Kurti u kërcënua pak para hapjes së fushatës zgjedhore, juristi nga Belgjika vjen me thirrje të fortë: Ka prapavijë politike, duhet të…

Politika

Kurti u kërcënua pak para hapjes së fushatës zgjedhore, juristi nga Belgjika vjen me thirrje të fortë: Ka prapavijë politike, duhet të…

Nga: A.M Më: 13 janar 2025 Në ora: 17:56
Albin Kurti

Vetëm një ditë para hapjes së fushatës zgjedhore, u njoftua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar.

Me këtë rast, u bë e ditur se një person u ndalua nga policia e Kosovës.

Arrestimin e tij e konfirmoi edhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në njoftim u tha se më 7 janar 2025 është iniciuar një rast për veprën penale “kanosje”, pas kërcënimeve ndaj Kurtit dhe postimeve kërcënuese për dhunë në emër të grupit të quajtur “Brigada Sever” në rrjetet sociale.

E në lidhje me kërcënimin e fundit ndaj kryeministrit Kurti, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai u shpreh se kjo nuk është hera e parë që po kërcënohet Kurti, pasi që nga marrja e pushtetit kjo gjë ka ndodhur disa herë.

Për këtë, ai shtroi një pyetje se kujt i konvenon likuidimi i kryeministrit.

“Nuk është hera e parë që kryeministri Kurti kërcënohet apo i përgatitet atentat, kjo ka ndodh disa herë, që nga marrja e pushtetit, të cilat kanë ardhur nga Kosova, por edhe jashta saj. Në këtë kuptim janë edhe kërcënimet e fundit që u publikuan ditë më parë në rrjetet sociale nga një person i nacionalitetit serb, i cili kishte kërcënuar me jetë kryeministrin Kurti në emër të organizatës « Brigadat e Veriut », që Qeveria e Kosovës vitin e kaluar e shpalli si organizatë kriminale terroriste, bashkë me « Mbrojtjen Civile », të cilat kanë operuar që nga paslufta, e që kanë qenë nën kontroll të Radoiçiqit. Pasi që Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda zbuloi identitetin e vërtetë të personit, ai u bastis dhe në banesën e tij u gjet një arme pa leje, prandaj u arrestua dhe gjendet në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu edhe para dy vite ishte planifikuar një atentat kundër Kurtit, që njihej si operacioni « Metamorfoza », i zbuluar sipas përgjimeve nga shërbimet e Francës, Belgjikës dhe Holandës. Edhe pse dihej personi, i cili do t’a kryente atentatin, që ishte i njohur për botën e krimit dhe ishte një vrasës me pagesë, ende nuk dihen porositësit.

Mirëpo, pyetja e vërtetë që shtrohet, është se, kush është i interesuar dhe kujt i konvenon likuidimi i kryeministrit Kurti?!”.

Image
Skënder Musliu

Për këtë, ai shtjelloi tri shkaq që mund t’i kenë sjellë këto kërcënime ndaj të parit të qeverisë.

Fillimisht, këtë e ndërlidhi me zhvillimet e fundit në pjesën veriore, si dhe vendimet që ka marrë qeveria Kurti, përmes të cilave ka goditur bandat kriminale serbe dhe veprimtaritë e tyre në këtë pjësë të vendit.

Duke analizuar këtë pjesë, Musliu thotë se për likuidimin e kryeministrit Kurti, më i interesuari është Vuçiqi.

“Së pari, pjesa veriore e Kosovës, që nga paslufta e deri në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ishte shndërruar në territor të kontrabandës, korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe qenie njerëzore, vrasjeve, frikësimeve dhe nënshtrimit të qytetarëve nga bandat dhe strukturat kriminale serbe, që mbështeteshin dhe financoheshin, por edhe ishin nën kontroll totale të Beogradit. Në Veri të Kosovës bëhej biznis i paligjshëm, shpërlaheshin para të pista, territor ku institucionet e Kosovës pothuajse nuk kishin as ndikim e as kontrollë, por vetëm mafia e kastave të inkriminuara të kaluara të politikanëve shqiptar që bashkpunonin dhe bashkvepronin me ata kishin qasje në këto biznise dhe para të pista. Fatkeqësisht çdo gjë ishte bërë gati, ashtu siç iu kishte premtuar Vuçiqit nga politikanët tradhtar shqiptar, për ndarjen e Kosovës.

