjedhur do të vendoste me të vërtetë të kontrollonte ishullin më të madh në botë, ai mund të përpiqej ta blinte, në rast se territori autonom shpallte pavarësinë nga Danimarka.

Gjithashtu, mund të konsideronte opsionin që Grenlanda të bëhej një territor i SHBA-ve, i ngjashëm me Porto Rikon, ose të përfshihej në një marrëveshje të ngjashme me atë që SHBA-ja ka me Mikronezinë dhe Ishujt Marshall, ku ushtria amerikane ka qasje të pakufizuar në këmbim të ndihmës mbrojtëse dhe financiare.

Trump, i cili do të inaugurohet si president më 20 janar, e ka përshkruar kontrollin mbi Grenlandën, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, si një “domosdoshmëri absolute”.

Në anën tjetër, kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, ka shprehur gatishmëri të bisedojë me presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Egede u tha gazetarëve në Kopenhagë se ende nuk ka pasur kontakte me Trumpin, “por jemi të gatshëm për bisedime”.

Image
Grenlanda

“Danimarka dhe Grenlanda janë të gatshme të intensifikojnë dialogun me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi bashkëpunuar me SHBA-në në të kaluarën dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, pohoi ai.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi të enjten se ka kërkuar një takim me 78-vjeçarin, por nuk pret që ai të ndodhë para inaugurimit.

Nga Kosova nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë çështje, ndërsa nga Mali i Zi thonë se nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të rrugëve për prezencën më të madhe të SHBA-së për arsye të sigurisë, por edhe ekonomike.

Nënkryetari shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, aspiratat e SHBA-së për ta blerë Grenlandën janë të kahmotshme.

Por, sipas tij, nuk do të ketë një skenar për përdorimin e forcës për marrjen e Grenlandës.

“Aspiratat e SHBA-së për të blerë Grenlandën janë të kahmotshme (që nga viti 1868, 1946 e deri në 1971), duke cekur shumë arsye, gjeopolitike dhe ekonomike, që mbështesin një aspiratë të tillë. Pra, një ide e tillë është e vjetër, por unë nuk besoj në një skenar për përdorimin e forcës për marrjen e Grenlandës. Në rend të parë sepse mendoj se një sistem i përkryer demokratik, e nëse ekziston një i tillë, janë SHBA-të, qeveriset nga interese më afatgjate se ç'është një mandat, apo një president, e aq më pak nga ajo që mund të jetë një mendim me zë i një presidenti. Fakt se retorika e Trumpit është më nacionaliste, apo më e djathë proamerikane, seç jemi mësuar ta dëgjojmë ndër kandidatët e tjerë, të cilët promovojnë liberalizmin dhe solidaritetin internacional. Ai e do Amerikën madhështore dhe dominante në çdo drejtim, por mbi të gjitha do ta mbrojë përmes forcimit të dominimit ekonomik, e jo përmes mbrojtjes së "të vegjëlve" diku atje larg”, thotë Camaj.

Image
Nikollë Camaj

Nëse prezenca e njësive detare ruse rrezikon sigurinë kombëtare amerikane dhe angazhimi përmes NATO-s nuk është i mjaftueshëm, atëherë sipas Camajt, ka mundësi që amerikanët të kërkojnë rrugë, gjithnjë diplomatike.

“Unë pra, nuk përjashtoj mundësinë e kërkimit të rrugëve për prezencën më të madhe të SHBA-së, në dy rajonet e pwrmendura, në rend të parë për arsyena të sigurisë, por edhe të ekonomisë. Nëse prezenca e njësive detare ruse rrezikon sigurinë kombëtare amerikane dhe angazhimi përmes NATO nuk është i mjaftueshëm, ka mundësi që amerikanët të kërkojnë rrugë, gjithnjë mendoj diplomatike, për një trajtesë ndryshe të Grenlandës, së paku për të drejtën e monitorimit të pjesëve veriore të globit, drejtpërdrejt nga SHBA. Por, nuk besoj në ndërhyrje pa marrëveshje.

Ajo që gjithnjë duhet konsideruar është se asgjë nuk mund të ndodhë pa vullnetit e vet qytetarëve të Grenlandës, si shtetas evropian”, shprehet nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi.

Në anën tjetër, Franca dhe Gjermania kanë shprehur një qëndrim kundër.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, i ka thënë radios France Inter se “Nuk bëhet fjalë që BE-ja të lejojë që shtete të tjera në botë, kushdo që të jenë ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë.” Ndonëse, ai ka shtuar se, megjithatë nuk besonte se SHBA-të “do të pushtonin” Grendlandën, por pa përjashtuar faktin se “kemi hyrë në një epokë ku po lulëzon modeli i rikthimit të ligjit të më të fortit.”. Kritike ndaj këtyre veprimeve është shprehur edhe Gjermania.

Ndërkohë, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se në rast të një skenari të tillë, atëherë do të aktivizohej, paragrafi 7 i nenit 42 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Sipas këtij neni “ nëse një Shtet Anëtar është viktimë e një agresioni të armatosur në territorin e tij, Shtetet e tjera Anëtare kanë për detyrim ta ndihmojnë dhe mbështetin me të gjitha mjetet që kanë në dorë, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Një retorikë e tillë, sipas Camajt, nuk mund të pritej mirë nga evropianët, por miqësia Meloni- Trump mund të ndikojë ndjeshëm pozitivisht në raportet SHBA- Evropë.

“Natyrisht se një retorikë e tillë, sado e pabazë që është, nuk mund të pritej mirë nga evropianët, mirëpo pas takimit të kryeministres italiane, zonjes Giorgia Meloni me Trumpin dhe deklaratës së saj se rreziku nga një skenar i tillë nuk ekziston, janë pakuar mendimet e mundësisë së përplasjes me Evropën. Madje llogaritet se miqësia e tyre mund të ndikojë ndjeshëm pozitivisht, në raportet SHBA-Evropë.

Jam i mendimit se Trump do të investojë shumë në vënien e paqes mes Rusisë e Ukrainës dhe mes Izraelit e Palestinës. Besoj se do të fokusohet edhe në Siri. Jam i bindur se Trump do të arrijë të vejë paqe, por se a do të jenë të gjithë të kënaqur, mbetet të shohim. Sidomos druaj se Ukraina mund te jetë e detyruar të paguaj çmimin e paqes me ndonjë copë territor! Por, kompromisi që do të mund të arrihej do të ishte Ukraina në BE dhe në NATO”, thekson Camaj.

Ndërsa, duke përmendur Kosovën, Camaj shpreh bindjen se administrata e re amerikane do të luftojë për një situatë vin- vin.

“Sa i përket Kosovës, jam i bindur se administrata e re amerikane do luftojë për një situatë vin-vin, por kam droje se ftohja që, sipas disa prononcimeve të përfaqësuesve të administratës në ardhje, ka ndodhur mes administratës amerikane dhe asaj të Kosovës, mund të mos jetë në favorin tonë. Ne nuk guxojmë të biem në pyetje miqësinë shqiptaro-amerikane, me çka do t'i jepej hapësirë Serbisë.

Përndryshe, edhe pse për momentin është i panjohur qëndrimi i administratës së re amerikane ndaj Kosovës, dua të besoj se dashamirësia amerikane ndaj shqiptarëve, e dëshmuar me shekuj, nuk do të mungojë as në zgjidhjen përfundimtare të nyjës Kosovë-Serbi, apo Kosovë-BE”, përfundon Camaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat