Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet fqinjësore për hir të synimeve të veta për integrime evropiane.
“Mendoj Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë se ka rrugë normale evropiane për këtë çështje. Mendoj se tani, me një Bashkim Evropian më aktive në rajon, të dyja vendet e kuptojnë se ka gjëra që secila prej tyre duhet t’i bëjë, të cilat do ta bëjnë më të lehtë zgjidhjen çështjeve”, tha O’Brien.
Por, shtoi ai, ato duhet ecin përpara dhe t’i bëjnë këto gjëra “për hir të rrugës së tyre evropiane, jo për shkak të disa negociatave të veçanta”.
E në lidhje me këtë mesazh të zyrtarit amerikan, në një prononcim të “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.
Së pari, ai potencoi se Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme për normalzimi të raporteve, kurse pala serbe jo.
“Kosova gjithmonë ka pasur vullnetin dhe gadishmërinë për normalizim te marrëdhënieve me fqinjin verior. Por, refuzimi i tyre për nënshkrim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, madje luftimi i hapur ndaj këtyre dakordimeve, ka bërë që gjasat për një normalizim të jenë momentalisht pothuajse inekzistente”, deklaroi ai.
Po ashtu, Batusha përmendi edhe ledhatimet që po i bëhen Serbisë nga ana e ndërkombëtarëve, ku tha se si pasojë e mosndëshkimit po e inkurajonë palën serbe të vazhdojë me politika të njëjta.
“Ledhatimi i Serbisë nga faktori ndërkombëtar ka qenë ndër faktorët kyç të ashpërsimit të sjelljes së Serbisë dhe sulmeve terroriste brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Me një sjellje të tillë të Serbisë dhe mosadresimi i hapur, i prerë dhe i zëshëm nga ndërkombëtarët për këto sjellje të Serbisë, minojnë avancimin në dialog dhe inkurajojnë Serbinë për sjellje të njëjtë në të ardhmen”.
Në fund, deputeti i LVV-së kërkoi që balanci të rikthehet në dialog.
“Integrimi duhet të jetë shtysë për avancim të dialogut, por nuk mund të përdoret si kusht për Kosovën, sepse nuk është i njëjti standard për Serbinë.
Balanci duhet të rikthehet në dialog”, përmbylli Agon Batusha për “Bota sot”.