26 vjet që nga masakra e cila ndryshoi historinë e Kosovës, pse ende nuk e ka padi ndaj Serbisë?

Politika

26 vjet që nga masakra e cila ndryshoi historinë e Kosovës, pse ende nuk e ka padi ndaj Serbisë?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 janar 2025 Në ora: 11:10
Masakra e Reçakut

Sot janë bërë 26 vjet që nga masakra e Reçakut, masakra që ndryshoi historinë e Kosovës dhe bëri që bota të hap sytë kundër Serbisë.

Më 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak që është rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në mënyrë çnjerëzore.

Trupat e të vrarëve kishin mbetur në një luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: "Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme".

Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave dhe filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe me forcë i morën të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, me arsyetimin se duhej bërë obduksioni për shkak se autoritetet serbe mohonin të kenë vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime.

Përkundër që pamjet e masakrës së Reçakut kishin tronditur botën dhe pas asaj ishte rritur presioni ndërkombëtar mbi qeverinë serbe dhe kasapin Sllobodan Millosheviq, Serbia ende nuk merr përgjegjësi për të, por edhe për të gjitha krimet e bëra në Kosovë.

Canaj: Deri para 15 Janarit të vitit 1999 edhe Bashkësia Ndërkombëtare shpresonte në një përfundim konflikti me dialog

Profesori i historisë politike, Blerim Canaj, thotë se Reçaku ishte edhe kthesa që ndryshoi rrjedhën e luftës dhe historinë e Kosovës.

Image
Blerim Canaj

Sipas tij, deri para 15 janarit 1999, bashkësia ndërkombëtare shpresonte në një përfundim konflikti me dialog.

“Reçakut ishte edhe kthesa që ndryshoi edhe rrjedhën e luftës e me këtë të historisë së Kosovës. Deri para 15 Janarit të vitit 1999 edhe Bashkësia Ndërkombëtare edhe më tutje shpresonte në një përfundim konflikti me dialog dhe qëndronte pasive në raport Me Kosovën. Por, Serbia vazhdonte me vrasjen e qytetarëve civilë! Për shkak të kësaj gjendjeje pasiviteti, qeveria amerikane u tregua e frustruar ndaj aleatëve evropianë, të cilët supozohej se po bllokonin një zgjidhje politike për Kosovën, prandaj ajo kërcënoi se do ta merrte situatën në dorë. Pasuan shumë masakra të tjera dhe një valë përzënie e civilëve shqiptarë, gjë që çoi më 15 shtator në miratimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit, e cila dënoi përdorimin e pajustifikuar të dhunës nga forcat serbe të sigurisë. Një ditë më pas, Këshilli i NATO-s aktivizoi urdhrat për përgatitjen e veprimeve ushtarake kundër Serbisë. Pas raporteve për shumë masakra dhe një marrëveshje armëpushimi midis UÇK-së dhe forcave serbe, një komision verifikimi nën drejtimin e diplomatit amerikan William Walker erdhi në Kosovë. Ai raportoi për shumë masakra, ku më e tmerrshmja ishte ajo e Reçakut. Kur UÇK-ja u deklarua e gatshme për bisedime paqësore, që u zhvilluan në Francë në kështjellën e Rambujesë, dhe pas refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes nga Millosheviçi, më 24 mars 1999 filloi fushata bombarduese e NATO-s kundër Serbisë. Si pasojë, Serbia, pas miratimit nga Parlamenti serb më 9 qershor 1999, u detyrua të pranojë një marrëveshje mes KFOR-it dhe qeverisë jugosllave dhe të tërheqë trupat nga Kosova”, shprehet Canaj.

Sipas tij, Serbia e mohon ende masakrën sepse shfaq barbarizmin e aparatit shtetëror serb mbi civilët shqiptarë dhe kjo nuk i ndihmon.

“Serbia edhe më tutje e mohon këtë, sepse në një anë ishte pikërisht fotografia e tmerrshme e kësaj masakre që tregonte barbarizmin e aparatit shtetëror serb mbi civilët shqiptarë dhe kjo pastaj nuk i ndihmon Serbisë, madje ia humbë gjasat, që edhe më tutje të luaj rolin e viktimës. Në anën tjetër do e forconte edhe më tutje argumentin dhe njollën e Serbisë si shtet gjenocidal”, shprehet Canaj.

Mehmeti: Fatkeqësisht presioni mbi Serbinë për këtë masakër nuk është bërë

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, konsideron se presioni mbi Serbinë për këtë masakër nuk është bërë sa duhet nga ndërkombëtarët.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Kosova ende nuk e ka paditur Serbinë për gjenocid dhe krim dhe kjo për shkak se perëndimi është treguar i butë me të.

“Serbia është e njohur për mos pranimit të krimit, shteti gjenocidal serb ende e mohon Srebrenicën ndonëse krejt bota e kujton atë masakër të tmerrshme. Edhe Reçaku është Srebrenica e re, një vend ku regjimi dhe shteti serb shfaqi fytyrën e tij. Fatkeqësisht presioni mbi Serbinë për këtë masakër nuk është bërë sa duhet nga ndërkombëtarët, po ashtu edhe Kosova nëse nuk e ka paditur Serbinë për gjenocid dhe krim, e besoj se kjo duhet të ndodh Perëndimi është treguar i butë me Serbinë duke e ledhatuar, në vend se të inicojë rezolutë për të trajtuar edhe Reçakun njësoj si Srebrenicën me çka edhe Serbia të shpallët shtet kriminal”, thotë Mehmeti.

Ai kërkon që në këtë përvjetor të masakrës, qeveria e Kosovës të shpallë nisjen e procedurave që masakra e Reçakut të marrë epitetin në botë si Srebrenica.

“Dua të besoj se qeveria e Kosovës në këtë përvjetor të 26 të masakrës së Reçakut do të shpallë edhe nisjen e proceduarave për të marrë kjo masakër epitetin në botë si Srenbrenica e re me ça hapet dyer që Serbia të shpallët jo veç shtet gjenocidal por edhe kriminal”, shton Mehmeti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka deklaruar se Kosova do ta padit Serbinë për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe se padia do të bëhej pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), por një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat