23 vjet nga vrasja makabër e deputetit Smajl Hajdaraj/ Djali i tij thotë se është vrarë nga një strukturë kriminale më e fortë se vetë shteti

Politika

23 vjet nga vrasja makabër e deputetit Smajl Hajdaraj/ Djali i tij thotë se është vrarë nga një strukturë kriminale më e fortë se vetë shteti

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 janar 2025 Në ora: 08:12
Smajl Hajdaraj

Sot u mbushën plotë 23 vjet që nga vrasja e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë, Smajl Hajdaraj.

Ai ishte vrarë pranë banesës së tij në qytetin e Pejës, më 17 janar të vitit 2002.

Edhe kjo vrasje hynë në kuadër të vrasjeve me motive politike, e që nuk është zbardhur asnjëherë nga drejtësia në Kosovë.

Ngjashëm sikurse shumë vrasje të tjera politike, edhe vrasja e Hajdaraj nuk u zbardh asnjëherë. Madje për këtë vrasje nuk ka përgjigje as Prokuroria Speciale në Kosovë.

 Heshtja e Prokurorisë

Të konktaktuar nga gazeta nëse rasti është ende i hapur ose ka ndonjë informacion të ri, ata nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Përveҫ tyre, gazeta ka kontaktuar edhe Gjykatën Speciale, shpresën e fundit të familjarëve të të vrarëve politikë, nëse do të merren apo kan ndonjë informacion për këtë vrasje.

A po e hetojnë vrasjen, flasin nga Gjykata Speciale

Nga Gjykata Speciale thonë se, hetimet për vrasjet si kjo, bëhen brenda fushës së përgjegjësisë së Prokurorit të Specializuar.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dy institucione të ndara. Çdo gjë që lidhet me hetimet është brenda fushës së përgjegjësisë së Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thonë se mandati i tyre i hetimeve është në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa nuk jep informacione rreth hetimeve.

“ZPS nuk jep informacion mbi hetimin e saj. Juridiksioni kohor i mandatit të ZPS-së është nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, thotë zëdhënësi i ZPS-së, Chris Bennet.

Shpëtim Hajdaraj: Vrasja u krye nga një strukturë kriminale që ka vepruar me urdhra politik, është ma e fortë se vet shteti

Megjithatë, familjarët mbajnë shpresat tek kjo gjykatë që do zbardhë vrasjen e më të dashurit të tyre. 

Kështu, Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të ndjerë, duke folur për vrasjen e babait të tij, thotë se kjo vrasje është e motivuar politikisht e organizuar nga një strukturë kriminale.

Image
Shpëtim Hajdaraj

“Sot bëhen 23 vite nga vrasja e prindit tonë dhe Deputetit të Kuvendit të Kosovës, kryetarit të nëndegës së LDK-së për Rugovë dhe ish komandantit të UÇK-së të Shtabit Rajonal të Rugovës dhe inxhinierit të elektroteknikës Smajl Hajdaraj. Vrasja e tij është e motivuar politikisht dhe u krye me porosi nga një strukturë kriminale e organizuar dhe e strukturuar mirë”, thotë Hajdaraj për ‘Bota sot’.

Ai thekson poashtu se, mund të thuhet se kjo strukturë kriminale që ka vepruar me urdhra politik është ma e fortë se vet shteti.

“Dështuan për të sjellë drejtësi UNMIK-u, EULEX-i dhe më vonë edhe institucionet e Kosovës. Edhe pse do të doja që institucionet e pavarura të Kosovës të sjellnin drejtësi, por nuk po shoh se ka ndonjë interesim’, vlerëson ai.

Hajdaraj: Vrasja ishte planifikuar shumë më herët

Hajradaj mbanë shpresat tek Specialja, duke thënë se edhe nëse nuk e konsideron si pjesë të mandatit të saj, kjo vrasje ishte planifikuar shumë më herët, brenda periudhës që kjo gjykatë po heton vrasjet.

“Shpresojmë se zbardhjen e vrasjes do ta bëjë Gjykata Speciale, natyrisht nëse do ta konsideronte si pjesë të mandatit të saj, pasi që kjo vrasje ishte edhe e paralajmëruar e po ashtu edhe e planifikuar edhe më herët brenda fushëveprimtarisë kohore të saj”, thekson Hajdaraj, që njëherit është edhe kandidat për deputet, nga e njëjta parti që vepronte edhe babai i tij.

Biografi e shkurtër e Smajl Hajdaraj

Smajli ishte një nga anëtarët e LDK-së që nga themelimi i saj, kryetar i Aktivit në Vendlindje, Sekretar i Nëndegës për Rugovën deri në vitin 1997, pastaj kryetar i Nëndegës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Rugovën. Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës, kryeshef i Operatives në Brigadën 136 “Rugova”.

Në zgjedhjet e para lokale, të pas luftës, zgjidhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë, e ndërsa më vonë deputet në Parlamentin e Kosovës.

Smajl Hajdaraj ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë, i cili u nderua me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe me medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat