“Skenarët” për pengimin e zgjedhjeve në Kosovë? Analistët flasin rreth propagandës serbe, ja si u ndalua ajo!

Politika

“Skenarët” për pengimin e zgjedhjeve në Kosovë? Analistët flasin rreth propagandës serbe, ja si u ndalua ajo!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 16 janar 2025 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Në Kosovë, të shtunën u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt.

Në këtë fushatë do të përfshihen gjithsej, 28 forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Pritet të jetë një cikël fushatash me zotime, premtime, akuza e kundër-akuza mes partive politike.

Megjithatë, është përfolur edhe për përfshirjen e Serbisë në mënyrë të tërthortë në zgjedhjet në Kosovë, kjo pas certifikimit të Listës Serbe nga KQZ.

Krahas kësaj, kohët e fundit nga Serbia kanë ardhur provokime dhe akuza të ndryshme.

Mirëpo, cili do jetë ndikimi real që mund ta ushtrojë Serbia përmes sulmeve politike, në zgjedhjet parlamentare?

Bejta: Serbia do të bëj presione, shantazhe e çka jo tjetër

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejta.

Fillimisht, tha se shteti serb do bëj çmos që të shantazhojë dhe të bëj presion që ta paraqesë situatën si të rëndë në Kosovë.

Image
Nasuf Bejta.

Mirëpo, sipas tij kjo nuk do ndikojë asgjë pasi LVV vetëm do e rrish përqindjen e fitores së saj.

“Serbia do të bëj çmos që përmes disa lidhjeve që i kanë mbetur për fat të keq edhe sot e kësaj dite në Dardani (Kosovë) që vetëm e vetëm situatën në Dardani ta paraqesë të zymtë e të paqëndrueshme. Disa të ashtuquajtura portale me politikat e tyre informuese vetëm sa po e rrisin përqindjen e fitores tonë të madhe”, deklaroi Bejta.

Po ashtu, ai foli edhe për raportimet mbi dështimet e partisë së pushtet në fushatën zgjedhore.

“Paramendoni kur merr pjesë në një tubim me mbi 5000 veta e të thuhet se tubimi dështoi. Më besoni që kur kam dalë nga salla Minatori vlerësimet kanë qenë aq të këqija për portalet e tilla sa që jam i bindur që vetëm dje ato e kanë rritë besimin në kryeministrin Kurti në minimum edhe 10%”, përfundoi Nasuf Bejta për ‘Bota sot’.

Halimi: Qeveria e Beogradit, nuk kishte kohë të fillojë Serbia të trazojë situatën politike

Kurse, analisti politik, Jeton Halimi në fillim përmendi certifikimin e Listës Serbe dhe betejën e LVV-së me partinë serbe.

Image
Jeton Halimi

“E gjithë zhurmën që u krijua nga pushteti i Albin Kurtit me njerëzit e tij në KQZ në lidhje me certifikimin e Listës Serbe u pa nga ne si profesionist të fushës juridike se ishte anti ligjore dhe anti kushtetuese këtë e vërtetuan edhe rrugët ligjore që ndjeki subjekti politik Lista Serbe, me ankesat që i kanë bërë në PZAP dhe Gjykatën Supreme Kosovës, dy vendimet ishin meritore dhe të thirrura në ligjet e Kosovës”.

Krahas kësaj, ai e komentoi reagimet e pushtetit arbitrar në Serbi, derisa përmendi edhe propagandat që bën në vazhdimësi, e të cilat nuk janë edhe shumë të theksuar, për shkak të situatës me protestat në Beograd.

Ai i ndërlidhi ato edhe me Listën Serbe dhe lidhjet që kjo e fundit ka me qeverinë e Beogradit.

“Pushteti arbitrar në Serbi kishte reagimet e tyre në raport me situatën e Listës Serbe. Qeveria e Beogradit, nuk kishte kohë të fillojë Serbia të trazojë situatën politike me propagandat e saj, pasi që situata në Serbi është shumë e keqe dhe shumë e rëndë. Ishte fati i madh për Kosovën dhe qeverinë e Kurti, pasi shteti serb ishte para aktit të kryer dhe nuk mundi të bëj propagandë shumë të madhe, qysh di të bëj ajo, kur bëhet fjalë për Kosovën”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

Kujtojmë që, sipas Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në zgjedhjet e 9 shkurtit të drejtë vote kanë dy milionë votues, prej të cilëve rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës.

Të enjten që shkoi nisi periudha e votimit për shtetasit e Kosovës jashtë vendit e cila do të zgjasë deri më 8 shkurt. Rreth 85 mijë qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa 20 mijë pritet të votojnë më 8 shkurt në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat