Zgjedhjet parlamentare është tema kryesore dhe më e përfolur në vend.
Partitë politike kanë filluar me shpalosjen e programeve në fushatat e tyre zgjedhore.
Megjithatë, një prej këtyre është edhe partia serbe, Lista Serbe, certifikimi i së cilës u kundërshtua ashpër.
Opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli për zgjedhjet e reja parlamentare.
Fillimisht, opinionisti mirëpriti ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë, si pasojë e kulturës qeverisëse.
Ai tha se tani është një momentum shumë optimist për Kosovën, pasi mbështetet tek e ardhmja e begatashme dhe shkëputja nga vartësitë e të kaluarës.
Në këtë pikë, përmendi shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit tonë, si diçka shumë pozitive për popullin e Kosovës.
“Sot ndryshimet në Kosovë, vijnë nga vetë kultura qeverisëse tek e cila do ndjehet një besim më i madh te popullata e vendit, edhe pse mendojmë se ka diçka që nuk shkon brenda saj, por duhet të kemi kujdes dhe jo thjeshtë, sepse qëllimet bazë dhe kriteret e vlerësimit duhet të jenë sa më reale.
Dhe sot Kosova, gjendet në momentet më optimiste në të cilën rrjedh gjithçka në kuptimin e drejtpërdrejtë që mbështetet tek e ardhmja më e begatshme dhe për t’u shkëputur prej vartësisë së të kaluarës së hidhur nga qeveritë e kaluara me elemente korruptive dhe kriminale, elementet e sëcilës këtë vend e lënë pezull dhe pa vizion të qartë.
Dhe sot Kosova, në kuptimin e termit shtet sovran, në të cilën rrjedh gjithçka sipas ligjeve, duke kuptuar shtrirjen e sovranitetit në tërë teritorin e saj, dhe pikërisht këtu qëndron optimizmi i këtij populli dhe vendi, që të vertetën mund ta prek dhe shikoj me sy”, deklaroi ai.
Më tej, Preqi u ndërlidh me zgjedhjet e reja parlamentare dhe fushatat e partive politike.
Ai tha se shumë parti politike me sloganet e tyre, më shumë po tregohen zhurmuese se sa realizuese.
“Kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, me ç’rast kanë filluar edhe fushatat zgjedhore në mënyrë zyrtare, duke shpalosur secila parti plan-programet dhe vizionin e tyre për një ndryshim dhe qeverisje më të mirë.
Mirëpo, sipas disa partive politike me slloganet e tyre nëpër fushata zgjedhore që janë më shumë zhurmuese se realizuese, e lënë përshtypjen se pushteti më shumë sikur po objektivizohet dhe sikur nuk është në duart e njeriut që zhvillohet dhe përcaktohet në mënyrë autonome dhe mbi bazën e logjikës, duke e ëndërruar atë, që t’a drejtojmë në bazë të ëndjeve dhe dëshirave”, nënvizoi opinionisti.
Krahas kësaj, ai u tregua i ashpër me KQZ-në dhe faktin qe e certifikoi Listën Serbe, një parti nga gjiri i të cilës dolën shumë kriminelë e terroristë.
Po ashtu, përmendi edhe betejën që LVV kishte me LS-në.
“Në këto zgjedhje të 9 shkurtit, qëndron edhe mundësia e një përdorimi të gabuar të KQZ-së, e cila e lejoi certifikimin e Listës serbe, që të bëhët pjesë e ketyre zgjedhjeve, e cila nuk e meriton të renditet në një institucion të tillë, duke ditur se nga gjiri i saj dolën plotë kriminelë dhe terroristë, që Kosovën, pretendonin ta kthenin nën Serbi, edhe sot kjo Listë serbe e njëjta është fund e krye.
Reagimet e LVV, ishin shumë të zëshme, që kjo Listë serbe, të largohet dhe mos të pranohet në këto zgjedhje, sepse është produkt i rrezikshëm dhe nuk e meriton të jetë pjesë e listës zgjedhore, sepse si rrjedhojë Lista serbe, është e lidhur ngushtë dhe e ndikuar drejtpërdrejti nga Vuçiqi dhe Beogradi, efektet e së cilës përllogariten gjithnjë në trazirat dhe situatat e ndryshme politike dhe propaganduese kundër shtetit të Kosovës dhe ndaj kryeministrit Kurti”, shpjegoi ai.
Në fund, opinionisti parashikoi se partia e dirigjuar nga Beogradi do shtojë dozën e propagandës dhe do synojë realizimin e planeve kundër Kosovës.
“Lista serbe, do ta shtojë dozën e saj propaganduese në këto zgjedhje, poashtu ka mundësi që në çdo qast të vazhdojë planin e saj prej aty ku e ka qëllimin dhe realizimin e këtyre planeve kundër shtetit të Kosovës, dhe përulësia e KQZ-së, ndaj kësaj Liste, përbënë një «virtyt» jo ligjësie, por dobësie”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.