Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.
"Kosova... Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim.
Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia", tha Kos.
Burjani: Serbia prej marsit nuk do t’i ketë punët mirë
Njohësi i politikës, Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e saj nënkupton se asnjëra palë nuk mund të ikë nga rruga e BE-së, sepse cila të ikë nuk mund të kthehet më.
Ai thotë se ky do të jetë kusht i rëndë për dy palët.
“Kjo deklaratë nënkupton se asnjëra palë nuk mund të ikë nga rruga e BE-së, cila të ikë nuk kthehet më. Kusht i rëndë për të dy palët, pra tash janë në pritje të përfundimit të zgjedhjeve dhe me fillu me u marr me zgjidhjen. Pa normalizim nuk ka BE, as integrime në BE e as zhvillim. Risi është se BE e sheh Trumpin të rëndësishëm për të zgjidhur problemin Kosovë -Serbi, pra e kanë Trump dhe po e kërkojnë edhe BE për të ndihmuar për të zgjidhë problemin, me Kosovën”, thotë ai.
Në vazhdën e përgjigjes Burjani, thotë se Serbia prej marsit do t’i ketë punët keq dhe kjo Vuçiçin e qet prej lojës politike në Serbi.
“Vuçiç i do SHBA-në dhe BE-në, sidomos arkën financiare të tyre, por pa e lënë anash Rusinë e Kinën, edhe SHBA dhe BE e kanë një rrugë ose me ia ndalë Serbisë vëllazërinë me Rusinë dhe Kinën.
Trump, më shumë nuk e duron ndikimin e Kinës se sa Rusinë, pra Serbia prej marsit nuk do t’i ketë punët mirë, është koha për t’u përcaktuar nga Serbia dhe kjo Vuçiçin e qet prej lojës politike në Serbi. Tash, a do të kërkojë partnerë të rinj BE dhe SHBA varet nga Vuçiçi”, deklaron ai.
Kelmendi: Shtetin i Kosovës është i pandarë
Profesori Muahmet Kelmendi, shprehet se një deklaratë e tillë tregon interesin e lartë që kanë Kosova dhe Serbia në BE.
“Në Komisionin për politikën e jashtme të Parlamenti Evropian në Bruksel u diskutua edhe për Kosovën.
Në Komision u fol për tërë gjendjen me Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër u fol edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në Komision, z.Marta Kos, tha:
“Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia"
Deklarata e tillë tregon interesin e lartë që kanë Kosova dhe Serbia në BE.
Natyrisht se ky interesim pa një presion të lartë mbi Beogradin nuk do të korri sukses. Lypset të bëhet një presion për të njohur shtetin e Kosovës. Kuptohet se ky dialog në formën e deritashme nuk shkon. Kërkohen ndërrime të mëdha në dialogim dhe përcaktim i qartë politik i BE-se mbi Kosovën”, shprehet ai.
Më tej, ai nënvizon faktin se Kosovën duhet ta njohin edhe pesë vendet tjera të BE-së, por që thekson se BE-ja nuk duhet ta lidhë Kosovën me shtetin serb, sepse nuk është e ndershme që Kosova të sakrifikohet për Serbinë e cila është përgjegjëse për tërë gjendjen në Ballkan.
“Shteti i Kosovës duhet të njihet nga pesëshja e BE-së që nuk e ka njohur.
BE kërkohet që të detyron 5-në e vet të njoh Kosovën. Njohja e tillë është bazë e madhe për njohje të Kosovës edhe nga shteti serb.
Në fund të fundit BE nuk duhet të ndërlidhin me Serbinë shtetin e Kosovës. Nuk mundet që Kosova të sakrifikohet nga BE e SHBA për shtetin serb. Serbia mban përgjegjësi për tërë gjendjen në Ballkan. Anashkalimi i kësaj përgjegjësie e ndihmon vetëm racizmin serbomadh.
Kosova këtë nuk e duron. Ka kaluar koha kur sakrifikohen territoret shqiptare për interesa sllavomëdha. Shteti i Kosovës është integral dhe i pandashëm. Këtë kërkohet që BE të përmban”, përmbylli ai për “Bota sot”.