Vendimet e fundit të PZAP, mirëpriten dënimet ndaj partive politike – kërkohet kujdes në gjuhën e përdorur në fushatë

Politika

Vendimet e fundit të PZAP, mirëpriten dënimet ndaj partive politike – kërkohet kujdes në gjuhën e përdorur në fushatë

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 17 janar 2025 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Partitë politike kanë nisur fuqishëm fushatat e tyre zgjedhore.

Madje, ato nuk kanë kursyer as gjuhën e ashpër karshi njëra-tjetrës, ku ka pasur ofendime, akuza e deklarata nga më të ndryshmet.

Këtë nuk e kanë bërë vetëm pas zyrtarizimit të fillimit të fushatës zgjedhore, por edhe para saj.

Kësisoj, gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), njoftoi se ka gjobitur tri parti të mëdha politike, kjo për shkak të “shkeljes së kodit të mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Dënimet ishin këto, me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me tre mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të siç thuhet “shkeljes së kodit të mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në njoftimin e PZAP, thuhet se një kandidate për deputete nga Lidhja Demokratike ka nxitur urrejtje ndaj lëvizjes Vetëvendosje duke shpëndarë në rrjetet sociale një video ku është bërë krahasimi i personalitetit të kryetarit Vetëvendosjes Albin Kurti me figurën e Adolf Hitlerit.

Kurse, edhe Aleanca për Ardhmëirnë e Kosovës, sipas PZAP, ka nxitur urrejtje ndaj zotit Kurti përmes gjuhës denigruese të përdorur nga kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj dhe kandidati për deputet Ardian Gjini.

Sipas Panelit, zoti Kurti ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Lidhjes Demokratike gjatë një fjalimi në qytetin e Pejës.

Vlen të theksoihet se, sipas ligjit në fuqi gjobat e përcaktuara nga PZAP, të cilat mund të arrijnë deri në 50 mijë euro, duhet të paguhen nga subjektet politike brenda 15 ditësh.

Nuk dihet nëse këto dënime të PZAP do i ndalojnë partitë së përdoruri gjuhë denigruese dhe fyese, megjithatë shihet si një sinjal i fortë për ndryshim.

E në lidhje me gjuhën që po përdorin partitë politike dhe këto dënime të PZAP, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Maloku: Gjuha agresive dhe ofendimet e bëra nga disa, pengojnë diskutimin e thelluar të politikave të propozuara

E në lidhje me këtë çështje, së pari foli politologu Albinot Maloku.

Image
Albinot Maloku.

Si fillim kundërshtoi ashpër gjuhën ofenduese e agresive të partive politike, pasi tha se kjo mund të krijojë atmosferë polarizuese dhe emocion armiqësor.

“Po, është e rendësisë së veçantë që komunikimi agresiv, ofendues i kandidatëve për kryeministër, por edhe i kandidatëve për deputet të mos jetë prezent në kontekstin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Gjuha e ofendimit, denigrimit dhe sulmet personale ndërmjet partive dhe kandidatëve mund të krijojë atmosferë polarizuese, e cila dëmton jo vetëm diskutimin konstruktiv, por krijonë emocion të fuqishëm armiqësor. Veç kësaj, e shmangë diskutimin mbi politikat dhe programet e subjekteve politike”, u shpreh ai.

Po ashtu, Maloku potencoi se në fillim të fushatës partitë e nisën në mënyrë të qetë dhe përdorën gjuhë më të moderuar.

“Në fillim të fushatës zgjedhore, partitë politike, megjithëse me dallime, e nisën atë në mënyrë të qetë dhe profesionale. Kandidatët për kryeministër, përveç njërit, përdorën një gjuhë të moderuar dhe të sjellshme. Të tilla tone janë pozitive dhe ndihmojnë në zhvillimin e diskutimeve mbi programet politike”.

Megjithatë, politologu e mirëpriti vendimet e PZAP, ku tha se gjobat e tilla janë shenjë e mirë, që tregojnë se procesi zgjedhor po monitorohet me kujdes.

“Nga ana tjetër, gjuha agresive dhe ofendimet e bëra nga disa, pengojnë diskutimin e thelluar të politikave të propozuara. Opozita duhet të fokusohet në paraqitjen e ideve të saj, ndërsa pozita të shpjegojë se çfarë kanë bërë dhe çfarë planifikojnë të bëjnë. Vendimet e PZAP për të ndëshkuar shkeljet janë një shenjë e mirë, pasi tregojnë se procesi zgjedhor po monitorohet me kujdes dhe mund të sjellë përmirësime në sjelljen e partive politike.  Ndasit e panevojshme në shoqëri nuk i shërbejnë Kosovës”, përfundoi Albinot Maloku për “Bota sot”.

Xani: Është me rëndësi që të kemi një gjuhë të argumentuar, të moderuar e pa urrejtje

Kurse, analisti politik, Visar Xani potencoi rëndësinë që ka gjuha e argumentuar dhe e moderuar në fushatat zgjedhore.

Image
Visar Xani

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se kur fushatat politike marrin kahje negative duhet të vijnë në shprehje dënimet.

“Fillimisht është me rëndësi që të kemi një gjuhë të argumentuar, të moderuar e pa urrejtje, dhe tek në plan të dytë janë të rëndësishme pra këto dënime. Atëherë kur fushata merr kahje negative, me gjuhë të pakontrolluara, vijnë në shprehje dënime, por patjetër duhet në maksimum të shfrytëzojmë rastin për të pasur një fushatë që i ngjan një kulture perëndimore dhe politika jonë të avancojë tutje’.

Po ashtu, analisti politik përmendi dy kandidatë që po përdorin gjuhë dhe fjalor të përmbajtur.

“Të merret shembull fushata mbase e Bedri Hamzës ose edhe kandidatit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, të cilët e kanë një fushatë dhe një fjalor politik të përmbajtur, bazuar në argumente dhe ofertë për qytetarët”, përmbylli Visar Xani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat