Më shumë se një muaj nga ftesa e Prokurorisë ndaj Kurtit, flasin nga MD: Lëvizje që ka shije të qartë politike

Politika

Më shumë se një muaj nga ftesa e Prokurorisë ndaj Kurtit, flasin nga MD: Lëvizje që ka shije të qartë politike

Nga: A.M. Më: 17 janar 2025 Në ora: 22:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë muajit të kaluar, Prokuroria Speciale e ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Mirëpo, dy ftesave të Prokurorisë, kreu i ekzekutivit iu përgjigj me një kërkesë: prokurorët të shkojnë dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Edhe pas kaq kohësh, ende nuk dihet se si do vijojë mbi këtë gjë.

E në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli Zëvendësministër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Së pari, tha se kjo ftesë për kryeministrin Kurti ëshë një lëvizje me prapavijë të qartë politike.

Image
Vigan Qorrolli.

Madje, sipas tij, ky ishte një veprim selektiv, pasi Prokuroria nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë për individë të tjerë në të kaluarën.

“Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore është një lëvizje që ka shije të qartë politike. Ky veprim duket se synon ta paraqesë kryeministrin si pjesë të një skene dramatike, duke e pozicionuar atë si një person të dyshuar, që futet në Prokurori, për të krijuar një imazh publik të dëmshëm. Ky është një veprim selektiv, pasi Prokuroria nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë për individë të tjerë të nivelit të lartë, të cilët mund të kenë pasur raste të ngjashme, por që nuk janë ftuar në të njëjtën mënyrë”, theksoi zv.ministri.

Po ashtu, këtë veprim të Prokurorisë e cilësoi si qëllim për të minuar besueshmërinë e kryeministrit të vendit.

Megjithatë, ai kërkoi që kjo çështje të trajtohet me kujdes.

“Ky veprim mund të shihet si një përpjekje për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë e Kryeministrit, duke përdorur sistemin e drejtësisë si një mjet për ta atakuar politikisht. Ftesa është një reflektim i një përpjekjeje të politikës për të përdorur Prokurorinë për qëllime të ngushta politike, dhe është e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet me kujdes, duke ruajtur integritetin e procesit ligjor dhe pa lejuar që të përdoret për qëllime të tilla”, përfundoi Vigan Qorrolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat