Shteti në rrezik nga strukturat paralele serbe, Preqi: BE dhe SHBA të përdorin presionin ndaj Serbisë

Politika

Shteti në rrezik nga strukturat paralele serbe, Preqi: BE dhe SHBA të përdorin presionin ndaj Serbisë

Nga: M.L. Më: 17 janar 2025 Në ora: 09:54
Foto ilustrim

Publicistit Dedë Preqi, konsideron se strukturat paralele serbe në Kosovë paraqesin një kërcënim serioz për stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” Preqi ka thënë se këto struktura ilegale, të cilat mbështeten dhe udhëhiqen drejtpërdrejt nga Serbia, nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe janë një shenjë e qartë e politikës destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Për të pasur një koncept më të saktë për çështjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Preqi ka thënë se së pari duhet që Serbia të çlirohet nga urrejtja patologjike shekullore e mitit serb ndaj shqiptarëve, e cila i shtrembëron përherë faktet dhe imazhin e shqiptarëve kudo në botë, deri në ditët e sotme.

Image
Dedë Preqi

“Pothuajse të gjitha vendet e botës demokratike, me etapat dhe fazat e tyre, qëndrojnë mes marrëdhënieve të ndërsjella me fqinjët, sipas zanafillës dhe prejardhjes, themelimit dhe zhvillimit, dhe këto marrëdhënie, nga ana tjetër, pasqyrojnë «njerëzoren» e tyre, çka na bën të kuptojmë se Serbia nuk ka fare dimensione njerëzore dhe fqinjësore.

Serbia do të ishte e vetmja në Ballkanin Perëndimor që mbetet e tillë dhe e pa ndryshuar në tërësinë e saj politike dhe strategjike, veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, të cilës i mungon vullneti për të arritur një njohje të vërtetë dhe për të pranuar realitetin ndaj këtij populli dhe vendi”, ka nënvizuar ai.

Dikush, sipas tij duhet t’ia tërheqë vërejtjen Serbisë, dhe në këto rrethana, i takon BE-së dhe SHBA-ve ta vendosin Serbinë në binarët e saj, nëse në strukturën e tyre ekzistojnë rregulla për ta paraqitur këtë botë si një formë të përcaktuar dhe normale.

Ai ka komentuar reagimin e BE-së pas mbylljes së strukturave paralele serbe nga shteti i Kosovës, duke thënë se është jo i sinqertë., pasi Kosova po ndjekë vetëm rrugët e saj ligjore.

“Kjo duhet vëzhguar dhe jo duke e përgëdhelur, por duke i vënë parakushte Serbisë që të disiplinohet, ose të përjashtohet nga ky rreth, pa arritur deri te një rrezik i mundshëm në Ballkan prej sjelljeve të saj, në krye me Aleksandër Vuçiqin.

Shumë domethënëse për imazhin e kësaj shoqërie të sotme, është reagimi i BE-së për mbylljen e strukturave paralele serbe ilegale nga qeveria e Kosovës, që e karakterizon një formë reagimi jo të sinqertë, kinse Kosova bie ndesh me detyrimet e saj karshi BE-së, kur Kosova po ndjek vetëm rrugët ligjore dhe shtetërore.

Është një reagim që nuk mund të shpjegohet thjesht. Edhe në këtë kohë, kemi përjetime të tilla, dhe përjetimi i realitetit merr formën e një lirie të frikshme, pa një përgjegjësi të qartë, sikur kështu duhet ta kuptojmë konstruktin e familjes Evropiane dhe sistemin e rendit të saj kozmik dhe ekzistencial ndaj shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Preqi ka përkujtuar se strukturat paralele serbe në Kosovë funksionuan që nga paslufta, me mbështetjen dhe direktivat e Serbisë, duke mos njohur ligjet, Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës.

“Kjo është një formë e rrezikshme për çdo vend dhe shtet në botë dhe nuk i përket asnjë shoqërie normale dhe bashkëkohore, të cilën nuk do ta kishte pranuar as shteti serb.

Këto struktura, të cilat i dirigjon dhe financion Serbia dhe Vuçiqi, janë struktura ilegale, për të cilat nuk ka asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që përcakton të ardhmen e tyre. Prandaj, reagimet e BE-së sikur po i inkurajojnë këto struktura, duke mos ua tërhequr vërejtjen atyre që po i joshin dhe ndërsyjnë ndaj vendit tonë.

Strukturat paralele serbe ilegale në Kosovë duhet të shuhen cep në cep, njëherë dhe përgjithmonë, nëse duam të pohojmë realitetin e këtij shteti të lirë dhe sovran, edhe pse do të hasim në koncepte dhe shfaqje të djallëzisë serbe, që përkojnë me këto provokime. Vërejmë se ato përsonifikojnë vetëm rënie, pse jo, rënien nga një madhështi e degjeneruar, që nuk kuptohet dhe nuk lejohet më kurrë në tokën e Dardanisë”, ka përfunduar ai.

Më 15 janar, autoritetet e Kosovës thanë se kanë mbyllur disa komuna paralele të Serbisë në vend, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj, të cilat “kanë ushtruar veprimtari të paligjshme” që nga fundi i luftës më 1999.

Aksionet policore u ndërmorën në komunat: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat