Fushata zgjedhore/Kritikohen partitë politike, nga zgjedhja e kandidatëve për deputetë deri te programet e tyre

Politika

Fushata zgjedhore/Kritikohen partitë politike, nga zgjedhja e kandidatëve për deputetë deri te programet e tyre

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 15 janar 2025 Në ora: 15:57
Tubimet zgjedhore

Më 11 janar ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike në Kosovë për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.

Tri partitë më të mëdha hapjen e fushatës zgjedhore vendosën ta bëjnë në qytete të ndryshme të Kosovës. Partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi që tubimin e parë të saj elektoral për zgjedhjet e 9 shkurtit ta mbajë në Gjakovë, më saktësisht në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, e kanë zgjedhur Prishtinën për hapjen e fushatës.

Lidhja Demokratike e Kosovës e bëri hapjen zyrtare të fushatës në Pallatin e Rinisë, kurse Partia Demokratike e Kosovës në sallën “1 Tetori”.

Të tria këto parti kishin stërmbushur sallat nga simpatizantët e tyre. Por a tregon kjo pasqyrimin e vërtet të votave të qytetarëve të Kosovës? Kjo mbetet të shihet më 9 janar.

Zogaj: Pjesëmarrjet nëpër tubime janë vrulle aventurore të partive

Image
Skënder Zogaj

Në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj e ka komentuar se si e ka parë ai fillimin e fushatës parazgjedhore.

 “Fusha parazgjedhore filloi me fjalë të mëdha, me fjalime të fryra, me premtime megalomane, aspak reale për situatën tepër të brishtë ekonomike, politike dhe shtetërore të Kosovës, që po ballafaqohet me vështirësi jetike!”, ka thënë ai.

Më tej, Zogaj i ka kritikuar liderët e partive politike, duke shtuar se në tubimet inauguruese të fushatave nuk kanë thënë asgjë të re.

“Por, partive tona politike me shumë se gjithçka ju intereson pushteti! Kjo u pa në tubimet inauguruese të fushatave, ku liderët nuk thanë asgjë të re, asgjë konkrete programore të re dhe prosperuese, pos fjalamanisë me premtime banale siç janë rritja e rrogave, por pa e treguar se ku do t'i marrin paratë?!”, ka pohuar ai.

Sipas tij, përbërja e Parlamentit të ardhshëm do të jetë më i dobët se ky i deritashmi, pasi që në listat e partive politike janë të përfshirë persona që nuk kanë kualitetit profesional.

“E dyta: asnjëherë si në këto zgjedhje listat e kandidatëve të të gjitha partive politike janë nën çdo nivel sa i përket kualitetit profesional, gjë që, përbërja e Parlamentit të ardhshëm ka për të qenë edhe më i dobët se ky i deritashmi, gjë që, thyen shpresat kryesore, sepse, me militantë partiakësh diletantë nuk ka prosperitet shtetëror!”, ka theksuar Zogaj.

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se pjesëmarrja në tubime a e pasqyrojnë votën reale, Zogaj është shprehur negativisht

“Prandaj, në këtë situatë pjesëmarrjet nëpër tubime janë vrulle aventurore të partive që nuk pasqyrojnë gjendjen reale të votës së qytetarëve. por janë fushata të improvizuara me militantë të porositur që ngarendin nga tubimi në tubim. Pjesëmarrjet e këtilla janë mashtruese, sepse jemi 25 vjet pas luftës dhe partitë politike në vend se të hartojnë fjalime, do të kishte qenë mirë të kishin hartuar programe konkrete dhe ti shpalojnë qetë, bukur, pa mburrje patetike...”, ka përfunduar Zogaj.

Ahmeti: Tubimet nuk përfaqësojnë matje reale

Image
Hidajet Ahmeti

Në anën tjetër, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se si në një shoqëri demokratike do të gjykoheshin partitë politike.

“Në një shoqëri demokratike, votuesi racional do të gjykonte në bazë të programeve që shpërfaqin partitë politike, e cila rrjedhimisht do të dëshmonte për një votues të emancipuar e racional”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Ahmeti ka theksuar se fushata zgjedhore do të duhet të zhvillohet brenda një kornize ligjore dhe demokratike.

“Fushata zgjedhore duhet të zhvillohej brenda një kornize ligjore dhe demokratike. Nganjëherë subjektet politike në mënyrë të paqëllimshme shkelin ligjet mbi fushatën zgjedhore, por sanksionohen me gjobë, d.m.th kjo bie në supet e partive politike”, ka pohuar ai.

Në fund, Ahmeti është shprehur se tubimet elektorale nuk e përfaqësojnë matje reale të votimit të qytetarëve.

 “Realisht tubimet nuk përfaqësojnë matje reale, pasi nëse kthehemi në retrospektiven zgjedhjeve të kaluara, shohim që partitë opozitare të tashme në zgjedhjet e kaluara stërmbushnin sallat me përkrahës, por rezultati i tyre dëshmoj të kundërtën. Gjykoj se fushata zgjedhore nuk mund të ndikoj shumë në votuesit e pavendosur, pasi votuesit më shumë kanë lidhje emocionale ideologjike e një pjesë e vogël e tyre gjykojnë e analizojnë ofertat e partive politike”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat