Gjatë javës që e lamë pas, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka zgjeruar fushën e sanksioneve për të gjithë ata persona apo kompani që janë të përfshira në destabilizimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kështu ka bërë të ditur, Shtëpia e Bardhë përmes një urdhri të publikuar.
Në urdhër thuhet se do të ketë sanksione ose masa ndaj personave që janë përfshirë drejtpërdrejt apo edhe tërthorazi në kërcënimin e integritetit territorial të çdo shteti në Ballkanin Perëndimor.
“Të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose të ketë përfshirë ose tentuar drejtpërdrejt ose tërthorazi të përfshihet në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në urdhrin e Shtepisë së Bardhë.
Në këtë urdhër, përmendet edhe përfshirja në korrupsion.
“Të jetë përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose të ketë përfshirë ose tentuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të përfshihet në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-qeveritar në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet”, thuhet në urdhrin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.
Rugova: Ky është mesazh i qartë për elementet radikale
Rastin për sanksione, e ka komentuar për “Bota sot”, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, duke thënë se e vlerëson zgjerimin e sanksioneve së SHBA-së për individ dhe biznese në rajonin e Ballkanit.
“Vlerësoj se zgjerimi i fushës së sanksioneve të SHBA-së për individ dhe biznese në rajonin e Ballkanit, tregon për një vëmendje të shtuar të shtetit amerikan për regjionin, proceset demokratike, paqen e stabilitetin në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka treguar se për kë është mesazh i qartë.
“Ky është mesazh i qartë për elementet radikale, nacionalistet me ide secesioniste si rasti i Dodik dhe komplet rrethit të tij, se SHBA-ja nuk do të tolerojë elemente të tilla dhe do ju përgjigjen me masa të caktuara konform situatës”, ka theksuar Rugova.
Sipas tij, nuk beson që do të ketë sanksione të tilla për individë nga Kosova.
“Nuk besoj se ka individ, biznese ose organizata të tilla në Kosovë, dhe nuk do të doja që sanksionet e kësaj fushe të prekin cilindo person fizik apo juridik në vendin tonë. Vlerësoj se SHBA do të jetë shumë aktive në Ballkan në javët dhe muajt në vijmë”, ka deklaruar Rugova.
Mehazi: Rrjeti i merimangës korruptivë fillon nga Serbia e Vuçiqit
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, profesori Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot” se deklarata e presidentit së SHBA-së është tregues se sa është i përhapur korrupsioni në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Sesa është përhapur korrupsioni marramendës në shtetet e Ballkanit Perëndimor, tregon deklarata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili kërcënoi fuqishëm elitat politike e ekonomike të shteteve ballkanike të cilët në mënyrë zinxhirore kanë ushqyer korrupsione përrallore dhe të paimagjinueshme deri në përmasa të rrezikshme destabilizuese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edhe qytetarët e rëndomtë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor e vërejnë, e shohin e prekin këtë gjëmë korruptive, e jo më presidenti i SHBA-së, Joe Biden”, ka shpjeguar ai.
Tutje, Mehazi e ka përmendur në mënyrë metaforike rrjetën e merimangës për ta shpjeguar përfshirjen udhëheqësve të Ballkanit perëndimor në korrupsion, duke shtuar se tashmë kanë filluar sanksionet.
“Rrjeti i merimangës korruptivë fillon nga Serbia e Vuçiqit që është koka korruptive, vazhdon me Listën serbe dhe Pronton në veri të Kosovës nga veriu i Kosovës u përhap në Shqipërinë e Edi Ramës, nga Shqipëria rrjeti korruptues u lidh me RMV-n e Gruevskit, Mihallkovit, Grubit, në këtë rrjet korruptues padyshim është edhe qeveria serbe e Malit të Zi
Shenjat e para sanksionuese amerikane ndaj këtyre shteteve korruptive veç kanë filluar me Listat e zeza amerikane të Dodikave, Vulinave në Serbi, Gruevskave, Mihallkovave, Thaçave, Grubave në RMV dhe burgosjen e Prontove në Kosovë. Nuk janë të rastësishme demostratat e fuqishme studentore në Serbi, nuk janë të rastësishme vrasjet në Cetinje të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Sipas tij, amerikanët duan t`i zëvendësojnë politikanët e korruptuar me ata të ndershëm.
“Amerikanët këtë rrjet marrimangash korruptive të Ballkanin Perëndimor duan ta zëvendësojnë me politikanë të ndershëm të tipit të Albin Kurtit, nuk janë të rastësishme sulmet e Ramës, Ali Ahmetit dhe partive opozitare të Kosovës ndaj Kurtit.
Për shkak se i pari që shkëputi këtë rrjet korruptues anti-amerikan është Kurti, i cili depërtoi dhe në RMV me ndërrimin e qeverisë, me eliminimin e BDI-s dhe me Vlenin në qeveri”, ka deklaruar Mehazi.
Profesori ka treguar se kush do të jenë në shënjestrën korruptuese të SHBA-së.
“Shkurt e qartë, shtetet e Ballkanit të hapur, Serbia, Shqipëria dhe RMV-ja do jenë në shënjestrën korruptuese të SHBA-së”, ka thënë në fund profesori Mehazi.