Janari është muaji kur është vrarë veprimtari i shquar, bashkëpunëtori më i afërt i presidentin historik, Ibrahim Rugova dhe i gazetës “Bota sot” si dhe drejtorit të Qendrës Informative të Kosovës, Enver Maloku.
Maloku është vrarë më 11 janar dhe në këtë vit tashmë janë bërë 26 vjet që nga vdekja e tij.
Në përvjetorin e vrasjes së tij, ai është kujtuar nga vajza e tij, nga bashkëpunëtorët e tij dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes.
Osmani ka theksuar se Enver Maloku ishte profesionist i fjalës së shkruar, luftëtar i mendimit të lirë dhe njeriu që me guxim dhe përkushtim mbrojti idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
“Si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ai ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm në kohë të errëta, kur e vërteta rrezikohej nga dhuna dhe shtypja.
Kujtimi për Enver Malokun është i përhershëm, teksa puna dhe sakrifica e tij janë pjesë e historisë sonë, ndaj e vërteta që ai mbrojti do të jetojë gjithmonë dhe do të mbrohet kur autorët të dalin para drejtësisë.
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”, shkruan ajo.
Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumri Abdixhiku, ka thënë se me vrasjen e Enver Malokut është ndërprerë rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndrrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, ka thënë Abdixhiku.
Sipas kreut të LDK-së, Maloku ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit.
Enver Maloku i cili ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.
Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.
Në anën tjetër, “shpresat” për zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut mbesin te Gjykata Speciale.
Më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, me seli në Hagë të Holandës.
Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj.
Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Duke qenë se kjo Gjykatë heton dhe gjykon krimet të cilat janë kryer, apo kanë filluar të kryhen në Kosovë, që nga janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Të gjitha krimet e pretenduara që janë kryer para janarit 98 ose pas 31 dhjetorit 2000, nuk hyjnë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale, rrjedh pyetja nëse vrasja e Enver Malokut është “nën llupën e tyre”.
Për këtë “Bota sot”, ka pyetur Gjykatën Speciale, të cilët kanë pohuar një gjë të tillë.
“Siç theksoni ju, vdekja e Enver Malokut bie në periudhën e mandatit të Prokurorisë së Specializuar”, ka thënë Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit Specialist.