“Situata në tehun e thikës”/ Bytyçi tregon si mund të veprojë Trump në rast se Serbia sulmon Kosovën

Politika

“Situata në tehun e thikës”/ Bytyçi tregon si mund të veprojë Trump në rast se Serbia sulmon Kosovën

Nga: P.R. Më: 13 janar 2025 Në ora: 21:59
Donald Trump

Siç ka thënë zëvendës këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jon Fin, situata e sigurisë në Kosovë është në tehun e thikës.

“Ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cila jemi më të shqetësuar se për të tjerat. Njëra është situata në Kosovë, një aleat thelbësor i Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës. Kosova duhet të jetë edhe sovrane edhe të respektojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda asaj që është një Kosovë sovrane”, u shpreh këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jon Fin gjatë përmbledhjes së politikës së jashtme amerikane gjatë katër viteve të fundit nën udhëheqjen e presidentit, Joe Biden.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, siguria në Kosovë është e cenuar sa kohë që shteti i Serbisë nuk e njeh Republikën e Kosovës.

“Mos-njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Beogradit është sipas të gjitha shenjave, se përbën kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës e të rajonit. Në këtë pikëpamje autoritetet e Beogradit, përfshirë dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Finer, kanë të drejtë të bëjnë vlerësime si këto. Por për mua vlerësimi ka dy kleçka: Së pari bëhet vetëm dhjetë ditë para së të bëhet rotacioni i pushtetit nga shefi i zotit John te presidenti i zgjedhur Donald Trump. Kjo do të thotë se këto dhjetë ditë janë shumë riskante, sepse mund të kemi të bëjmë me një skenar, me të cilin presidenti në ikje dëshiron të lejë trashëgimi një vatër të re konflikti për Donald Trump. Kjo është njëra anë e asaj që lexoj nga kjo deklaratë. Unë dyshoj në këtë deklarim, sepse ai do të ishte dashur të kishte ndodhur gjatë mandatit të qeverisjes së presidentit Biden”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Prof.Dr. Enver Bytyçi

“Pse tani? Pse vetëm pak ditë para se të nisë punën kabineti i ri?! Çfarë të reje ka që lëshohet ky alarm. Kush është shkaku dhe cilët janë aktorët që do ta cenojnë paqen dhe nisin konfliktin kundër Kosovës. Kosova do të luftojë kundër Kosovës?! Apo Serbia agresore do të tolerohet të bëjnë sërishmi agresorin?!  Ndërkaq pse nuk vihet akuza te Beogradi, por baraspeshohen qëndrimet e Kosovës në mbrojtje dhe të Serbisë në sulm agresiv për territore?! Nuk e di. Jam skeptik dhe nuk mund të besoj në sinqeritetin e këshilltarit të Presidentit Biden. Mund të jetë edhe presion e provokim”, shton Bytyçi.

Më tej, ai thekson se administrata Biden i kishte të gjitha mundësitë për ta zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi.

“Së dyti, të gjitha këto që thashë më lart vijnë edhe për një arsye tjetër. Administrata Biden i pati të gjithë instrumentet e domosdoshëm që në mandatin e tij ta kishte zgjidhur këtë konflikt midis Kosovës dhe Beogradit. Por nuk e bëri. U lidh me autokratët Vuçiq dhe Rama dhe i mjaftoi statuskuoja e miqësisë midis këtyre dy liderëve autokratë të Ballkanit Perëndimor. Gjithçka e lidhën me Serbinë, duke e ledhatuar atë, duke mos e sulmuar asnjëherë. Madje duke qortuar Kosovën, megjithëse ajo disa herë ishte nën goditjet e akteve terroriste serbe. Tani na thonë se Kosova është e kërcënuar dhe mund të ndodhin sulme e konflikte të armatosura”, shpjegon profesor Bytyçi.

Madje Bytyçit thotë se administrata Biden, nuk deshi ta zgjidhë konfliktin.

“Disa thonë se nuk mundi. Jo! Është e kundërta. Nuk deshi. Nuk deshi, sepse besoi se do ta kishte në krah Serbinë për t’u bërë anëtare e NATO-s. Dhe zgjodhi të sulmojë institucionet e Kosovës, në vend se të kërkojë me insistim njohjen e saj nga Serbia. Kjo është e vërteta. Edhe Grenell e ka bërë sulmin e tij kundër qeverisë së parë të Albin Kurtit. Por ishte më i ndershëm. E thoshte hapur se donte ta rrëzonte Kurtin. Biden bëri të njëjtën gjë, por në fshehtësi. Nuk më hiqet nga mendja ajo që KFOR-i amerikan ka bërë me porosi të kësaj administrate që të ndalonin anëtarët e kabinetit Kurti të hynin në veri të Kosovës, pra të ndalonin lëvizjen e tyre në territorin e shtetit për të cilin ata janë përgjegjës”.

Për këtë arsye, Bytyçi thotë se nuk është shumë serioze deklarata e zotit Finer.

“E shoh si një lloj emergjence për t’ia lënë “kopilin te dera” presidentit të ardhshëm, qëndrimet e të cilit ne nuk I njohim ende. Nuk dua të spekuloj, por shumë dekrete dhe vendime të presidentit Biden para kësaj kohe tranzicioni nga nëntori deri më 20 maj po shihen si përpjekje për t’ia vështirësuar vendimmarrjen presidentit të ardhshëm. E thashë. Cila do jetë kjo vendimmarrje, nuk e dimë. Ajo që unë di ka të bëjë me faktin se Donald Trump nuk imponon. P.sh nuk e imponoi Aleksandër Vuçiq  në shtator 2020 që të nënshkruante obligimin e projekt-marrëveshjes së kohës për ta njohur Kosovën brenda një afati kohor të një viti. Jam i sigurt se atë ditë nëse Avdullah Hoti do të kontestonte diçka, Trump do të pajtohej me të, derisa u pajtua me kërkesën e presidentit serb. Nga ana tjetër, në atë marrëveshje thuhet se Serbia do të duhet ta dërgojë ambasadën e saj në Jeruzalem. Vuçiq sot e kësaj dite nuk e bëri këtë. Dikush mban shënime në Uashington”, shprehet Bytyçi.

Për fund, profesor Bytyçi tregon se si mund të veprojë Trump, në rast se shpërthen një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ndërkohë, nëse ndodh ndonjë konflikt midis Serbisë dhe Kosovës, dmth, nëse Serbia sulmon me mjete e forca të armatosura, qofshin këto edhe grupe paramilitare e terroriste, Kosovën, ka shumë mundësi që Donald Trump ta transferojë te ndonjë aleat i tij zgjidhjen e konfliktit. Kjo më pas varet se cili aleat do të jetë ai. Mund të ndodhë që fuqi e ndërmjetme që ndërhyn të jetë plotësisht në anën e së drejtës, pra të Kosovës. E kjo do të thotë se në një konflikt të mundshëm, Kosova të jetë fituese. Në fund të fundit është koha që Kosova të jetë fituese në çdo rrethanë që vjen”, përfundon profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat