E shtuna që e lëmë pas ka shënuar edhe zyrtarisht hapjen e fushatës për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
Njëzetetetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur, do të përfshihen në një fushatë që tashmë ka filluar me premtime, akuza, por edhe sharje kundrejt kundërkandidatëve.
Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, filloi fushatën me kritika ndaj opozitës që dikur ishin në pushtet, me bindjen që do të arrijnë t’i fitojnë 500 mijë vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re me kritika ndaj pozitës, por edhe premtime nga më të ndryshme.
Analistët politikë kanë komentuar për gazetën “Bota sot”, fjalimet e kandidatëve për kryeministër dhe premtimet e partive politike, ku sipas tyre, ka premtime në hava dhe të ekzagjeruara.
Burjani: Deri më tash nuk kam parë diçka më ndryshe nga fushatat e kaluara
Analisti politik Blerim Burjani, thotë se fokusi i partive politike duhet të jetë në zhvillim ekonomik, ndalje të emigrimit të rinisë dhe profesionistëve, sigurimi shëndetësor e mbikëqyrja e sektorit privat.
Sipas tij, LDK dhe PDK merren me rritjen e pagave në sektorin publik, ndërsa VV merret me lëmosha sociale dhe veriun.
“Fokusi duhet të jetë urgjentisht në këto tema: zhvillimi ekonomik, ndalja e emigrimit të rinisë dhe profesionistëve, sigurimi shëndetësor dhe mbrojtja sociale dhe reforma pensionale, mbikëqyrja e sektorit privat, ndalja e korrupsionit dhe punësimit familjar e nepotist. Deri më tash nuk kam parë diçka më ndryshe nga fushatat e kaluara: LDK dhe PDK -rritja e pagave për sektorin publik, e civil , lënia anash e sektorit privat apo përmendja në mënyre adekuate, VV merret me lëmosha sociale dhe me veriun, fokusi i VV është në veri dhe për të sulmuar opozitën që do të bëjë asociacionin. Pothuajse shumica nuk dallojnë në këto fushata prej tjetrës”, shprehet Burjani.
Ai ka kërkuar sqarim për rritjen e koeficientit, gjersa hyrjen direkte në NATO e konsideron “premtim hava”.
“Rritja e kofiecientit të pagës 150 euro duhet të sqarohet drejt nga LDK, pasi që secila pagë e shërbyesit civilë dhe të ndërmarrjet publike vlerësohet në një koeficient apo për koeficientit si tërësi p.sh., a mendohet që koeficientit aktuale për shembull 6 i rritet paga për 150 euro se po kë për secilin koeficient është e pamundshme. Hyrja direkt në NATO është premtim hava, pasi që për të kanë anëtar të NATO-së që duhet Kosovën ta njohin edhe katër shtete të NATO-së. Fokusimi në ndërtim të asfaltit kot dhe shkolla pa nxënës, pra me rënie të madhe të numrit të nxënësve është e kotë, kur dihet se fshatrat boshatisen nga popullata. Është mungesë e madhe e dijes, për të zhvilluar ekonominë e jo qysh me rrit paga pa zhvillim ekonomik se tingëllon mashtrim, sepse janë zinxhir të zhvillimit pa zhillim ekonomik s’ka mbrotje efektive shëndetësore dhe mbrojtje sociale dhe të penisonistëve, absurd ka të shumta, por të shohim sesi do të sqarojnë gjatë fushatës partitë politike”, shton analisti.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet në Kosovë është 1 milion e 970 mijë, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.
Subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar hedhjen e shortit për renditjen në fletëvotime. Numrat e subjekteve politike në fletëvotime janë nga 111 deri në 138.
Hertica: Ndoshta është koha që partitë kinse të reformuara të kuptojnë që nuk munden vetëm të premtojnë dhe të mos realizojnë
Analisti politik Ali Hertica konsideron se partitë politike janë në vlugun e fushatës së tyre.
Sipas tij, premtimet sikurse edhe në të kaluarën duken të ekzagjeruara.
“Partitë politike në Kosovë tashmë janë në vlugun e fushatës së tyre për zgjedhjet të 9 shkurtit ku sipas analizave të bëra nga organizatat joqeveritare, partitë politike me programet e tyre janë të fokusuara kryesisht në zhvillimin ekonomik të vendit, mirëpo, premtimet e tyre sikurse dhe në të kaluarën duken të ekzagjeruara. Nisur nga këto premtime në këtë fushatë zgjedhore, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë, thonë se disa prej tyre janë vështirë të realizueshme, por që nëse vendoset një dinamizëm edhe mund të pritet realizmi i tyre. Nëse e shohim punën e qeverive të kaluara, shumë premtime mund të jenë të parealizueshme, por nëse vendoset një dinamikë në zhvillimin ekonomik ka edhe premtime që mund të realizohen, Besimi i qytetarëve të Kosovës në premtimet që partitë politike i japin gjatë fushatave parazgjedhore dhe zgjedhore, është mjaft i ulët”, pohon analisti.
Është koha që partitë kinse të reformuara të kuptojnë që nuk munden vetëm të premtojnë dhe mos të realizojnë, thotë Hertica, gjersa shton se investimi duhet të bëhet te të rinj.
“Qytetarët do të jenë mosbesues edhe ndaj premtimeve që do t’u japin këto parti para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Ndoshta është koha që partitë kinse të reformuara të kuptojnë që nuk munden vetëm të premtojnë dhe të mos realizojnë (premtimet). Sidomos është shumë i rëndësishëm aspekti i investimit te të rinjtë. Besoj që të gjitha partitë duhet ta kenë prioritet investimin konkret te të rinjtë, sidomos për edukimin joformal, deri më të tani asnjë, partitë politike, në përgjithësi, rrallëherë kanë mbajtur premtimet që kanë dhënë sepse qytetarët e Kosovës kanë humbur besimin në to dhe në premtimet e tyre”, shprehet Hertica.
Analisti beson se fushata po vazhdon si në të kaluarën, por mbetet të shihet vijimi.
“Të gjitha partitë politike kanë bërë premtime për punësime me shifra shumë të mëdha që nuk ishin në përputhje me buxhetin e vendit, premtime për rritje pagash, për barazi gjinore dhe shumë të tjera, të cilat nuk kanë arritur të adresohen në programet qeveritare, në momentin kur partitë e caktuara kanë ardhur në pushtet. Besoj që do të vazhdohet njësoj sikur në të kaluarën, por mbetet të shihet, sepse fillimi veç sa ka filluar zyrtarisht fushata, por do të mbesin te premtimet e njëjta koha do tregon, por qytetari tani duhet të jetë shumë sy hapur se cila parti dhe përfaqësues, do t’i realizojnë premtimet e dhëna sepse çdo herë kanë premtuar edhe parajsa deri sa kanë marr pushtet dhe është harruar qytetari”, përfundon analisti. .