Haxhiu ua përmendi konfiskimin e pasurisë: Kush janë zyrtarët që kanë pasuri të pajustifikueshme

Politika

Haxhiu ua përmendi konfiskimin e pasurisë: Kush janë zyrtarët që kanë pasuri të pajustifikueshme

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 14 janar 2025 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar pak ditë më parë, kandidatët për deputetë kanë ‘hedhur’ kritika për kundër kandidatët duke ia kujtuar të bëmat dhe ato që nuk arritur t’i realizojnë.

E zëshme në hapje të fushatës u tregua edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në tubimin elektoral në Mitrovicë, e cila ka thumbuar partitë opozitare.

Ajo ka deklaruar se qeveria duhet të vazhdojë me punë të mira.

“Me këtë qeveri le të vazhdojmë betejën për të bërë shumë punë të mira, për luftimin të korrupsionit, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme që po ju frikësohet shumë opozita dhe shumë oligark”, tha ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu sulmoi prokurorët dhe gjyqtarët, duke thënë se nevojitën prokurorë e gjyqtarë të guximshëm e jo të tillë që ia kanë hequr fletëarrestin kryeterroristit Milan Radoiçiq.

Derisa me këtë deklarim, Haxhiu iu drejtua opozitarëve, kush janë ata zyrtarë politikë që kanë pasuri të pajustifikueshme?

Qarri: Kontesti që veprimet e PDK-së janë udhërrëfyes dhe kopje autentike e veprimit edhe për të dy partitë tjera opozitare tregon qartë se udhëheqës të lartë të këtyre partive janë të inkriminuar thellë në të gjitha veprimtaritë e kundërligjshme

Lidhur me këtë çështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohës të fushës së politikës. Kështu, analisti Gani Qarri, thotë se, ‘frika e madhe e udhëheqësve kryesor të partive të inkriminuara politike nga konfiskimi i pasurive të kundërligjshme dhe druajtja nga mbajtja e përgjegjësisë penale para ligjit për hajnit e "supozuara" të tyre, ka shtyrë shefat e grupeve parlamentara të PDK-së, LDK-s dhe AAK-së që veçanërisht ligjet e miratuara në Kuvend, për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, t’i kontestojnë në vijimësi, me çdo mjet e mundësi, duke i dërguar ato në Gjykatën Kushtetuese.

Madje, sipas tij duke kontestuar bashkërisht edhe Vettingun, siç deklaruan “njëzëri” shef i Grupit Parlamentar të (AAK-së, Besnik Tahiri dhe koordinatori për “Drejtësi”  i PDK-së Përparim Gruda, në tryezën e organizuar nga IKD, në fillim të dhjetorit në Prishtinë’.

Image
Gani Qarri

“Siç dihet, fillimisht PDK dhe LDK dërguan, po ashtu njëkohësisht dhe po të njëjtat ligje, si Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke mbrojtur edhe ato media, të cilat punojnë pa asnjë kontroll, në shërbim të partive të inkriminuara, madje siç u publikua para disa kohësh në portale dhe mediat audio-voizive, ndonjëra prej tyre, përveçse ishin të regjistruara vet në Serbi, ato kishin shkelur me të dy këmbët edhe Kushtetutën e vendit dhe bërë tjetërsime të ndaluara e të kundërligjshme toponomastike dhe territoriale, duke paraqitur edhe qytetet e Kosovës, si qytete të Serbisë! Parti të cilat me kamuflimin e veprimeve të tyre monstruoze, si beteja me pushtetin, kontestuan edhe ligjin për Universitetin, në emër të mbrojtjes së titujve ( të dyshimtë) akademik, për të mos lejuar as vërtetësinë e ligjshmërisë së arritjes së atyre titujve dhe verifikimin e mënyrës se si janë marrë ato diploma, me arsyetimin banal se të dyshuarit, të cilët mund ti kenë blerë diplomat apo arritur në mënyrë të dyshimtë, titujt akademik, jo për dijen e treguar, por për veprimet në parti, do të humbnin vendet e punës, pa dashur t`ia dinë, se qytetarët e Kosovës presin dhe kërkojnë, që për bijat dhe bijtë e tyre në Universitet, të promovohet dije dhe jo të prodhohen partizan për partitë politike”, vlerëson Qarri për ‘Bota sot’.

Ai thotë më tutje se, vet kontesti që veprimet e PDK-së janë udhërrëfyes dhe kopje autentike e veprimit edhe për të dy partitë tjera opozitare tregon qartë se udhëheqës të lartë të këtyre partive janë të inkriminuar thellë në të gjitha veprimtaritë e kundërligjshme. Veçanërisht, sipas tij sa i përket  grumbullimit të pasurive të pajustifikueshme dhe që të tria këto parti, po ashtu njëkohësisht, kanë po të njëjtin hall si “udhërrëfyesja e tyre PDK”, që në vazhdimësi konteston Ligjin për Byronë e Konfiskimit të pasurive të pajustifikuara.

