Në Kosovë më 11 janar ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 9 shkurt.
Këtë herë zgjedhësit do të kenë të drejtë të votojnë deri në dhjetë kandidatë, që është një rritje në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, kur mund të votoheshin deri në pesë kandidatë.
E të gjendur para zgjedhjeve, premtimet e liderëve kanë filluar dhe janë duke u “ekzagjeruar” nga liderët e opozitës.
Është kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se fati i Kosovës është i lidhur me NATO-n dhe Amerikën, prandaj anëtarësimi në NATO është prioriteti i parë në programin e tij qeverisës.
Haradinaj u shpreh optimist se anëtarësimi në Paktin Veri-Atlantik mund të jetë çështje javësh në rast të ardhjes së tij në pushtet.
”Edhe tash garanci nuk guxoj me i fol unë se ato janë me vendim të aleatëve, por shpresën e madhe e kam që është çështje e javësh me u kry NATO pas fillimit të qeverisë së re, për shkak se marrja e planit aksional i cili përgatitet për vendin konkret, pra nuk është i njëjti, ne e kemi identifikuar çështjen e sigurisë, çështjen politike dhe çështje të tjera çka duhet të bëjë Kosovë, atë që tha edhe Hoveier ‘homeëork’ detyrat e shtëpisë, ne veç i kemi dakorduar këto detyra të shtëpisë në mënyrë që ta marrim planin aksional”, tha Haradinaj.
Mirëpo a kemi të bëjmë me një “premtim në ajër”, kur dimë që Haradinaj ka qenë edhe më herët në Qeveri dhe nuk ka dëshmuar një sukses të tillë dhe se anëtarësimi varet nga disa faktorë të tjerë?
Mehmeti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte fat i madh
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Gani Mehmeti.
Mehmeti thotë që anëtarësimi i Kosovës në NATO është fundi i sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës.
Sipas tij, një gjë e tillë duhet të jetë prioritet për këdo që zgjidhet kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, konsideroj se do ishte fundi i sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës, prandaj do të ishte një fat i madh.
Kjo nuk varet aspak nga se kush zgjedhet për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kjo tërësisht varet nga disponimi dhe nevojat e NATO-s”, u shpreh ai.
Më tej, opinonisti përmend një nga arsyet që NATO po zvarritë çështjen e anëtarësimit.
“Me një fjalë, ajo është çështje ushtarake. Në momentin më të duhur, apo në rrezikun më të madh, do pranohet në NATO, por po mendojnë se do ta ndajnë Serbinë nga Rusia, prandaj janë duke i zvarritur shumë çështje, në veçanti ndaj Kosovës e në dëm tonin”, foli opinonisti Gani Mehmeti për “Bota sot”.
Jakupi: Anëtarësimi në NATO nuk varet nga liderët politikë, por nga përparimet e Kosovës
Ndërsa opinonisti tjetër Zejnullah Jakupi në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë që Haradinaj ka përdorur fjalor agresiv ndaj kryeministrit Kurtit dhe me këtë qasje e ka të vështirë të anëtarësoj Kosovën në NATO.
“Ramush Haradinaj ka përdoruar shumë fjalor agresiv ndaj kryeministrit Kurti dhe nuk paraqet karakterin e një politikani serioz dhe racional dhe me këtë mesazhin se ky do ta anëtarësojë Kosovën në NATO, ky është diskurs i vjetër i tij se nuk e pyet askush z. Haradinaj që tani në aspektin politik, vështirë e ka ta kalojë pragun zgjedhor”, thotë ai.
Jakupi më tej shpjegon që anëtarësimi në NATO nuk varet nga liderët politik, por nga përparimet e Kosovës.
Gjithashtu ai ceku që premtimet e opozitës janë të tepruar.
“Pra, anëtarësimi në NATO nuk varet nga liderët politikë, por nga përparimet e Kosovës, nga aspekti i sigurisë, plotësimin e kushteve në aspektin ushtarak, strukturor, rritjen e buxhetit për ushtrinë, varet pjesëmarrja në ushtrimet të mbrojtjes krahas trupave të NATO-së etj. Pra, kur Kosova i plotëson kushtet, atëherë NATO i gëzohet anëtarësimit dhe jep dritë jeshile.
Premtimet e opozitës janë ekstravagande, ata nuk kanë kapacitet kadrovik, kanë akoma struktura të njëjta partiake dhe nuk kanë mundësi t'i bëjnë ndryshimet e premtuara sepse do e kenë të njëjtë sjelljen si para 2021. Madje në çështje të sigurisë do jenë edhe më keq”, përfundoi opinonisti Zejnullah Jakupi për “Bota sot”.