Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka rezultuar me mbi 90 mijë të regjistruar për të votuar nga diaspora
“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi..
E sipas analistëve politike, vota e diasporës do të jetë përcaktuese e rezultatit final në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Madje analisti politik, Faton Mehmeti thotë se është diaspora ajo e cila mund ta dërgojë apo ta lë Kurtin nën 50% të votave.
Diaspora përcaktuese e rezultatit final
"Diaspora edhe në zgjedhjet e kaluar luajti rol të rëndësishëm duke i mundësuar VV të qeverisë e vetme. Tani që nuk dihet se si do shkojnë zgjedhjet, diaspora mund ta lë nën 50% Kurtin apo mbi 50%, pra mund të jetë vendimtare", thotë analisti Faton Mehmeti.
Sipas tij, diaspora do të jetë përcaktuese e fituesit në këto zgjedhje.
"Mbi 100 mijë votues nga diaspora që mund të përbëjnë diku 5% e të regjistruarave, mund t'i jep Kosovës rezultatin final. Pra, mund dhe besoj se me shumë gjasa do të jetë përcaktuese. Gjithashtu, pritet që një numër i madh i diasporës të vijnë në Kosovë me 9 shkurt për të votuar, çka e shton edhe më shumë ndikimin e tyre në këtë zgjedhje", shton Mehmeti.
"Nëse diaspora do të formonte një parti politike jam i bindur se merr më shumë vota se AAK dhe mbase e kalon edhe PDK-në, për nga numri i tyre i madh që janë jashtë vendit. Janë aset i çmuar në çdo drejtim, pres që me 9 shkurt si kurrë më parë të ketë ardhje të madhe të mërgatës për të votuar", përfundon analisti Faton Mehmeti.
Rikthimi i interesit te diaspora
Kurse analisti qelë jeton dhe vepron në diasporë, Saim Tahiraj për "Bota sot" thotë se në të kaluarën partitë politike kishin humbur interesin për votat e diasporës, gjë të cilën e kishte vërejtur Lëvizja Vetëvendosje.
"Të gjitha partitë politike e patën humbur interesimin për mërgatën dhe tërë përqendrimin e orientuan në Kosovë. Duke vërejtur fuqinë elektorale të mërgatës, VV në zgjedhjet paraprake e shtoj dukshëm aktivitetin e sajë në mërgatë. Tereni ishte shumë i favorshëm për VV pasi që partitë tjera politike vetëm formalisht ekzistonin. Ky angazhim i VV në mërgatë dha rezultate shumë pozitive dhe i shtoi përqindjen e fitores", shprehet Tahiraj.
Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Tahiraj thotë se tani LDK dhe PDK janë rikthyer fuqishëm ne diasporë.
"Duke parë suksesin e VV në mërgatë, partitë tjera politike vërshuan furishëm duke themeluar degë e nëndegë të partive përkatëse. Numri i votueseve të partive politike në mërgatë është shtuar, e sidomos i LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe PSHDK-së".
"Mendoj se votat e mërgatës do luajnë rol shumë të rëndësishme në rezultatin përfundimtar. Uroj, që të gjitha këto premtime për mërgatën që po i japin partitë politike, t’i realizojnë e mos të mbetën vetëm premtime në letër dhe fjalë që i merr era", përfundon Saim Tahiraj për "Bota sot.