Qarri: Jo vetëm PDK por edhe dy mbështetëset dhe imitueset e saj opozitare, janë të prekura fort dhe drejtpërsëdrejti nga Ligji për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme

“Dhe sikur mos të mjaftonte vala e parë e aksioneve të partive opozitare për kontestimin e ligjeve të miratuara, Abelard Tahiri nga 20 ligjet e miratuara edhe së fundi në Kuvendin e Kosovës, serish me maksimën e njohur kamufluese, të "vlerësimit" të kushtetutshmërisë, ka ngritur kërkesën për kontestimin e 16, prej këtyre ligjeve, ku për herë të dytë, po kjo kjo parti, konteston pranë Gjykatës Kushtetuese, Ligjin mbi Byron e Konfiskimit të Pasurive të Pajustifikueshme, akt perfid i cili mund të marrë kohë të gjatë për shqyrtim, ta bllokojë po ashtu për kohë tejet të gjatë edhe fillimin e zbatimit në praktik të këtij ligji dhe ta shtyjë për kohë të pacaktuar edhe konfiskimin e pasurive të kundërligjshme në vend. Shto kësaj faktin tjetër dubioz, se për të favorizuar dhe mbrojtur qoftë edhe përkohësisht oponentët e inkriminuar të partive opozitare të cilët rrezikohen nga konfiskimi i pasurive të kundërligjshme, për Ligjin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurive të pajustifikuara i cili mund të prek edhe vet anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjykata në fjalë, posedon mundësinë të kërkojë, po ashtu, për të dytën herë edhe rishikimin, por edhe ndryshimin, veçanërisht të këtij ligji, dhe të qojë në një procedurë të stërzgjatur zingjirore që mund të marrë muaj të tërë, nëse jo edhe një vit tjetër, deri në miratimin e ri, të këtij dhe ligjeve tjera të dërguara nga partitë e inkriminuara në Kushtetuese, nga deputetët e ardhshëm të Parlamentit të Kosovës”, thotë ai.

Qarri thotë më tutje se, krejt kjo dëshmon se jo vetëm PDK por edhe dy mbështetëset dhe imitueset e saj opozitare, janë të prekura fort dhe drejtpërsëdrejti nga Ligji për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme, kështu që duke pasur probleme personale, veçanërisht me ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurive të Kundërligjshme, nga frika e konfiskimit të pasurive të tyre të grumbulluara në mënyrë të paligjshme, nuk kanë kundërshtuar vetëm procedurën në të cilën u miratuan ligjet, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, por PDK , për herë të dytë, ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht përmbajtjen e Ligjit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme me qëllimin kryesor, për zvarritjen sa më të gjatë, të themelimit të kësaj Byroje, nga frika e konfiskimit të Pasurive të kundërligjshme.

“Dhe bazuar jo vetëm në numrin formal të akuzimeve publike, por siç thuhet edhe në të gjitha informacionet zyrtare,  vendin e parë për pasuri të paligjshme, e zënë partitë e inkriminuara, veçanërisht udhëheqësit milioner, dhe zyrtarët më të lartë të tyre, andaj edhe ministrja Albulena Haxhiu, besojë se me të drejtë ka thënë se opozita po i frikësohet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, derisa partitë që janë hedhur në luftë të hapur, për jetë a vdekje, kundër ligjeve të miratuara, duke kontestuar veçanërisht Ligjin mbi Byronë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme, i cili edhe pse nuk përjashton askënd as nuk përkëdhel asnjë segment politik dhe është i njëjtë për të gjitha partitë politike, bie hapur në sy, se kontestohet vetëm nga partitë e inkriminuara, që kanë më së shumti zyrtarë të përfolur publikisht, për pasuri të pajustifikueshme, akt ku duket se prinë PDK, ndaj dhe është kontestuesja më e pa skrupull e të gjitha nismave dhe ligjeve për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme”, thotë analisti Qarri.

Mehmeti: Pasuritë e tyre të shumta nuk i kanë në emër të tyre

Ndërkaq për këtë temë, ka folur po ashtu edhe analisti politik, Faton Mehmeti. Ai vlerëson se, ministrja Haxhiu e ka fjalën për ish zyrtarët e lartë të shtetit që tani janë në opozitë.

Image
Faton Mehmeti.

“Konfiskimi i pasurisë është premtim i Kurtit dhe si i tillë duhet të realizohet ndonëse ka vështirësitë e saj. Dihet botërisht se ata janë të korruptuar dhe meritojnë tu konfiskohet pasuria, mirëpo nuk është edhe kaq e kollajshme”, thotë ai.

Mehmeti thotë se pasuritë e tyre të shumta nuk i kanë në emër të tyre dhe se paratë i kanë depozituar jashtë vendit.

“Gjithsesi edhe ato që i kanë në emër të tyre ka mundësi tu konfiskohen nëse forca e ligjit bën punën e saj. Mirëpo, që të ndodh kjo duhet të ketë gjykatës, prokurorë të rinj e të pa korruptuar e që nuk janë vegël e klanit "Pronto", që ende e kanë drejtësinë në dorë”, theksoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat