Thirrja e fundit O’Brien/ Zbulohet veprimi i SHBA-së ndaj Kosovës që mund ta defaktorizojë Serbinë në arenën ndërkombëtare

Politika

Thirrja e fundit O’Brien/ Zbulohet veprimi i SHBA-së ndaj Kosovës që mund ta defaktorizojë Serbinë në arenën ndërkombëtare

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 janar 2025 Në ora: 20:04
Foto ilustrim

Raportet Kosovë-Serbi tash e një kohë janë në qendër të vëmendjes, ku edhe ndërkombëtarët kanë shtuar përpjekjet që mes dy palëve të arrihet një marrëveshje, mirëpo një gjë e tillë ende duket larg.

Thënë kështu, pasi pala serbe në vazhdimësi provokon, kërcënon dhe refuzon të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën.

Problemet mes dy shteteve, dukshëm kanë ndikuar edhe në proceset integruese në organizata ndërkombëtare.

Së fundi, për një gjë të tillë ka folur edhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane.

Në një intervistë për media, O’Brien potencoi se të dyja vendet kanë nevojë ta bëjnë këtë.

“Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve”, tha O’Brien.

Por, shtoi ai, ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”.

Mirëpo, pse duhet penalizuar Kosova dhe rrugëtimi i saj në BE, kur Serbia është ajo që po pengon arritjen e një marrëveshje finale me njohje reciproke, ku përveç kësaj edhe provokon në vazhdimësi.

Koci: Përderisa nuk ka unifikim të qëndrimit të BE-së në raport me statusin e Kosovës, dialogu nuk mund të prodhoj rezultate

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-redaktori i REL, Melazim Koci.

Së pari, ai u shpreh se kërkesa e fundit e O’Brien është në linjë me kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, që janë bërë në vazhdimësi.

Krahas kësaj, potencoi se k mund të ketë avancim të raporteve Kosovë - Serbi, në rrethanat kur Serbia refuzon njohjen e shtetit tonë.

“Ftesa e z. O'Brien që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet e ndërsjella është në vijën e kërkesave të Uashingtonit dhe Brukselit që bëhen në formë rutinore, por që deri tash nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret. Kërkesat për normalizim të raporteve pa kërkuar njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, nuk kanë asnjë kuptim. Ato më shumë janë në funksion të ruajtjes së status quos dhe asgjë më shumë, sepse nuk mund të ketë avancim të raporteve Kosovë - Serbi, në rrethanat kur Serbia refuzon madje edhe njohjen de facto të Kosovës, përkatësisht integritetit territorial të Kosovës”.

Image
Melazim Koci

Po ashtu, Koci përmendi edhe letrën e Bërnabiqit dhe ndërlidhi me faktin se si shteti serb nuk është i interesuar për marrëveshje.

Në këtë pikë, kishte kritika për qasjen e BE-së në raport me Kosovën, derisa tha se pa unfikim të saj nuk mund të priten rezultate.

“Në letrën e dhjetorit të vitit 2023, dërguar Bashkimit Evropian, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq e bëri të ditur se Serbia refuzon njohjen de facto dhe nuk njeh integritetin territorial të Kosovës. Kjo letër e Serbisë që nuk është tërhequr ka mbyllur mundësinë e ujdisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë qëndrim shumë rigjid të Serbisë e ka toleruar Bashkimi Evropian, duke i kontribuar dështimit të dialogut. Zaten as që është pritur diçka tjetër në rrethanat kur 5 vende (mos njohëse) të BE-së kanë qëndrim identik me Rusinë dhe Kinën në raport me Kosovën. Kjo është e turpshme, sepse ato konsumojnë siguri si anëtare të NATO-s dhe mirëqenie si anëtare të BE-së, ndërkaq që në raport me Kosovën (që është pjesë e gjeopolitikës së NATO-s) janë në unison me Moskën dhe Pekinin. Shkaku i tyre BE-ja mban qëndrim neutral në raport me statusin e Kosovës, pavarësisht që 22 vende tjera kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Një BE e tillë nuk është ndërmjetëse kredibile në bisedimet Kosovë - Serbi.

Dhe ky është aspekti më problematik i dialogut. Gjithnjë përderisa nuk ka unifikim të qëndrimit të BE-së në raport me statusin e Kosovës, dialogu nuk mund të prodhoj rezultate”, theksoi ai.

Ndër të tjera, ish-redaktori i REL nënvizoi rëndësinë e SHBA-së në këtë proces, derisa shpreson që gjatë administratës Trump të shtohen përpjekjet për anëtarësim të Kosovës në NATO, pasi kjo do ishte goditje për Serbinë.

“Në këto rrethana pa ndërhyrjen e SHBA-së, ne do të shohim vazhdimin e një dialogu shterp që është në funksion të "blerjes së kohës" nga ana e Serbisë.

Besoj që administrata Trump në periudhën e ardhshme do të ofroj plan tjetër nga ai franko - gjerman, që nuk do të toleroj lojërat politike të Serbisë. SHBA nga viti 1990 ka qenë vendimtare në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe besoj që kështu do të jetë edhe tash. Duhet pritur që gjatë administratës Trump të shtohen përpjekjet e Uashingtonit për ta përfshirë Kosovën në NATO. Anëtarësimi në NATO do ta bënte të parëndësishme njohjen nga Serbia. Kosova mund të jetoj dhe të zhvillohet edhe pa njohje nga Serbia, nëse anëtarësohet në NATO. Kjo do ta defaktorizonte Serbinë përfundimisht dhe do të hapte dyert e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.

Kapiti: Pse akoma nuk janë mësuar dhe nuk i kanë “kuptuar” Perëndimi dhe SHBA se kush janë serbët

Kurse, për këtë temë foli edhe opinionisti Skënder Kapiti.

Ai në një prononcim për “Bota sot” kritikoi BE-në dhe SHBA-në, pasi tha se nuk duhet të bëjnë paralelizmin në thirrjet e tyre, kjo pasi Kosova nuk është problem, por Serbia.

“Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane. Nuk duhet bërë paralelizëm në thirrjet e tyre nga ana e ndërkombëtarëve njësoj dhe baraz si Serbisë dhe Kosovës. Kjo sepse problemi dhe pengesa për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi nuk është Kosova, por problemi është tërësisht Serbia. Pse SHBA dhe BE zgjidhjen duan t’ia imponojnë Kosovës, dhe pse i bëhet presion asaj kur qeveria, kisha dhe shteti serb me aleatët e Serbisë kërcënojnë, provokojnë dhe përpiqen maksimalisht për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës me lloj -lloj mjetesh e formash deri dhe me akte terroriste”, theksoi ai.

Image
Skënder Kapiti

Krahas kësaj, opinionisti u shpreh se ende nuk po i kupton ndërkombëtarët se si nuk po i shohin lojërat politike të Serbisë, që në vazhdimësi ka kushte, provokime.

“Perëndimi e ka të qartë se pa njohjen nga Serbia të shtetit të Kosovës nuk ka normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy shteteve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë. Nëse i kërkohet Kosovës për të plotësuar ndonjë kusht, detyrimisht duhet që edhe Serbia të detyrohet që plotësojë kushtin kryesor, që ajo të njohë tashmë realitetin e ekzistencës së shtetit të Kosovës, realitet ky që është prej 12 qershorit 1999, dhe jo të lihet varur dhe në paqartësi, sepse Serbia është e pabesë, dhe çfarëdo që mund të tolerojë Kosova, Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe vetëm sa do shtojë e kërkojë orekse, gjëra dhe kushte shtesë. Pse akoma nuk janë mësuar dhe nuk i kanë “kuptuar” Perëndimi dhe SHBA se kush janë serbët, apo bëjnë sikur nuk kuptojnë, apo u intereson vetëm interesi i tyre për përfitime politike, ekonomike e strategjike në dëm të Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat