Termi "Kosova dhe Metohija", i përdorur për t’iu referuar Kosovës nga Serbia agresore, fatkeqësisht po përdoret edhe nga akterë të lartë që janë pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Me ndryshimin e qeverisë atje, zëvendëskryeministër u bë serbi Ivan Stoilkoviq. Ai Kosovën e quan "Kosova dhe Metohija". Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive qëndron një postim ku radhiten emrat e shteteve fqinje, ku mes tjerash përmendet edhe Kosova. Madje, ai as vendin amë nuk e quan me emrin e ri kushtetues "Maqedonia e Veriut", por vetëm "Maqedoni".
Kurse, zv. kryeministri tjetër i RMV-së Izet Mexhiti, sa i përket kësaj deklarate, ka thënë se Qeveria e re ka dëshmuar se ka bashkëpunim të shkëlqyer me Kosovën dhe se nuk mund të tërhiqet paralele mes një individi dhe komplet Qeverisë.
“Nuk e mohojmë që Stoilkoviqi është përfaqësues i serbëve, nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptarë. Por dallimi mes neve dhe atyre të kaluarve është se ata me vetiniciativë u bënë pjesë e Open Ballkanit që nuk e njihte Kosovën”, tha mes tjerash ai.
Shabani: Deklaratat e tilla të Stoilkoviqit janë të një niveli irritues dhe jo të frymës së bashkëpunimit fqinjësor
Njohësi i politikës, Amir Shabani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklarimet e tilla janë të një niveli irritues dhe jo të frymës së bashkëpunimit fqinjësor.
Tutje, thotë se ndaj qëndrimeve që prishin raportet fqinjësore duhet reaguar.
“Deklaratat e tilla të Stoilkoviqit janë të një niveli irritues dhe jo të frymës së bashkëpunimit fqinjësor. Fakti se Serbia ka çështje të pazgjidhura me Kosovën, nuk ia jep të drejtën një zyrtari serb në Maqedoninë e Veriut të deklarojë ashtu.
Po, është e vërtetë siç ka thënë zv.kryeministri Mexhiti se Kosova ka bashkëpunim të mirë me Maqedoninë e Veriut dhe se duhet reaguar ndaj qëndrimeve që nxisin prishje të marrëdhënieve fqinjësore”, shprehet Shabani.
Mehazi: Kurrsesi nuk duhet të na prek deklarata e tij duke e quajtur R. e Kosovës "Kosovo i Metohija", pasi është serb i Millosheviqit dhe Vuçiqit
Profesori Sulejman Mehazi, thotë se sa i përket kësaj deklarate nuk duhet të çuditemi sepse faji është te “koalicioni i Vlenit që gjatë marrëveshjes qeverisëse u pajtuan me kryeministrin, Mickoskin, që postin e Ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ta merr partia serbe e Stoilkoviqit”.
Tutje, thotë se ai është serb Millosheviqit dhe Vuçiqit.
“Pasi, Ivan Stoilkoviqi, përveç detyrës së zv. kryeministrit është edhe Ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në RMV, dhe, kuptohet se pakicës serbe në RMV i takon kolaçi ministror i pakicave dhe i jepet e drejta të prezantojë qytetarët serbë në RMV, njësoj sikurse Ministrat shqiptarë që e kanë për detyrë të prezantojnë e të mbrojnë kombin dhe gjuhën shqipe në qeverinë e Maqedonisë Veriore.
Faji nuk është te ministri serb i pakicave, Ivan Stoilkoviqi, por te koalicioni i Vlenit që gjatë marrëveshjes qeverisëse u pajtuan me kryeministrin, Mickoskin, që postin e Ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ta merr partia serbe e Stoilkoviqit. Kurrsesi nuk duhet të na prek deklarata e tij duke e quajtur R. e Kosovës "Kosovo i Metohija", pasi është serb i Millosheviqit dhe Vuçiqit, fatkeqësisht serbët tog me shumicën e maqedonasve e kanë trurin e kurdisur armiqësor ndaj shqiptarëve”, potencon ai.
Më tej, ministri serb mund të krahasohet ministrat e Listës serbe në Kosovë që gjatë koalicionit me PRONTO-t nuk e pranonin pavarësinë e Kosovës duke e quajtur “Kosova i Metohija”.
“Ministrin serb të RMV, Stoilkoviqin, mund ta krahasojmë me ministrat e Listës serbe në Kosovë që gjatë koalicionit me PRONTO-t nuk e pranonin pavarësinë e Kosovës duke e quajtur "Kosova i Metohija" edhe pse ishin në qeverinë e Kosovës.
Pajtohemi me zv. kryeministrin e parë të RMV-s, Izet Mexhitin i cili tha se: “Nuk e mohojmë që Stoilkoviqi është përfaqësues i serbëve, nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptarë”. Serbët janë popull terrorist, terroristët serb nuk ka nevojë të mendojnë sikurse qytetarët shqiptarë të RMV-s dhe Kosovës. S'kemi nevojë që gjenocidiali serb, Stoilkoviqi, ta pranojnë R. e Kosovës”, përfundon ai.