Madje edhe kur publikisht, Hashim Thaçi njoftoi opinionin për ndarjen e Kosovës, çdo gjë dukej se shkonte drejt realizimit të këtij projekti, sepse Thaçi dhe koalicioni i tradhëtisë e kishin shumicën e 2/3 bashkë me Listën Serbe për t’a miratuar në Kuvend coptimin e Kosovës, sipas kërkesave të Vuçiqit. Mirëpo, fatmirësisht, erdhën zgjedhjet parlamentare, në të cilat LVV-ja, Lista « Guxo » dhe Alternativa fituan shumicën e votave. Kështu, me ardhjen e Albin Kurtit për kryeministër, situata politike dhe e sigurisë si dhe shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, ndryshoi në mënyrë radikale në favor të Kosovës, mbase Vuçiqi tanimë ishte i sigurtë se, pa luftë e me ndihmën kuislingëve shqiptar, po e fiton pjesën Veriore të Kosovës.

Nga kjo që theksova më lartë, del edhe përgjigja se, për likuidimin e kryeministrit Kurti, më i interesuari është Vuçiqi, i cili, me ardhjen e Kurtit, humbi veriun e Kosovës, dhe tani përmes një atentati eventual nga ndonjë vrasës me pagesë, ai dëshiron t’a përmbys situatën në favor të tij”, theksoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika përmendi edhe reformat në drejtësi, ku tha se me Ligjin për Vetting dhe Ligjin për Byron për Konfisimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, po preken interesat e organizatave kriminale të nëntokës politike.

Së dyti, reformat në drejtësi që kryeministri Kurti, edhe përkundër obstruksioneve të opozitës, don t’i bëjë, bëhen të rrezikshme për strukturat kriminale dhe mafioze të politikanëve të opozitës, të cilët të zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, për dy dekada, në emër të UÇK-së, plaçkitën Kosovën. Sepse me Ligjin për Vetting dhe Ligjin për Byron për Konfisimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, po preken interesat e organizatave kriminale të nëntokës politike. Meqenëse janë në pyetje para dhe pasuri me qindra milionëshe, mbase edhe më tepër, që ata mund t’i humbin, por edhe nga përgjegjësia penale që i presin, andaj për t’i ruajtur të gjitha këto, ata janë në gjendje të bëjnë ç’mos kundër kryeministrit Kurti….

Madje ka patur kërcënime nga individ të ndryshëm, sepse për t’i ikur përgjegjësisë penale dhe për t’a ruajtur pasurinë e pistë, lufta për pushtet bëhet e pamëshirshme, mbase edhe vet Ibrahim Rugova ishte viktimë e disa atentateve”.

Ndër të tjera, ai shtoi se atentati i mundshëm ndaj kryeministrit Kurti, ka prapavijë politike, për këta tha se zgjidhjen duhet kërkuar aty.

Po ashtu, kërkoi që organet e sigurisë t’i kushtojnë rëndësi Kurtit gjatë tubimeve në fushatat zgjedhore.

Së treti, sikurse të kishte qenë kryeministri Kurti i lidhur me korrupsionin, krimin e organizuar dhe i shantazhuar nga oligarkët e inkriminuar, sikurse janë politikanët e profilit më të lartë të Ballkanit Perëndimor, atëherë ndoshta do të kshte dyshime dhe kërcënime nga bota e krimit, mirëpo kjo hipotezë bie poshtë, sepse Kurti është politikani më i pastër.

Mirëpo, një është e sigurtë, se atentati i mundshëm ndaj kryeministrit Kurti, ka vetëm prapavijë politike, andaj edhe zgjidhjen duhet kërkuar aty, sepse puna e tij ia prishë projektet e politikanëve mafioz, si jashtë ashtu edhe brenda Kosovës. Atentati eventual ndaj Kurtit, do të destabilizojë, jo vetëm Kosovën, por edhe Ballkanin Perëndimor, me çka do të rrezikohej siguria dhe paqa e rajonit.

Prandaj, organet e sigurisë së Kosovës, duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe sigurisë së kryeministrit Kurti, në veçanti tani gjatë tubimeve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen me 9 shkurt, kur rreziku është shumë i lartë, kurse institucionet e drejtësi, këto lëndë duhet t’i trajtojnë me prioritet dhe seriozitet, sepse është interes vital dhe nacional për Kosovën”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat